Sllovakët në audiencën e përgjithshme Sllovakët në audiencën e përgjithshme 

Papa besimtarëve sllovakë: Nëna e Zotit e përtëriftë fenë e popullit tuaj!

Françesku përshëndeti pjesëmarrësit në Shtegtimin e falënderimit të Heparkisë së Košice, që kremton 350-vjetorin e lotëve të Zojës, nga ikona e mrekullueshme e Klokočov

R. SH. - Vatikan

Sláva Isusu Christu! Qoftë lëvduar Jezu Krishti! Me këto fjalë e përfundoi Papa, pas katekizmit të audiencës së përgjithshme, përshëndetjen drejtuar sllovakëve.

Françesku ua drejtoi këto fjalë posaçërisht pjesëmarrësve në shtegtimin  e falënderimit të Heparkisë së Košice,  që kremton 350-vjetorin e përlotjes së mrekullueshme të Zojës së Klokočov, krysuar nga kryeipeshkvi, imzot Cyril Vasil.

“Ky kremtim i Nënës së Zotit - tha Françesku -  e përtëriftë  fenë e popullit tuaj dhe besimin në ndërmjetësimin e Saj në udhën tuaj. Ju bekoj me gjithë zemër - shtoi - ju të gjithë dhe  Atdheun tuaj”.

Historia e Lotëve të Zojës: çdo lot e ka një histori!

Ikona Nënës së Zotit nderohet në Shenjtëroren greko-katolike të Klokočov, në Sllovaki, ku është e shumënumërt prania e katolikëve lindorë. Lotët  mbi ikonën u dukën në vitin 1670, në një periudhë të tronditur nga kryengritjet. Një grup ushtarësh hyri në Kishë, e nxori ikonën jashtë dhe e  vuri në shënjestër. E pushkatoi Zojën! Menjëherë pas, nga sytë e ikonës nisën të rrjedhin lotët rrëke. Kohët e fundit u caktua një ditë për përkujtimin  liturgjik të lotëve, që vijuan të rrjedhin gjatë nga sytë e Marisë, në ikonë. Festa kremtohet çdo vit në të dielën e parë të tetorit.

Atë Jozef Bartkovjek, drejtues i programit sllovak  pranë Radio Vatikanit, e kujton historinë e kësaj ikone, duke nënvizuar  se Sllovakia pret një vizitë të Papës në Bratislavë, siç ka thënë vetë Ati i Shenjtë gjatë konferencës së shtypit,  në fluturimin e kthimit nga Bagdadi - në Romë.

30 qershor 2021, 13:24