Rruzarja me Papën para shpellës së Zojës së Lurdës, në Vatikan Rruzarja me Papën para shpellës së Zojës së Lurdës, në Vatikan

Lutja drejtuar shën Marisë për të zgjidhur nyjet, që e lidhin njerëzimin

Vetmia, papunësia, dhuna në familje dhe në shoqëri, por edhe përparimi njerëzor i arritshëm për të gjithë e hovi i ri baritor. Gjendje e problematika të ndryshme, të gjitha i besohen shën Marisë gjatë Rruzares me të cilën Papa do të mbyllë muajin marian, të hënën, më 31 maj

R.SH. - Vatikan

Në Kopshtet e Vatikanit, përpara fugures së Zojës që zgjidh nyjet, për të cilën ka shumë devocion, Papa Françesku do të thotë Rruzaren, të hënën, më 31 maj, për t’i paraqitur Hyjit pesë nyje, për zgjidhjen e të cilave i kërkon Zojës të ndërmjetësojë pranë Birit të vet hyjnor. Kështu do të mbyllet edhe maratona e lutjes gjatë muajit marian, e cila filloi nga Bazilika e Vatikanit dhe bashkoi 30 shenjtërore nga e gjithë bota, ku besimtarët thanë Rruzaren, duke bashkuar pesë kontinentet. Lutje, për fundin e pandemisë së koronavirusit dhe rifillimin e veprimtarive.

Programi

Kremtimi i Rruzares do të fillojë me një procesion solemn, kryesuar nga ipeshkvi i Augsburgut, imzot Bertram Johannes Meier, i cili do ta çojë fuguren në Kopshtet piktoreske të Vatikanit, kthyer, për këtë rast, në shenjtërore në natyrë. Në procesion do të marrin pjesë fëmijët, që kanë marrë kungimin e parë në famullinë e Shën Marisë së Grotticella-s nga Viterbo, e cila - e para në Itali – i vuri ambientet e saj në dispozicion për një qendër vaksinimi; të rinjtë e krezmuar në famullinë e Shën Dominikut Guzmán, një grup skautësh të Romës, disa familje dhe disa murgesha, në përfaqësim të Popullit të Zotit.

Të rinjtë e shoqatës “Shën Pjetri e Shën Pali” janë ata, që do ta mbajnë fuguren e Zojës, e cila do të shoqërohet për nderim nga Rojet Zvicerane dhe nga Xhandarmëria e Vatikanit. Në procesion do të këndojnë kori i dioqezës së Romës dhe Banda muzikore e Arcinazzo Romano. Lutjen do ta thonë të rinjtë e Veprimit Katolik, disa familje të sapoformuara, ose që presin fëmijë dhe një familje, anëtarët e së cilës janë të gjithë të shurdhër, por i janë përgjigjur thirrjes së Zotit për t’ia kushtuar jetën.

Papa Françesku para fugures së Zojës që zgjidh nyjet, në Shtëpinë e Shën Martës
Papa Françesku para fugures së Zojës që zgjidh nyjet, në Shtëpinë e Shën Martës

Fugurja

Fugurja e Zojës vjen nga Augsburgu i Gjermanisë e është pikturuar në vaj nga gjermani Johann Georg Melchior Schmidtner rreth vitit 1700. Aktualisht ndodhet në kishën e Shën Pjetrit në Perlach. Në të paraqitet Zoja, që zgjidh nyjet e një fjongoje të bardhë, mbajtur nga dy engjëj e rrethuar nga skena biblike, që i referohen shpresës, mëshirës dhe fitores mbi të keqen. Në komunikatën e Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri nënvizohet se fugurja do t’i dhurohet Papës, i cili ka një devocion shumë të madh për Zojën, që zgjidh nyjet.

Pesë nyjet

Në pesë dhjetëshet e Rruzares, do t’i kërkohet Zojës të zgjidhë pesë nyje për njerëzimin e sotëm. Nyja e parë është ajo e “marrëdhënieve të lënduara, e vetmisë dhe e indiferencës, të cilat janë thelluar në këtë kohë”. Nyja e dytë i kushtohet papunësisë, “me vëmendje të veçantë për të rinjtë, gratë, baballarët dhe për ata, që përpiqen të mbrojnë punonjësit e tyre”. E treta përfaqësohet nga “tragjedia e dhunës, veçanërisht, e asaj, që lind në familje, në shtëpi, kundër grave, ose që shpërthen në tensionet shoqërore të krijuara nga pasiguria e krizës”. Nyja e katërt i referohet “përparimit njerëzor, i cili duhet mbështetur nga puna kërkimoro-shkencore, që nxitet t’i bashkëndajë zbulimet, për t’i bërë të arritshme nga të gjithë”, veçanërisht nga më të ligështit dhe më të varfrit. Nyja e pestë, që duhet zgjidhur, është ajo e kujdesit baritor, në mënyrë që “Kishat lokale, famullitë, oratoret, qendrat baritore dhe ungjillizuese të gjejnë një entuziazëm dhe një shtysë të re në krejt jetën baritore” dhe “të rinjtë të martohen dhe të ndërtojnë familjen e të ardhmen”.   

Kremtimi sugjestiv do të përfundojë me kurorëzimin e Zojës me një kurorë të çmuar, realizuar nga argjendarët Fratelli Savi. Me Rruzaren në Kopshtet e Vatikanit do të lidhen edhe shumë shenjtërore të botës, përmes internetit.

27 maj 2021, 12:46