2018.07.31 XII Pellegrinaggio Internazionale dei Ministranti. Roma 2018.07.31 XII Pellegrinaggio Internazionale dei Ministranti. Roma

Papa ministrantëve: “Të jeni origjinalë, si shenjtorët, larg mediokritetit”

Në një mesazh dërguar me rastin e 25-vjetorit të Shtegtimit kombëtar të akolitëve në Fatima, Françesku citon të Lumin Carlo Acutis, që kishte gjetur në Eukaristi “autostradën për në qiell”. U kujtoi se jeta nuk është ngjyrë hiri e se detyra për të cilën janë të thirrur, është ta rrezatojnë dritën që vjen nga Zoti.

R.SH. - Vatikan

Të shikojnë Shën Jozefin, rojtarin e Jezusit e të Familjes Shenjte, shenjtorët që dëshmojnë me jetë mënyrën origjinale “për të arritur tek Zoti”. Këtë udhë u tregoi Françesku ministrantëve të Portugalisë, në një mesazh drejtuar imzot Josè Manuel Garcia Cordeiro, ipeshkëv i Brangança -Miranda dhe kryetar i Komisionit ipeshkvnor portugez për Liturgjinë dhe Përshpirtërinë, me rastin e 25 vjetorit të Shtegtimit kombëtar të akolitëve   në Fatima, më 1 maj.

Jezusi të shpërblen

“Jini shenjtorë”: shkruan Papa, sepse para së gjithash, bashkëpunëtorë të një misteri, të cilit duhet t’i kushtoheni me sjellje të brendshme, të jashtme dhe me lutje. Kështu - vijon - “shërbimi yt si ministrant do të shndërrohet  në dëshmi feje për bashkësinë”. Për ta bërë këtë - këshillon Françesku -  “vëre gjithë entuziazmin e moshës sate në takimin me Jezusin, dhuroja Krishtit duart e tua, mendimet e tua, kohën tënde e Ai nuk do të  harrojë të të shpërblejë, duke të dhuruar gëzimin e duke të ndihmuar ta shijosh lumturinë e plotë”. Papa citon, më pas, disa shenjtorë, që gjetën në Eukaristi ushqimin për të ecur drejt përsosurisë”, si e Lumja Alexandrina Maria da Costa, që u ushqye për 14 vjet me radhë vetëm me Hosten Shenjte ose Shën Françesk Martò, bariu i vogël i Fatimës.

Shenjtorë e origjinalë

Kur kujtojmë se duhet t’i ngjasim shenjtorëve, kjo nuk do të thotë - nënvizon Papa në mesazh - të kopjojmë mënyrën  e jetës e të shenjtërisë së tyre. Ka shembuj, që mund të na nxisin e të na bindin, por jo për të kërkuar t’i kopjosh, sepse kjo mund të na largojë nga udha e veçantë, që ka zgjedhur Zoti ‘për ne”. Nuk ftohemi për të kopjuar të tjerët, por për të qenë vetvetja”. “Jo fotokopje” po frymëzim për të tjetër, për të lënë, kështu, një gjurmë vetjake. Françesku citon të Lumin Carlo Acutis dhe një nga thëniet e tij: “Të gjithë lindin origjinalë, por shumë vdesin si fotokopje”.

Shpresë, që nuk të zhgënjen

“Mos bjerë kurrë në mediokritet, që të zhvleftëson e të bën ngjyrë gri. Jeta - nënvizon Françesku duke iu drejtuar ministrantëve - nuk është ngjyrë hiri, jeta duhet të synojë ideale të mëdha. Nuk duhet të ndiqni pas njerëzit e mbrapshtë, por të rrezatoni rreth jush dritën e shpresës, që nuk të zhgënjen; nuk të zhgënjen kurrë! Me Zotin asgjë nuk humbet, ndërsa pa Të, gjithçka është e humbur. Nuk duhet pasur frikë për t’u lëshuar i tëri në krahët e Atit tonë qiellor e për të besuar plotësisht në Të”.

Së fundi, Françesku i fton akolitët të ndjekin me besim e zell gjurmët e Shën Jozefit e të famullitarëve e, duke cituar Papën Gjon Pali II, kujton  se në duart e tyre shikojnë “si bëhen” Eukaristi e prandaj i nxit të bëhen “etër, mësues e dëshmitarë të mëshirës eukaristike e të shenjtërisë së jetës”.

03 maj 2021, 14:29