Papa Françesku dhe presidenti i Republikës Argjentinase, Alberto Fernández Papa Françesku dhe presidenti i Republikës Argjentinase, Alberto Fernández

Papa pret në audiencë presidentin argjentinas, Fernández

Pandemia dhe lufta kundër varfërisë, në qendër të vëmendjes gjatë audiencës së Papës Françesku me presidentin e Argjentinës, sot paradite, në Vatikan

R.SH. - Vatikan

Një bisedë e përqendruar mbi “disa problematika, si përballimi i pandemisë së koronavirusit, kriza ekonomike dhe financiare dhe lufta kundër varfërisë”. Këto ishin temat e audiencës së paradites së sotme, ndërmjet papës Françesku dhe presidentit të Republikës Argjentinase, Alberto Fernández, siç njofton Salla e Shtypit e Vatikanit. Në takim, u vu në dukje edhe “kontributi i rëndësishëm që ka dhënë e jep Kisha Katolike” për vendin pikërisht për këto probleme.

Gjithashtu, u fol për “disa çështje me natyrë rajonale dhe ndërkombëtare”, si edhe “u shpreh vlerësim për marrëdhëniet e mira dypalëshe, duke nënvizuar synimin për ta çuar më tej bashkëpunimin në sektorë me interes të përbashkët”. Pas bisedës me Papën, presidenti Fernández takoi kardinalin Pietro Parolin, Sekretarin e Shtetit të Vatikanit dhe imzot Paul Richard Gallagher, Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet.

Papa Françesku i dhuroi kreut të shtetit argjentinas një mozaik me mbishkrimin: “Fryti i tokës dhe vepra e njeriut le të bëhen për ne ushqimi i jetës së pasosur”. I dha edhe Mesazhin për Paqen dhe tekste të tjera papnore. Presidenti Fernández i dhuroi Atit të Shenjtë një shtatore të Shën Jozefit me Jezusin në krah, hoste dhe mjaltë të prodhuar nga kooperativat në Argjentinë, një stolë e disa libra.

13 maj 2021, 14:51