Papa takohet me  diakonët e përhershëm të Dioqezës së Romës Papa takohet me diakonët e përhershëm të Dioqezës së Romës 

Françesku diakonëve: as gjysmë priftërinj, as ministrantë luksi, po shërbëtorë të përvuajtur

Papa, duke u takuar sot me diakonët e Dioqezës së Romës, u tha: “Është e trishtuar t’i shikosh ipeshkvijtë duke u kapardisur; diakonati ndihmon për të kapërcyer plagën e klerikalizmit. E në vijim iu kundërvu kastës priftërore, duke i ftuar diakonët të jenë etër, bashkëshortë e gjyshër”, sepse kjo u ngjall shpresat çifteve në krizë.

R. SH. - Vatikan

Nuk duhet të jeni “gjysëm priftërinj” por “bashkëshortë të mirë e etër të mirë e, mbi të gjitha, shërbëtorë të të gjithëve". Shërbëtorë të përvuajtur, sepse është e trishtuar të shikosh një diakon, që i pëlqen të duket, si të ishte qendra e botës  Ndërsa duhet të jetë “roje”, për të ndihmuar të varfërit e të largtit. Ky, portreti i diakonit, pikturuar nga Papa Françesku, i cili më pas, kujtoi Koncilin, që i rivlerësoi këto figura si shërbëtorë, “që i kushtohen shërbimit të popullit të Zotit". E është pikërisht shërbimi, mandati, që ua beson Papa diakonëve të përhershëm të dioqezës së Romës, të cilët i priti sot në Sallën e Bekimeve. Ishte një pritje familjare, që u hap me fjalën e Papës. Ati i Shenjtë i përshëndeti diakonët dhe familjet e tyre: ua shtrëngoi duart, bëri shaka me fëmijët e përkëdheli gruan e një diakoni të paralizuar, ardhur në takim me karriken e tij me rrota.

Diakonati ndihmon për të shëruar plagën e klerikalizmit

Papa u ndal, më pas, tek shërbesa e diakonit: “Udha, që duhet përshkuar, është ajo, që na tregon Koncili II i Vatikanit, posaçërisht Lumen gentium - kujtoi - që u thotë diakonëve “mbi ju vihen duart jo për meshtari, por për shërbim”. Ndryshim jo i vogël - kujtoi Papa - sepse diakonati - paraprakisht i reduktuar në urdhër kalimi drejt meshtarisë,  rifiton kështu, vendin e vet e veçoritë e veta. E kjo ndihmon të kapërcehet plaga e klerikalizmit, që e vë kastën e meshtarëve “përmbi” popullin e Zotit. Kështu u shpreh Papa, duke theksuar fort se pushteti qëndron tek shërbimi e se të gjithë njerëzit kushtuar Kishës janë të thirrur të përulen, “ashtu si Jezusi, që u bë shërbëtor i të gjithëve”. Pushtet do të thotë shërbim! Do të thotë t’i shërbesh tjetrit, jo t’i japësh urdhëra! Kush nuk vepron kështu, bëhet shterpë, nuk mund të prodhojë asnjë lloj fryti:

“Diakonit, që shkrin të gjitha energjitë, pa kërkuar të zërë radhët e para, i vjen era e mirë e Ungjillit e tregon kështu madhështinë e përvujtërisë së Zotit, që bën hapin e parë për të shkuar edhe tek ai, që i ktheu shpinën”.

Jo gjysëm priftërinjsh a xhakoj luksi

Sot është një aspekt tjetër, që të tërheq vëmendjen: pakësimi i numrit të meshtarëve, gjë që e shumëfishon angazhimin e diakonëve. Diakonët - na mëson Koncili - i kushtohen kryesisht detyrës së bamirësisë e të mbarështimit e, në shekujt e parë, merreshin, në emër të ipeshkvit, me nevojat e besimtarëve, sidomos të varfërve e të sëmurëve. Rrugë e mirë, kjo - theksoi Papa – sepse duke bërë kështu, nuk humbet kurrë busulla:

“Diakonët nuk do të jenë ‘gjysmë priftërinj’ a ‘priftërinj të kategorisë së dytë, as ‘xhakoj luksi’, por shërbëtorë të kujdesshëm, të cilët punojnë që askush të mos përjashtohet e dashuria e Zotit ta prekë konkretisht jetën e njerëzve”.

19 qershor 2021, 15:00