Kërko

34 rekrutë të rinj të Rojeve Papnore Zvicerane do të bëjnë betimin sot paasdite 34 rekrutë të rinj të Rojeve Papnore Zvicerane do të bëjnë betimin sot paasdite

Papa, Rojeve Zvicerane: të jeni shenjë mikpritjeje në Kishë

Duke pritur në audiencë rekrutët e Rojeve Zvicerane, që betohen sot në oborrin e Shën Damazit, në Vatikan, Papa theksoi shërbimin e veçantë, përkushtimin dhe besnikërinë e tyre ndaj Selisë Apostolike

R.SH. - Vatikan

Me uniformat e tyre të lashta, në të cilat ndihet historia, besnikëria dhe dashuria për Papën, Rojet Zvicerane ofrojnë ende sot një shërbim të çmuar, mbrujtur me përkushtim e impenjim shpirtëror. Kjo është kohë, u shpjegoi Papa rekrutëve të rinj, që betohen sot në Vatikan, për të kuptuar edhe thirrjen e jetës. Ati i Shenjtë i priti në audiencë rojet e reja zvicerane, para se të bëjnë betimin, duke nënvizuar “mirësjelljen dhe gatishmërinë” e tyre ndaj të gjithë njerëzve, që u drejtohen për një kërkesë, një pyetje, ose një përshëndetje të thjeshtë.

         “E vlerësoj shumë aftësinë tuaj për të bashkuar aspektin profesional me atë shpirtëror, duke shprehur kështu, përkushtimin dhe besnikërinë tuaj ndaj Selisë Apostolike. Nga ana e tyre, shtegtarët dhe turistët, që vijnë në Romë, kanë mundësinë ta provojnë mirësjelljen dhe ndihmën e rojeve, në hyrjet e ndryshme të Qytetit të Vatikanit. Kurrë mos i harroni këto cilësi, të cilat janë dëshmi e bukur dhe shenja të mikpritjes së Kishës”.

Thirrje për bujari

         Duke përshëndetur edhe prindërit e rekrutëve, Papa Françesku theksoi se “prania e tyre dëshmon lidhjen e shumë katolikëve zviceranë me Kishën, në veçanti, me Selinë e Shën Pjetrit”. Ati i Shenjtë kujtoi sakrificën e jetës së rojeve zvicerane në shërbim të Papës dhe gatishmërinë bujare të të rinjve për t’i ofruar disa vite Pasardhësit të Shën Pjetrit dhe bashkësisë kishtare.

         “Zoti, nganjëherë, i thërret disa prej jush ta ndjekin në rrugën e meshtarisë, ose të jetës rregulltare, pasi gjen terren pjellor, të cilin e kultivon pikërisht gjatë kohës së shërbimit në Rojet Papnore Zvicerane. Nga ana tjetër, të tjerë ndjekin thirrjen bashkëshortore dhe formojnë familje. Bashkë me ju, falënderoj Zotin, burimin e të gjitha të mirave, për dhuratat dhe thirrjet e ndryshme që ju beson, si edhe lutem që ata, të cilët fillojnë shërbimin e tyre tani, t’i përgjigjen plotësisht thirrjes së Krishtit, duke e ndjekur me bujari besnike”.

Në fund, urimi që “përvojat e frytshme shpirtërore dhe njerëzore si në Vatikan, ashtu edhe në qytetin e Romës” të jenë rast për t’u thelluar në fe e për të pasur “një dashuri edhe më të fortë për Kishën”.

06 maj 2021, 14:45