Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot 

Françesku: vetëm dashuria e shëron jetën! Jo gjykimi i të tjerëve!

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se shërimi, që ka më shumë vlerë në jetë, është ai i ndjenjave. Njeriu ka nevojë për dashuri. “Po dashuria nuk blihet”, nënvizoi. Dashuria gjindet “duke u lidhur ngushtë me Jezusin e duke i ndihmuar njerëzit “e plagosur e të vetmuar”.

R. SH. - Vatikan

Sot, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga dritarja e studios të Pallatit Apostolik, mbi Sheshin, që vijon të popullohet përsëri me njerëz ardhur nga të katër anët e botës, Papa Françesku i shoqëroi besimtarët në situatat më dramatike të jetës së njeriut; në atë të sëmundjes e atë të vdekjes. Duke theksuar forcën, që ka Jezusi mbi të dyja. Dy situata të ndryshme: ajo e vajzës së vogël, që vdes pikërisht kur i ati shkon të kërkojë ndihmë tek Jezusi; e ajo e një gruaje, që vuante prej vitesh nga hemorragjia:

Jezusi preket nga dhimbja jonë e nga vuajtja jonë

“Jezusi - kujtoi Papa në fillim të lutjes -  preket nga dhimbja jonë e nga vuajtja jonë, dhe shëron dy vetë, për të na bindur se as dhimbja e as vdekja nuk do ta kenë fjalën e fundit. Na kujton se me vdekjen nuk mbaron gjithçka. Ajo nuk është fundi. Zoti e mund këtë armik, nga i cili nuk mund të çlirohemi të vetëm”.

Më pas, ftesa e Françeskut për t’u përqendruar, në këtë periudhë, kur sëmundja është ende në qendër të kronikave, mbi një shenjë tjetër, shërimin e gruas, që iu vu pas nëpër turmë.

“Më shumë se shëndeti, gruaja qe prekur në ndjenjat e saj më intime; kishte humbje gjaku e prandaj, sipas mendësisë së asokohshme, shikohej si e papastër”.

Sëmundja më e rëndë, mungesa e dashurisë

Ishte, prandaj, e lënë mënjanë, nuk mund të kishte marrëdhënie të qëndrueshme, as burrë, as familje, as lidhje shoqërore normale. Jetonte vetëm, me zemër të plasur, sepse…:

Sëmundja më e rëndë në këtë jetë është mungesa e dashurisë, kur nuk  mund të duash kënd e as nuk të do kush. Ndaj shërimi, që i intereson më shumë gruas, është ai i  dashurisë. Po si mund të shërohet?

“Historia e kësaj gruaje pa emër, në të cilën të gjithë mund të shikojmë vetveten, është e jashtëzakonshme. Teksti na kujton se kishte bërë shumë mjekime, duke shpenzuar gjithë çka kishte pa kurrfarë dermani, madje duke u keqësuar”.

Sa herë edhe ne - kujtoi Papa -  kërkojmë ilaçe të gabuara, që të shuajmë etjen tonë për dashuri? Mendojmë se për të qenë të lum, mjaftojnë suksesi e paratë:

“Po dashuria nuk blihet me para. Kërkojmë strehë në mjetet virtuale, po dashuria është konkrete. Nuk na pëlqen vetja, kështu si jemi, e fshehemi pas trukeve të jashtme. Po dashuria nuk është dukje! Kërkojmë zgjidhje  nga magjistarët e njerëzit që hiqen si shenjtorë, për të mbetur, pastaj, pa para e pa paqe, si kjo grua”.

Gruaja zgjedh Jezusin

Ajo - theksoi Papa - më në fund zgjedh Jezusin dhe e çan turmën vetëm për ta çikur pakëz mantelin e tij. Kërkon, pra, kontakt të drejtpërdrejtë, fizik, me Jezusin. Posaçërisht në këtë kohë - aktualizoi Papa - e kuptuam sa të rëndësishme janë kontaktet, marrëdhëniet:

“E njëjta gjë vlen me Jezusin: nganjëherë mjaftohemi me respektimin e ndonjë norme a me përsëritjen e lutjeve, por Zoti kërkon ta takojmë, t’ia hapim zemrën; kërkon që, ashtu si gruaja, t’ia cikim mantelin e Tij e të shërohemi. Sepse, duke hyrë në intimitet me Jezusin, na shërohen ndjenjat tona".

Shikimi i Jezusit

Këtë do Jezusi – nënvizoi fort Papa në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot – Lexojmë më pas se ndonëse i shtrydhur nga turma, Jezusi shikon për rreth, për të kërkuar kush e preku. Është shikimi i Jezusit: rrethohet nga shumë njerëz, po ai është në kërkim të një fytyre e të një zemre përplot me fe. Nuk shikon turmën, por njeriun. Nuk ndalet përballë plagëve e gabimeve të së kaluarës, po shkon përtej mëkateve e paragjykimeve. Nuk ndalet para dukjes, arrin drejt e në zemër. E shëron pikërisht atë, që ishte flakur tutje nga të gjithë. E shëron, e thërret ëmbëlsisht “bijë” dhe e lavdëron për fenë e saj , duke ia kthyer plotësisht besimin në vetvete.

Lëre Jezusin të të shërojë!

Prekëse, me vlerë për ne të gjithë, thirrja me të cilën Papa e përfundon  lutjen e sotme të Engjëllit:

“Motër, vëlla, lëre Jezusin të të shikojë e të ta shërojë zemrën tënde. E nëse  shikimi i tij i ëmbël u ngul mbi ty, bëj si Ai! Shiko përreth: do të vëresh se shumë njerëz, të cilët i ke pranë, ndjehen të plagosur nga vetmia, kanë nevojë t’i dojë dikush. Jezusi të kërkon një shikim, që nuk ndalet në pamjen e jashtme, por hyn drejt e në zemër; shikim, që nuk gjykon, po mirëpret. Sepse vetëm dashuria mund ta shërojë jetën”.

Me këtë thirrje e përfundoi Papa fjalën e mbajtur para lutjes, duke i kërkuar Zojës Ngushëlluese e të mjeruarve, të na ndihmojë për t’i çuar një ledhatim të plagosurve në zemër, që i takojmë në udhën tonë.

27 qershor 2021, 13:46