Zonja Ursula von der Leyen, Kryetare e Komisionit Evropian Zonja Ursula von der Leyen, Kryetare e Komisionit Evropian 

Von der Leyen: së bashku me Selinë e Shenjtë, të garantojmë vaksinën për të gjithë

Kryetarja e Komisionit Evropian, Von der Leyen, pritur sot nga Papa Françesku, nënvizon, në një intervistë, objektivat e përbashkëta me Selinë e Shenjtë dhe pohon: “Në kohën e polarizimit, të populizmit dhe nacionalizmave, forca e madhe dhe bashkuese e fesë ka një domethënie të pafundme”.

R. SH. - Vatikan

U fol për pasojat dramatike të pandemisë, migrantët dhe krizën klimatike, e, natyrisht edhe për zhvillimet e fundme të situatës në Lindjen e Mesme, në audiencën e Papës Françesku me Kryetaren e Komisionit evropian, Ursula von der Leyen. Biseda zgjati rreth një gjysëm ore, nga 10.50 - deri në 11.20. Liderja evropiane, në Romë për Global Health Sumit, kryesuar së bashku me kryeministri italian Mario Draghi, u prit sot paradite në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Pas audiencës me Papën, rreth orës 11.25, u takua edhe me sekretarin e Shtetit, Pietro Parolin si dhe me sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher,

Me Papën, bisedim për Lindjen e Mesme, pandeminë, migrantët

“Gjatë bisedës së përzemërt - njofton një notë e përhapur nga Salla vatikanase e Shtypit - u fol për marrëdhëniet e mira dypalëshe, kohët e fundit të zhvilluara më tej edhe falë Dialogut të Strukturuar ndërmjet Palëve si dhe nismave në vijim, me rastin e 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Bashkimit Evropian. Së fundi u prek edhe tema e zhvillimit njerëzor e shoqëror të Kontinentit, parë edhe në perspektivën e Konferencës mbi ardhmërinë e Evropës - vijon nota - që kujton edhe interesat e përbashkëta, lidhur me pasojat shoqërore të pandemisë, migracioneve, ndryshimeve klimatike, si dhe zhvillimeve të kohëve të fundit në Lindjen e Mesme.

Në çastin e shkëmbimit të dhuratave, Ursula von der Leyen i dorëzoi Papës një kopje fotostatike të Deklaratës Schuman të vitit 1950 si dhe një   botim me dy vëllime të Historisë së Evropës. Papa ia ktheu me dokumente të Papnisë së tij, së bashku me Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes dhe  Dokumentin kushtuar Vëllazërimit Njerëzor, nënshkruar në Abu Dhabi, në vitin 2019. I dhuroi edhe medalionin prej bronzi, që kujton fjalët e Izaisë profet, shkëputur nga kapitulli 32: “Shkretëtira do të shndërrohet në kopsht të lulëzuar”.

Problemet më të mprehta të Kontinetit të Vjetër, në një intervistë

Para audiencës, liderja evropiane foli në mikrofonet e Vatican News. U ndalua posaçërisht tek marrëdhëniet e mira të Bashkimit Evropian me Selinë e Shenjtë dhe përpjekjet e BE-së për zhvillimin e qëndrueshëm  e   përballimin e kizës shëndetësore globale, duke e marrë shtytjen nga thirrjet e fuqishme të Papës. Kujtoi edhe fidat kryesore të sotme, kryesisht shpërndarjen e vaksinave dhe përballimin si të krizës shëndetësore globale, ashtu edhe të asaj ambientale, për Papën, më urgjentja. Kujtoi edhe rolin e jashtëzakonshëm, që luan krishterimi në Evropë.

22 maj 2021, 15:10