Kërko

Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Papa: të lutemi gjithnjë, pavarësisht nga plogështia e shkujdesja, që të mos e kemi zemrën të mefshtë

Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në oborrin e Shën Damasit, në Vatikan, Françesku nxiti për t’ia drejtuar Zotit edhe “pse”-të tona, ashtu siç bën fëmija me atin, e për të mos e humbur guximin në kohë të vështira.

R. SH. - Vatikan

Shkujdesje, plogështi, mefshtësi. Mund të hasësh një sërë vështirësish kur nis e lutesh. Duhet të jesh në gjendje t’i përcaktosh, e t’i kapërcesh. Kjo, rruga që tregoi Papa gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, duke i nxitur besimtarët të mos shkurajohen përballë këmbimit të kohëve të ngushëllimit, me ato të plogështisë, por të vijojnë të luten, ashtu si pati bërë Jobi, që nuk ngurroi as të protestonte, kur iu duk se po trajtohej padrejtësisht. “Nganjëherë edhe të protestosh para Zotit, është një nga mënyrat e lutjes”- vërejti Papa -  e edhe “të zemërohesh”, sepse edhe  biri zemërohet shpesh me atin, e edhe kjo është “një nga mënyrat e sjelljes  me babain”.

Të gjithë shenjtorët kanë ecur nëpër këtë luginë të errët

Në katekizmin e së mërkurës, që rinisi në Oborrin e Shën Damasit, me praninë e besimtarëve qysh të mërkurën e kaluar, Papa kujtoi se të gjithë shenjtorët kaluan nëpër këtë “luginë të errët”- luginë e hijes së vdekjes. Nuk duhet të shkandullohemi, prandaj, nëse duke lexuar ditaret e tyre,  mësojmë se shpesh u luten krejt pa dëshirë, pa e ndjerë fare shijen e mrekullueshme të lutjes. E kjo na kujton - pohoi Papa - se duhet të mësohemi që në këto çaste të themi:

“Edhe pse Ti, Zoti im, duket se po bën gjithçka që unë të pushoj së besuari në Ty, unë prap se prap vijoj të ta drejtoj lutjen time”.

Ec, ec, ec….

Besimtarët - theksoi Papa - nuk e shuajnë kurrë dritëzën e lutjes:

“Përparimi i vërtetë i jetës shpirtërore nuk ka të bëjë me shumëzimin e ekstazave, por me aftësinë  për të qëndruar si burrat në kohë të vështira: ec… ec… ec  .. E nëse u lodhe, ndalu pak, e pastaj vijo… Por me ngulm. Duke kujtuar shembëlltyrën e Shën Françeskut kushtuar gëzimit të përkryer: zotësia e fratit nuk matet me fatbardhësitë e pafundme, që i zbresin nga qielli, por me ecjen  e vazhdueshme, edhe kur nuk të njeh kush, edhe kur keqtrajtohesh, edhe kur gjithçka e humbet shijen e fillimit”.

Lutja e “pse-së”

Papa nxit të mos e harrojmë edhe lutjen  e “pse-ve”, atë, që bëjnë fëmijët,  kur nisin të mos i kuptojnë sendet, e psikologët e quajnë “mosha e pseve”:

“Po, kujdes: fëmija nuk ia vë fare veshin përgjigjes së babait. Babai nis të shpjegojë, po ai kalon tek një pse tjetër. Bën pyetje, vetëm pse dëshiron të tërheqë vëmendjen e atit; e pikërisht kur zemërohemi paksa me Zotin e nisim psetë tona të pafundme, pikërisht atëhere e tërheqim zemrën e Atit drejt mjerimit tonë, drejt varrëve tona, drejt jetës sonë! Po, merreni guximin t’i thoni Zotit: ‘Epo, pse…?”. Sepse nganjëherë të bën mirë edhe të zemërohesh, mbasi ky zemërim zgjon lidhjen tënde si bir a bijë me Atin, lidhje që duhet ta kemi me Zotin”.

Nganjëherë, pastaj, provon shijen e hidhur të kohës së ftohtësisë, që mund të varet nga ne, por edhe nga Zoti, i cili lejon të ndodhin disa ngjarje, a të provojmë disa dhimbje, si kur të dhemb koka e të pengon të lutesh. Që të mund ta kuptojmë “mendimin amë të ftohtësisë”, Françesku kujtoi natën e të Premtes së  Madhe e të së Shtunes së Madhe, gjithë ditën e shtunë - Jezusi nuk është më,  është në varr; Jezusi vdiq e ne jemi qyqe-vetëm!

Koha e ngushëllimit, e koha e pikëllimit

Mësuesët shpirtërorë na e përshkruajnë përvojën e fesë si shndrrim të vazhdueshëm të kohëve të ngushëllimit, me ato të pikëllimit; çaste në të cilat gjithçka është fare e lehtë, e çaste kur gjithçka peshon rëndë mbi shpirt. Papa e di se njeriu mund të jetojë ditë ngjyrë hiri, ditë kur ndjehesh “fare i rënë shpirtërisht”, ditë pa asnjë rreze drite:

“Po rreziku është kur e ke zemrën të hirtë;  kur “mefshtësia” arrin në zemër dhe e sëmur…e ka njerëz, që jetojnë gjithë jetën me zemër të mefshtë! Po kështu nuk mund të jetohet! Zemra duhet të jetë e hapur, përplot me dritë, në të duhet të hyjë drita e Zotit. E nëse nuk hyn, duhet pritur me shpresë! Por jo të mbyllesh në një atmosferë ngjyrë hiri”.

Vështirësitë në udhën e lutjes

 Gjatë katekizmit, Françeku kujtoi edhe disa vështirësi, që mund të ndeshen në udhën e lutjes. Problemi i parë është hutimi, çasti kur na shoqëron një vorbull figurash e ëndrrash, në lëvizje të vazhdueshme. Këto fantazi, që sillen e përsillen në kohën e lutjes, Shën Tereza i quante: “e çmendura e shtëpisë"- shpjegoi Françesku duke folur lirisht e duke ftuar për ta mbyllur “të çmendurën” në kafazin e vëmendjes. Duhet luftuar, për të  ruajtur përqendrimin, ashtu si bëhet kur dëshiron të punosh a të studiosh mirë. Sportistët e dinë se garat nuk fitohen vetëm me stërvitjen fizike, por edhe me disiplinën mendore; posaçërisht me aftësinë për t’u përqendruar e për ta pasur vëmendjen gjithnjë zgjuar. Çkujdesjet, pra, mund,  të luftohen e virtyti i vigjilencës është themelor. Jezusi shpesh herë u tërheq vëmendjen dishepujve që të bëjnë një jetë të përkorë,  të shoqëruar nga mendimi se Ai, heret a vonë, do të kthehet përsëri, e ata “nuk e humbën kurrë udhën në ndjekje të joshjeve të rastit, por u përpoqën të ecin në udhën e drejtë, duke u përpjekur ta kryejnë sa më mirë detyrën, që u kishte ngarkuar Krishti”.

Papa: Zoti  u dhashtë paqe e ngushëllim popujve të martirizuar

Në audiencën e përgjithshme Papa kërkoi përsëri lutje për popujt e martirizuar:

“Në pritje të Rrëshajëve, si Apostujt e mbledhur në Çenakull me Virgjërën Mari, t’i lypim Zotit  me afsh, Shpirtin e ngushëllimit e të paqes për popujt e martirizuar, që jetojnë në situata të vështira” – kujtoi Papa Françesku.

19 maj 2021, 12:20

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >