Audienca e përgjithshme e 23 qershorit 2021

Pas një kohe të gjatë kushtuar lutjes, sot paradite Papa nisi një cikël të ri reflektimesh, kushtuar disa argumenteve të rëndësishme për fenë, të pranishme në Letrën drejtuar Galatasve, duke nënvizuar aktualitetin e problematikave, që u dukën që në bashkësitë e para të krishtera

R. SH. - Vatikan

Edhe sot, si në kohën e Shën Palit, nuk mungojnë predikatarë që, posaçërisht përmes mjeteve të komunikimit, paraqiten për të ripohuar me ngulm, si të ishin “rojtarë të mirëfilltë të së vërtetës”, cila është mënyra më e mirë për të qenë të krishterë. Duke i trazuar jo pak bashkësitë e krishtera. Përballë këtij realiteti, në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa kujtoi rrugën që duhet ndjekur, për t’u bërë ballë:

“Është rruga e kumtimit të Ungjillit të Zotit, që e do njeriun në Krishtin e Kryqëzuar e të Ngjallur”.

Katekizëm kushtuar temave kryesore për fenë

Pas një kohe të gjatë kushtuar lutjes, Papa nisi një cikël të ri katekizmi. I kushtohet, siç e shpjegoi vetë Françesku në fillim të audiencës - disa temave  që propozon Shën Pali në Letrën drejtuar Galatasve. Letër shumë e rëndësishme - kështu e vlerësoi Françesku - për t’i studiuar më thellësisht  disa nga argumentet, trajtuar nga Apostulli, duke vënë në dukje bukurinë e përhershme të Ungjillit.

 E, duke e nisur këtë cikël të ri, Françesku vuri në dukje ngjashmërinë e situatës së sotme, me atë që jetuan të krishterët e parë të Galacisë,  aq sa shpesh të duket se letra u shkrua në - e për ditët tona.

Shën Pali, që i themeloi këto bashkësi, vërejti se i kërcënonte një rrezik i madh lidhur me rritjen e tyre në fe. Kishte shqetësim baritor “Bariu”, vërejti Papa - e ashtu si babai a si nëna, e ndjeu menjëherë rrezikun e madh, që i kërcënohej grigjës:

 “E kjo, sepse në gjirin e saj - shpjegoi - kishin hyrë disa të krishterë të ardhur nga judaizmi të cilët, me dinakëri, filluan të mbjellin teori, që i kundërviheshin mësimit të Shën Palit e arritën deri në atë pikë, sa ta njollosnin apostullin, duke theksuar se ai nuk ishte apostull i vërtetë e se nuk kishte pikë autoriteti për ta kumtuar Ungjillin”.

Nga Doktrina, tek predikuesi i saj

Ia nisën me doktrinën - shpjegoi Françesku - për t’iu sulur, pastaj, predikuesit të saj, Apostullit:

“Është udha që ndiqet gjithnjë: zhveshja e Apostullit nga autoriteti- theksoi fort Papa. - Siç shihet - vijoi - është praktikë e lashtë kjo. Përpjekje  për t’u paraqitur, në disa raste, si  pronarë të së vërtetës, me synim që ta zbehin, edhe me shpifje, punën e të tjerëve”.

Rrugë, që shohim shpesh

E kjo rrugë nuk u përshkua vetëm nga bashkësitë e para:

“E shikojmë shpesh këtë. Mendojmë për çka ndodh në ndonjë bashkësi të krishterë a në ndonjë dioqezë: nisin historitë një herë, e pastaj  përfundojnë me përgojimin e famullitarit, të ipeshkvit. Është pikërisht rruga e djallit kjo, rrugë që përçan, që nuk di të ndërtojë. E në Letrën drejtuar Galatasve  ndeshim pikërisht këtë procedurë”.

Për Gatalasit takimi me Krishtin ishte fillesa e një jete të re, e një udhe, që u krijonte mundësinë të ishin, më në fund, të lirë, pavarësisht se në historinë e tyre nuk mungonin një mori formash të skllavërisë, ndërmjet të cilave, edhe ajo e perandorëve të Romës. Galatasit, pra, ishin në gjendje krize. Situata, tejet kritike. Përballë këtyre kritikave, ndjeheshin të turbulluar e fare të paqartë, siç mund t’u ndodhë shumë të krishterëve të kohëve tona. Sepse edhe sot ka predikatarë që  “pohojnë me forcë  se krishterimi i vërtetë është ai, me të cilin janë të lidhur ata, shpesh i identifikuar me disa forma të së kaluarës, e se e vetmja rrugë për t’i dhënë fund krizave të sotme, është kthimi mbrapa, për të mos e humbur vërtetësinë e fesë:

“Edhe sot, si atëhere, nuk mungon tundimi  për t’u mbyllur në disa bindje të traditave të kaluara. Po si mund t’i njohim këta njerëz? Për shembull, një nga tiparet e mënyrës si sillen, është ngurtësia, janë të ngurtë. Ngurtësi, gjithnjë. Duhet bërë kjo, duhet ajo, duhet bërë kjo tjetra… Ngurtësia  është tipari kryesor i këtyre njerëzve”.

E Papa na mëson të ndjekim mësimin e Shën Palit Apostull, rrugën e tij:

“E është pikërisht rruga e Apostullit, rrugë çliruese e gjithnjë krejt e re e Krishtit të kryqëzuar e të Ngjallur; është udha e kumtimit, që realizohet përmes përvujtërisë e vëllazërimit; po prediktarët e rinj nuk dinë ç’është përvujtëria, as vëllazërimi; është udha e besimit zemërbutë e të përvujtë,  po predikataët e rinj nuk e njohin butësinë as bindjen. E kjo udhë e butë e plot dëgjesë shkon përpara me bindjen se Shpirti Shenjt vepron në çdo epokë të Kishës. E besimi në Shpirtin Shenjt, i pranishëm në Kishë, na çon përpara e na shpëton”.

23 qershor 2021, 14:58

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >