Papa me Këshillin e Kardinajve Papa me Këshillin e Kardinajve 

Këshilli i Kardinajve, takim për proceset sinodale dhe vigjilencën financiare

Papa, i lidhur nga Shën Marta, ndoqi punimet e kardinajve, edhe ata të lidhur virtualisht nga të pesë kontinentet. Kardinali Garcias e falënderoi Papën për afërsinë ndaj Mianmarit. U shpreh kënaqësia për Raportin e fundit të Moneyval dhe progresin e mënyrave të vigjilencës ekonomike e financiare të Selisë së Shenjtë. Takimi i ardhshëm, në shtator

R. SH. - Vatikan

Rëndësia e rrugëve sinodale ndër dioqeza e në botë, kënaqësia për Raportin Moneyval dhe progresin lidhur me vigjilencën financiare, azhurnimi i përgjithshëm mbi gjendjen e pandemisë në kontinentet e ndryshme. Këto, temat kryesore, që u prekën në takimin e Këshillit të Kardinajve, mbajtur on line dje pasdite, duke nisur nga ora 16.00.

Të lidhur nga të pesë kontinetet

Papa - njofton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit - i ndoqi punimet  duke u lidhur nga Shën Marta, ndërsa sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pitero Parolin, nuk mundi të marrë pjesë, sepse po ndiqte  Festivalin e Ekologjisë së Gjithanshme të Montefiascone-s, në Viterbo. Nga vendet ku banojnë, i ndoqën  virtualisht punimet Óscar A. Rodríguez Maradiaga, Reinhard Marx, Sean Patrick O’Malley, Oswald Gracias e Fridolin Ambongo Besungu. Nga Vatikani ishin të lidhur kardinali Giuseppe Bertello dhe sekretari i Këshillit, imzot Marco Mellino.

Afërsia me Mianmarin

Pas përshëndetjes së Papës Françesku, kardinajtë dhanë kontributet e tyre  lidhur me situatën aktuale, duke e parë edhe në këndvështrimin e pandemisë së Covid 19 dhe të pasojave të saj në kontinentet e ndryshme. Në këtë kontekst, kardinali Gracias e falënderoi Papën për fjalët dhe afërsinë e shprehur lidhur me situatën e dhimbshme në Mianmar.

Udhët sinodale dhe Raporti Moneyval

Papa, duke marrë fjalën, ripohoi rëndësinë e udhëve sinodale në nivel dioqezan e kombëtar. Shprehu edhe kënaqësinë për Raportin e fundit  të Moneyval si dhe për progresin e vigjilencës ekonomike dhe financiare të Selisë së Shenjtë.

Takimi i djeshëm përfundoi në orën 18.00. I ardhshmi parashikohet për muajin shtator.

26 qershor 2021, 14:56