Papa Radio Vatikanit: “Të jeni funksionalë e krijues, për të arritur tek njerëzit”

Papa Françesku vizitoi sot paradite redaksitë e gazetës “L’Osservatore Romano”, të Radio Vatikanit - Vatican News si dhe bashkësinë e punës së Dikasterit vatikanas për Komunikimin, me rastin e 160-vjetorit të gazetës e të 90-vjetorit të emitentes. Në transmetim të drejtpërdrejtë radiofonik, Papa u kërkoi komunikuesve t’i bëjnë gjithnjë vetes pyetjen: “Sa vetë na ndjekin?”. E në përshëndetjen e fundit, në Sallën Marconi – u kërkoi të jenë të vëmendshëm që secili të ketë liri të mjaftueshme “edhe aftësi për të rrezikuar”, pa kërkuar gjithnjë leje.

R. SH. - Vatikan

Një shtrëngim dore e një buzëqeshje për secilin nga treqind punonjësit e Dikasterit vatikanas për Komunikimet, që punojnë në Pallatin Pio e në selitë e tjera,. E me secilin, shkëmbim i një fjale, i një pëshndetjeje, i një shakaje. Papa Françesku i ftoi, duke folur drejtpërdrejt në Radio Vaticana Italia,  të përpiqen “për të arritur tek njerëzit”, në mënyrë që “çka bën këtu, gjë që është e bukur, e madhe, e edhe e lodhshme për t’u krijuar, të arrijë tek njerëzit”. Prandaj duhet t’i bëni vetes çdo ditë pyetjen: “Sa vetë na ndoqën?”. Edhe pse ekziston rreziku i një organizimi të mirë, i një pune të mirë, por që kur vjen puna të arrijë ku dëshirohet, nuk arrin… Bëhet si puna e malit, që u mbars, por pastaj polli një mi! E kini mendjen, që të jetë strukturë funksionale, krijuese, “ku secili duhet të ketë liri të mjaftueshme” si dhe “aftësi për të rrezikuar” pa shkuar të kërkojë vazhdimisht leje. Leja të paralizon”.

Një orë vizitë, nga gazeta, tek radioja e deri në sektorin teknik  

Kjo ishte vizita e Papës në Pallatin Pio, me rastin e 160-vjetorit  të L’Osservatore Romano dhe 90 vjetorit të Radio Vatikanit. Në një orë, nga 8.50 deri në 9.50 Françesku mori pjesë në fillim, në takimin me redaksinë e gazetës së Selisë së Shenjtë,  u lut në Kapelën e Lajmërimit të Zojës,   foli drejtpërdrejt në radio e, së fundi, shkëmbeu dy fjalë me prefektin,  drejtorin editorial, me drejtorët e testatës dhe një përfaqësi gazetarësh të Radio Vatikanit e të Vatican News, në Sallën Marconi.

Takimi me redaksinë e Osservatore Romano-s

Papa u prit në orën 8.50 në hyrje të Pallatit Pio nga zëvendës- drejtoresha e Sallës vatikanase të Shtypit, Murray, ish-gazetare në programin brazilian të Radio Vatikanit e të Vatican News. U ngjit menjëherë me ashensor  në katin e dytë, ku u transferua prej ndonjë muaji redaksia e Osservatore Romano. Drejtori, Andrea Monda, që e priti në Sallën e Takimeve, i tregoi titujt kyesorë të gazetës së sotme.

Gazeta e së enjtes, 17 dhjetor 1937

E me kryeredaktorin, Pietro Di Domenicantonio, dekan i redaksisë, i ardhur në vitin 1978, i tregoi Papës Françesku edhe numrin e parë, datuar 1 korrik 1861. E pastaj i dhuroi një riprodhim të vënë në kornizë, të faqes së parë të së enjtes, 17 dhjetor 1937, ditë e lindjes së Jorge Mario Bergoglio. “A ju  kujtohet se ishte e enjte?”- e pyeti Monda. “Jo - gjegji Papa me shaka -  po këtu nuk qenka lajmi se u linda”.

Penda e mikrofoni

Drejtori i tregoi Papës edhe një  artikull të numrit të njëqindvjetorit, 1 korrik 1961. Me një shkrim të atë Francesco Pellegrino, asokohe drejtor  i programeve të Radio Vatikanit. “Penda e mikrofoni”- titullohet - duke përmbledhur dy simbolet e mediave të Selisë së Shenjtë, vëllezër të së njëjtes famje”. Pastaj i paraqiti përgjegjësit e edicilonieve javore.

Lutja në Kapelën e Lajmërimit të Zojës

Në orën 9.08 Papa hyri në Kapelën e Lajmërimit të Zojës e, me njëzet  punonjës në pritje, tha lutjen e ditës së 55-të botërore të komunikimeve shoqërore, me temë “Eja e shiko. Të komunikosh me njerëzit, ku e si janë”, në të cilën komunikatorët i kërkojnë Zotit t’u mësojë të ecin “në kërkim të së vërtetës”, “pa paragjykime”. E edhe për t’u dhënë hiririn t’i njohin banesat e Tij në botë  e  të tregojnë ndershmërisht çka panë”.

Drejpërdrejt në Radio Vaticana Italia

Katër minuta më pas, Papa u ngjit në katin e katërt, për të folur drejtpërdrejt në studion 9, në transmetimin nën kujdesin e Massimiliano Menichetti-t, drejtor i Vatican News e Radio Vaticana si dhe të Luca Collodit, drejtor i Radio Vaticana Italia. “Kam një shqetësim të vetëm, që ma prek shumë zemrën - sa e dëgjojnë Radion e sa e lexojnë “L’Osservatore Romano-n”. Sepse - shpjegoi “puna jonë” bëhet për të arritur tek njerëzit, mbasi kjo që bëhet këtu është e bukur, e madhe, e lodhshme. Po pas vjen pyetja: “Sa? Tek sa vetë arrin? Bëjani vetes këtë pyetje çdo ditë! Sa njerëzve u arrin mesazhi i Jezusit përmes L’Osservatore Romano? Sa përmes radios? Kjo është shumë e rëndësishme. Tepër!".

24 maj 2021, 14:10