Vakasinimi vijon Vakasinimi vijon 

Papa, vaksinat: të ndërpritet përkohësisht pronësia intelektuale

Françesku i dërgon një mesazh "Vax Live - The Concert To Reunite the World", ngjarje, që mblodhi në Los Angeles botën e spektaklit e të institucioneve, për të mbështetur shpërndarjen e barabartë të vaksinave kundër-Covid. Papa kërkon përfshirjen e të gjithëve për ta zhdukur “variantin e indiferencës”.

R. SH. - Vatikan

Është tema e ditës e politikës, që ka të bëjë me ekonominë dhe me interesat e saj. Temë, e cila i intereson gjithnjë Papës, i cili vë në plan të parë interesin për njeriun, posaçërisht kur të tjerët interesohen pak e aspak për të. Los Angeles ndriçohet për një shfaqje në YouTube, që synon të ketë forcën e një lëvizjeje të opinionit, në gjendje për ta zhvendosur ekuilibrin e drejtimit të fushatës botërore kundër Covid-19 në vendet e varfëra. Papa bashkon zërin me atë të yjeve të muzikës, të kinemasë dhe të gjithë njerëzve, që e mbështesin nismën, duke nisur nga presidenti amerikan Biden, për të vijuar me kryetaren Komisionit BE, Ursula von der Leyen e me kryeministrin italian, Mario Draghi,  në rolin edhe të Kryetarit të G20.

Shërim, duke nisur nga rrënjët

 E, natyrisht, nuk  mund të mungonte as videomesazhi i Papës që - siç shkruan ai vetë me humorizmin që e karakterizon - nuk këndon as nuk vallëzon, por as nuk harron t’u drejtojë të rinjve përshëndetjen e  tij më të përzemërt. Coronavirusi - vijon mesazhi - shkaktoi vdekje e vuajtje, duke kushtëzuar jetën e të gjithëve, posaçërisht të më të ligshtëve. JU lutem, mos i harroni të ligështit! E pandemia ndikoi për keqësimin e krizës shoqërore e ambientale ekzistuese, ashtu si na e kujtoni gjithnjë ne, ju të rinjtë. E bëni mirë që na e kujtoni. Sepse – thekson Papa - në këtë atmosferë të errët e të pasigurt, njeriu ka shumë nevojë për dritë e për shpresë.

Nevoja për dritë e për shpëtim

Përballë gjithë kësaj errësire e pasigurie, kemi nevojë për dritë e për shpresë - vijon të kujtojë Papa në mesazhin drejtuar të rinjve. - Kemi nevojë për udhë shërimi e shpëtimi. E kam fjalën për shërimin në rrënjë, që zhduk shkaqet e së keqes e nuk ndalet vetëm tek simptomat. Pikërisht në këto rrënjë të sëmura e gjejmë virusin e individualizmit, që nuk na bën më të lirë, as më të barbartë e as më vëllezër, por na shndërron në njerëz indiferentë përballë vuajtjes së tjetrit. Është një variant i virusit të nacionalizmit të mbyllur, që pengon, për shembull, internacionalizimin e vaksinave.

Variantet e “virusit”

Po është edhe një variant tjetër i këtij virusi - kujton Papa në videomesazhin drejtuar të rinjve pjesëmarrës në koncert - Variant tjetër është kur i vëmë ligjet e tregut  ose të pronësisë intelektuale përmbi ligjet e dashurisë e të shëndetit të njerëzimit. E një tjetër, akoma, kur besojmë dhe nxisim ekonominë e sëmurë, që u krijon një grusht të pasurve mundësinë të kenë aq pasuri, sa ka e gjithë pjesa tjetër e njerëzimit  e që modelet e prodhimit e të konsumit  ta rrënojnë pjesën tjetër të planetit, të shtëpisë sonë të përbashkët”.

Natyra e njeriu lidhen në mënyrë të pazgjidhshme

Papa kujton akoma edhe lidhjen e ngushtë ndërmjet njeriut e natyrës. Çdo padrejtësi shoqërore - shkruan në mesazhin drejtuar të rinjve pjesëmarrës në  koncertin e bamirësisë, organizuar në Los Angeles - e çdo  flakje e njeriut  në varfëri e mjerim, ndikon fuqimisht edhe mbi ambientin. Natyra e njeriu lidhen në mënyrë të pazgjidhshme. Zoti Krijues dikon në zemrat tona një shpirt të ri, bujar, që nuk mund t’i pranojë individualizmat e që punon gjithnjë për të mirën e përbashkët: shpirt drejtësie, i cili na mobilizon t’i sigurojmë vaksinat për të gjithë si dhe ta ndërpresim përkohësisht pronësinë intelektuale; shpirt bashkimi, që na mundëson të krijojmë një model të ndryshëm ekonomik, më përfshirës, më të drejtë, më të qëndrueshëm.

Jemi të gjithë në krizë

Videomesazhi vijon me përshkrimin e atmosferës së krizës që po jeton mbarë bota. Jemi të gjithë në krizë - kujton Papa - pandemia na vuri të gjithëve në krizë. Por mos e harroni kurrë se nga kjo krizë nuk mund të dalim  siç ishim: “ose dalim më të mirë, ose më të këqij”. Ndaj duhet të bëjmë çmos për të gjetur rrugët më të mira.

Papa lutet për ardhmëri më të mirë

Zoti, mjek e shëlbues i të gjithëve, i ngushëlloftë të vuajturit,  i pranoftë në mbretërinë e tij ata, që shkuan, kujtoi në përfundim të mesazhit Françesku. Duke shtuar: “E lus këtë Zot edhe për ne, shtegtarë përmbi tokë, që të na japë dhuratën e vëllazërimit të ri, të solidaritetit universal e që të mund ta vlerësojmë mirësinë e bukurinë, që mbolli në secilin prej nesh, për të forcuar lidhjet e unitetit, të projekteve dhe të shpresave të përbashkëta”.

Në përfundim Papa i falënderon të gjithë pjesëmarrësit në “Vax Live - The Concert To Reunite the World” (Koncert për të kërkuar vaksinimin e gjithë botës”)  për gjithçka po bëjnë. E u kërkon favorin e përhershëm: të luten për Të!

08 maj 2021, 12:25