Kërko

2018-04-02 Regina Coeli 2018-04-02 Regina Coeli 

Papa: të rrimë në Jezusin, me Të mund të bëjmë gjithçka!

Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore të së Dielës së pestë të Pashkëve, Françesku nënvizoi se gjëja më e rëndësishme është të rrimë në Zotin, për t’ua dëshmuar dashurinë e tij të gjithë njerëzve, posaçërisht më të varfërve e më të vuajturve.

R. SH. - Vatikan

 “Të rrimë”: Jezusi e përsërit shtatë herë këtë folje në Ungjillin e sotëm. “Rrini në mua e unë në ju”- na thotë Zoti. E këtë kujtoi Papa sot, në katekizmin që i parapriu lutjes së Mbretëreshës Qiellore, kremtuar nga dritarja e studios së tij në Pallatin Apostolik.

Në të dielën e pestë të Pashkëve – kujtoi Françesku - Zoti na paraqitet  si hardhia e vërtetë e ne na quan shermendë, që nuk mund të kenë jetë pa qenë gjithnjë të bashkuar me Të: “Unë jam hardhia - vijon të na kujtojë - e ju shermendët”.

Nuk ka hardhi pa shermend

E nuk ka hardhi, pa shermend e anasjelltas. Shermendët nuk mund të qëndrojnë në këmbë, po varen krejtësisht nga hardhia, burim i jetës së tyre.

E Jezusi e thekson fort fjalën “të rrish”. E përsërit shtatë herë në fragmentin e sotëm ungjillor - kujtoi Papa - Ndoshta ngaqë para se ta lërë këtë botë e të shkojë tek Ati, Jezusi dëshiron t’i sigurojë dishepujt e vet  se mund të vijojnë të jenë të bashkuar me Të. U thotë, prandaj: “Rrini në mua e unë në ju”. E kjo folje në gojën e Krishtit nuk është pësore, nuk do të thotë të rrinë ngrirë, e as të “dremisin” në Zotin, duke u përkundur në djepin e jetës. Nuk është kjo! Ndenja, që propozon Jezusi, është veprore e edhe reciproke. Pse? - pyeti Papa, për t’i dhënë menjëherë edhe përgjigje kësaj pyetjeje:

“Sepse shermendët pa hardhinë nuk mund të bëjnë gjë prej gjëje, kanë nevojë për limfë, që të rriten e të japin fryte; edhe hardhia ka nevojë për shermendët, sepse frytet nuk dalin nga trungu i drurit. Është nevojë reciproke, duhet të rrinë bashkë, për të dhënë fryt.”   

Nuk mund të jemi të krishterë të mirë, nëse nuk rrimë në Krishtin

 Para së gjithash ne kemi nevojë për Të - kujtoi Papa në vijim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore – Zoti dëshiron të na thotë që para se t’i mbajmë urdhërimet e tij, para lumturive, para veprave të mëshirës, është e nevojshme të jesh i bashkuar me Të, të mbetesh në Të. Nuk mund të jemi të krishterë të mirë, nëse nuk rrimë në Krishtin! Ndërsa me Të, gjithçka është e mundur!

Edhe Jezusi ka nevojë për ne

Por edhe Jezusi ka nevojë për ne, si hardhia për shermendët. Ndoshta ky koncept mund të duket tepër guximtar, e atëhere lind pyetja: “Në ç’kuptim Jezusi ka nevojë për ne?”:

“Ai ka nevojë për dëshminë tonë. Fryti të cilin, si shermedë që jemi, duhet  të japim, është dëshmia e jetës sonë të krishterë. Pasi Jezusi ngjitet tek Ati, dishepujt e kanë për detyrë të vijojnë ta kumtojnë lajmin e mirë  të mbretërisë në botë me fjalë e me vepra”.

E këtë - nënvizoi Papa në vijim - e bëjnë duke e dëshmuar dashurinë e Tij: fryti, që duhet të sjellin, është dashuria:

“Të lidhur ngushtë me Krishtin, marrim dhuratat e Shpirtit Shenjt, e kështu mund t’i bëjmë mirë të afërmit, shoqërisë, Kishës. Pema njihet nga frytet! Një jetë vërtet e krishterë jep dëshmi për Krishtin!”.

Fekonditeti i jetës sonë varet nga lutja

Prej këndej - kujtoi Papa - nuk mund të mos lindë menjëherë pyetja: “Si mund ta bëjmë këtë? Jezusi na thotë “Nëse mbeteni në mua e fjalët e mia mbeten në ju, kërkoni çfarë të doni e do t’ju jepet”. Fekonditeti i jetës sonë varet nga lutja. Mund të kërkojmë edhe të mendojmë si Krishti, të veprojmë si Krishti, ta shikojmë jetën me sytë e Krishtit. E kështu mund t’i duam vëllezërit e  motrat, duke u nisur nga të varfërit e të vuajturit, ashtu siç bëri e bën Zoti,  e t’i duam me zemrën e Tij  e ta mbushim botën me fryte mirësie, dashurie, paqeje.

Në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa iu drejtua, si zakonisht, Zojës për ndërmjetësim:

“T’ia besojmë veten ndërmjetësimit të Virgjërës Mari. Ajo mbeti plotësisht e bashkuar me Jezusin e solli shumë fryt. Na ndihmoftë të rrimë në Krishtin, në dashurinë e Tij, në fjalën e Tij, për ta dëshmuar në botë Zotin e ngjallur”. 

02 maj 2021, 13:31

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >