Kërko

Lutja e Mbretëreshës Qiellore Lutja e Mbretëreshës Qiellore 

Papa: të rrimë në “lumin” e Kishës, Shpirti Shenjt bën unitetin!

Françesku, para se të kremtonte lutjen e Mbretëreshës Qiellore nga dritarja e studios së tij mbi Sheshin e Shën Pjetrit, kujtoi se Shpirti Shenjt “na bën krijesa të reja”, siç bëri në Rrëshajët e para me Apostujt. E vë në lidhje njerëz të ndryshëm, duke realizuar unitetin dhe universalitetin e Kishës.

Lutjen e sotme të Mbretëreshës Qiellore, kremtuar nga Dritarja e Engjëllit, mbi Sheshin e Shën Pjetrit, sot të mbushur plot me njerëz, sinjal  ringjalljeje, Papa e nisi duke cituar librin e Veprave të Apostujve e duke u ndaluar  tek ngjarja që ndodhi në Jeruzalem pesëdhjetë ditë pas Pashkëve të Krishtit. Dishepujt - kujtoi Papa - ishin mbledhur në Çernakull e, me ta, ishte edhe Virgjëra Mari. Zoti i ngjallur u kishte thënë atyre të rrinin në qytet,  derisa ta merrnin nga lart dhuratën e Shpirtit Shenjt. E Shpirti i Zotit u duk me “ushtimën” që u dëgjua papritmas duke ardhur nga qielli, si të ishte “erë e stuhishme”, që e mbushi plot shtëpinë ku ndodheshin. Ishte njëkohësisht përvojë reale e simbolike - kujtoi Françesku.

Shpirti Shenjt, erë e fuqishme dhe e lirë

Kështu iu duk Shpirti Shenjt apostujve, si erë e fortë dhe e lirë.  Si stuhi, që nuk mund të kontrollohet, nuk mund të ndalet, nuk mund të matet;  e as nuk mund të parashikohet drejtimi i Tij. Nuk lejon të ikuadrohet në kërkesat tona njerëzore, në skemat tona, në paragjykimet tona:

“Shpirti vjen nga Zoti Atë e nga Biri i Tij, Jezu Krishti e hyn me rrëmbesë në Kishë e në shpirtin e secilit prej nesh. Ashtu si thotë besojma: ‘Është Zot e jep jetë’”.

Dishepujt, e edhe ne, ditën e Rrëshajëve

Ditën e Rrëshajëve, dishepujt ishin ende të çorientuar, të frikësuar. Nuk e kishin akoma guximin të dilnin hapur. Ishin si ne, që shpesh na pëlqen më shumë të mbyllemi ndërmjet mureve mbrojtëse të mjediseve tona, sesa të dalim në shesh të mejdanit:

“Po Zoti e di ku jemi e vjen e na takon, duke hapur portat e zemrave tona. Ai dërgon mbi ne Shpirtin Shenjt, që na mbështjell e fiton mbi të gjitha mëdyshjet tona, i shemb mbrojtjet tona, i çmonton siguritë tona. Shpirti na bën krijesa të reja, ashtu si i  bëri atë ditë Apostujt”.

Kush e merr Shpirtin Shenjt, nuk është më siç ishte

Dishepujt, pasi e morën Shpirtin Shenjt, nuk ishin më si më parë - kujtoi Papa në lutjen e  Mbretëreshës Qiellore - Nisën sakaq të dalin e të predikojnë e t’u japin të gjithëve lajmin e madh se Krishti i ngjallur është Zoti! E flisnin në një mënyrë, që secili prej dëgjuesve i kuptonte në gjuhën e vet:

“Shpirti Shenjt e shndërron zemrën, e zgjëron vështrimin e dishepujve. I bën të aftë për t’u komunikuar të gjithëve veprat e mëdha të Zotit, duke i kapërcyer kufijtë kulturor e fetarë, brenda të cilëve qenë mësuar  të mendojnë e të jetojnë”.

Shpirti i  bën të aftë  t’i arrijnë të tjerët, duke respektuar mundësitë e tyre  të dëgjimit e të kuptimit, në kulturën e në gjuhën e secilit. Me fjalë të tjera - shpjegoi Papa - Shpirti Shenjt i vë në komunikim me njerëz të ndryshëm,  duke realizuar unitetin dhe universalitetin e Kishës.

T’i hapim zemrat, për dhantitë e Shpirtit Shenjt

T’i hapim edhe sot zemrat tona - ishte ftesa e Papës - për dhuratat e Shpirtit Shenjt, që na bën ta ndjejmë gjithë bukurinë e vërtetësinë e dashurisë së Zotit në Krishtin e vdekur e të ngjallur. E na nxit të dalim, ta dëshmojmë këtë dashuri:

“Bota ka nevojë për guximin, shpresën, fenë e dishepujve të Krishtit. Ka nevojë që ne të bëhemi tharm, kripë e dritë në situata të ndryshme e në kontekste të panumërta kulturore e shoqërore. E gjithë këtë mund ta krijojë vetëm Shpirti Shenjt”.

Kështu ua kujtoi sot Papa besimtarëve atmosferën shungulluese të zbritjes së Shpirtit Shenjt mbi apostujt, të djeshmit e të sotmit, sepse Shpirti i Zotit vijon të zbresë në shekuj mbi këtë botë, që edhe pa e ditur, ka etje për Krishtin. Etje që mund ta shuajnë edhe me ndërmjetësimin e Marisë, së cilës Papa i drejtoi lutjen, në përfundim të Engjëllit:

“Të kërkojmë sot - kujtoi - nga Virgjëra Mari, Nënë e Kishës, të ndërmjetësojë që Shpirti Shenjt të zbresë me begati, t’i mbushë plot zemrat e besimtarëve e të ndezë në to zjarrin e dashurisë së tij”.

23 maj 2021, 13:58

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >