Gjon Pali II në Angola (qershor 1992) Gjon Pali II në Angola (qershor 1992)  

Themeli i parë i punës: njeriu

Kisha ka qenë e është gjithnjë pranë njeriut që dërsin për të siguruar ushqimin, për të mbajtur veten e familjen, duke përmirësuar, kështu, jetën e gjithë shoqërisë. Posaçërisht në enciklikën Rerum Novarum të Leonit XIII zyrtarizohet vëmendja për kushtet e punës së punëtorëve, vëmendje që shkon duke u rritut e duke struktuarizuar vazhdimisht në dekadat e mëvonshme e deri në ditët tona.

R. SH. - Vatikan

Pavarësisht nga vëmendja amtare, plot me dashuri e Kishës për të gjitha kategoritë e punëtorëve, për disa dekada, në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, ideologjia marksiste, e përhapur në një mori vendesh që vuanin nën zgjedhën e socializmit real, krijoi një paragjykim të rëndë për punën dhe punëtorët. E këtë paragjykim e pati vënë në dukje qartë Papa Piu XII, gjatë takimit me ACLI, në Sheshin e Shën Pjetrit, më 1 maj 1955:

“Sa herë Ne pohuam e shpjeguam dashurinë e Kishës për punëtorët! E megjithatë, përhapet gjerësisht shpifja e egër, sipas së cilës ‘Kisha është aleate e kapitalizmit kundër punëtorëve’. Ajo, nënë e mësuese e të gjithëve, është gjithnjë e posaçërisht e kujdesshme për bijtë, që ndodhen në kushte të vështira. Ne vetë, në Radiomesazhin e Krishtlindjes 1942, patëm thënë ‘E nxitur gjithnjë nga motive fetare, Kisha i dënoi sistemet e ndryshme të socializmit marksist e vijon t’i dënojë edhe sot, siç e ka për detyrë e të drejtë të përhershme për t’i ruajtur njerëzit nga rryma e ndikime, që  vënë në rrezik shëlbimin e amshuar. Po Kisha nuk mund t’i mbyllë sytë e të mos shikojë se punëtori, në përpjekjen për të përmirësuar kushtet e jetesës, i bie ndesh ndonjë strukture e, larg nga përkimi me natyrën, i kundërvihet rendit të Zotit e edhe qëllimit për të cilit i krijoi pasuritë e tokës… po kush, e sidomos, cili meshtar a i krishterë mund t’i mbyllë veshët për të mos e dëgjuar britmën, që naltohet nga thellësia e shpirtit, i cili kërkon dejtësi e frymë vëllazërore?”.

Me këtë frymë drejtësie e vëllazërimi Papa Gjoni XXIII, pesë vjet më pas, në Radiomesazhin me rastin e festës së Shën Jozefit, më 1 maj 1960, vinte në dukje kontrastin, të cilin ndokush dëshironte ta ushqente, ndërmjet kushteve konkrete të punëtorëve dhe fatit shpirtëror që e pret çdo njeri, duke theksuar se idelogjitë me frymë marksiste i mohojnë punëtorit  dëshirën njerëzore për transhendencën:

“Për fat të keq idelogjitë e gabuara, që lavdërojnë nga njëra anë lirinë e shfrenuar, e nga ana tjetër shtypjen e personalitetit, u përpoqën ta çkurorëzojnë punëtorin nga madhështia e tij, duke e shndërruar në mjet lufte ose duke e braktisur në fatin e vet; mbollën grindje e mosmarrëveshje, duke i kundërvënë njëra me tjetrën kategoritë e jetës shoqërore: u bënë përpjekje deri për t’i shkëputur masat e punëtorëve nga i vetmi mbrojtës i të përvuajturve, nga i cili kemi jetën, lëvizjen, ekzistencën, sikur punëtorët të mos e kishin për detyrë ta njihnin, ta nderonin e t’i shërbenin”.

Ndërsa Papa Pali VI, më 19 mars 1969, në festën e Shën Jozefit,  duke folur për shoqëritë e superprodhimit e të mbipërfitimit, pohonte: “Varfëria nuk duhet të na trembë”:

“Ne rimendojmë, me Shën Jozefin e varfër e punëtor, që synonte të fitonte aq sa i duhet për të jetuar se, megjithatë pasuritë ekonomike janë të denja për interesimin tonë të krishterë, me kusht që të mos shndërrohen në qellim vetvete, por të shikohen si mjete për të mbajtur gjallë jetën, e cila  synon pasuri të tjera, shumë më të larta: e me kusht që pasuritë  të mos jenë objekt i egoizmit, por mjet e burim i bamirësisë, në shërbim të së mirës së përbashkët”.

E Benedikti XVI, në Meshën e kremtuar më 19 mars 2006, sqaronte:

“Puna ka rëndësi të veçantë për realizimin e njeriut dhe për zhvillimin e shoqërisë, e prandaj duhet të organizohet e të zhvillohet në përkim të plotë me dinjitetin njerëzor e në shërbim të së mirës së përbashkët. Njëkohësisht, është e domosdoshme që njeriu të mos vihet në shërbim të punës, të mos e shndërrojë në idhujtari, duke pretenduar të gjejë në të kuptimin e fundit të jetës” .

Nuk duhet ta shndërrojmë punën në idhujtari as nuk duhet t’i humbasim nga sytë problematikat e panumërta njerëzore e shpirtërore, që lidhen me të - kujtonte, më 18 nëntor 1983, Gjon Pali II, duke u folur  pjesëmarrësve në një kuvëndim, organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore italiane:

“Themeli i parë i punës është vetë njeriu, e me që njeriu  është i thirrur e i caktuar për punë, puna është për njeriun - e jo njeriu për punën!”.

01 maj 2021, 14:47