Papa: e trishtë, kur institutet rregulltare shkojnë pas ideologjive të majta a të djathta

Papa Françesku dërgon një videomesazh për Javën e 49-50-të të Instituteve të Jetës Rregulltare në Spanjë. U kërkon rregulltarëve të mos reshtin së dialoguari me botën e të mos kenë frikë të kapërcejnë kufijtë me realitete të tjera, gjithnjë, duke e lënë veten në dorën e Shpirtit Shenjt

R.SH. - Vatikan

“Mos kini frikë nga limitet! Mos kini frikë nga kufijtë! Mos kini frikë nga periferitë! Sepse aty, Shpirti Shenjt do t’ju flasë. Vihuni ‘në vijën e shënjestrës’ së Shpirtit Shenjt. E këto javë do t’ju ndihmojnë sigurisht, të viheni në ‘atë linjë’”. Kështu u thotë sot Papa Françesku, në një videomesazh, rregulltarëve spanjollë, që kremtojnë Javën e 49-50-të të Jetës Rregulltare. Në të vërtetë, takimi i tyre i përvitshëm kombëtar kremton përvjetorin e 50-të, por është quajtur i 49-50-ti, sepse vitin e kaluar nuk u mbajt, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Java fillon sot e do të përfundojë më 22 maj, në prag të festës së Rrëshajëve. Tema e saj: “Të shuguruar për jetën e botës – Jeta rregulltare në shoqërinë aktuale”. Gjatë këtyre ditëve, me qendër në Madrid, do të mbahen një sërë konferencash në internet, të cilat filluan sot, me paraqitjen e nuncit apostolik në Spanjë, imzot Bernardito Auza.

Falënderimi për kardinalin Aquilino Bocos Merino

Në videomesazhin e tij, Papa Françesku falënderon kardinalin Aquilino Bocos Merino, nismëtar i këtyre Javëve, që këtyre ditëve, publikon në revistën online “Vida Nueva Digital” një përmbledhje të rrugës së përshkuar gjatë 50 viteve, duke përmendur jo vetëm përvjetorin e rëndësishëm të kësaj Jave, por edhe atë të Institutit Teologjik të Jetës Rregulltare.

“Dëshiroj të falënderoj për këtë punë të vazhdueshme që zgjon shqetësimin për të kuptuar pasurinë e jetës rregulltare dhe për ta bërë atë të japë fryte – pohon Ati i Shenjtë. – Jo vetëm për ta kuptuar, por edhe për ta jetuar. Jo vetëm teori, jo, praktikë. Në çdo rast, katekizim, për ta praktikuar më mirë. Prandaj, falënderoj publikisht kardinalin Aquilino për gjithçka”.

Jeta rregulltare ka parasysh realitetin

Programi i kësaj Jave në Spanjë parashikon diskutime e reflektime mbi vlerat e shoqërisë së sotme dhe mbi kontributin e rregulltarëve në kulturën aktuale. Rregulltarët spanjollë propozojnë të dalin nga rrethi i tyre, ku ndihen të sigurt, për t’iu përgjigjur sipas Ungjillit sfidave të përditshme, sidomos atyre, që kanë të bëjnë me migracionin dhe me edukimin e drejtësisë, me bashkëpunimin ndërmjet karizmave të ndryshme rregulltare e me qëndrimin ndaj familjes, qendër e jetës shoqërore e kristiane. Duke komentuar këtë program, Papa Françesku nënvizon se jeta rregulltare është gjithnjë në dialog me realitetin.

“Jetën rregulltare e kuptojmë duke ecur përpara, si gjithmonë. E kuptojmë, duke e shuguruar atë përditë. E kuptojmë në dialogun me realitetin: Kur jeta rregulltare e humbet përmasën e dialogut me realitetin dhe reflektimin mbi gjithçka ndodh, fillon e bëhet e shterpët”.

“Jo” ideologjive

Papa kritikon ashpër jetën e disa instituteve rregulltare, që i rrinë larg realitetit. Përmend shembullin e shën Terezës së Avilës, rregulltares së njohur spanjolle, e cila e reformoi jetën e shuguruar, pa e mbyllur në vetvete.  Ati i Shenjtë u kërkon instituteve rregulltare spanjolle të mos bien në ideologji, të çfarëdo prirjeje qofshin e t’u qëndrojnë besnikë thirrjes fillestare, për të mos e humbur indentitetin e tyre.

“Të mbash gjallë karizmën themeltare do të thotë ta mbash atë për udhë e në rritje, në dialog me ç’thotë Shpirti Shenjt gjatë historisë së kohërave e të vendeve, në epoka e situata të ndryshme. Presupozon shoshitje e presupozon lutje. Nuk mund të ruhet karizma themeltare pa guxim apostolik, pra, pa ecur, pa shoshitje e pa lutje”.

Këndoni e ecni përpara

Kjo Javë, e mbyll Papa videomesazhin e vet, me një notë humori në fund, nuk është mbledhje për t’i rënë kitarrës e për të thënë “sa e bukur jeta rregulltare”. Natyrisht, i duhet rënë edhe kitarrës nganjëherë, siç kërkonte shën Augustini, i cili këshillonte “këndo dhe ec përpara”, por, nënvizon Ati i Shenjtë, kjo bëhet për të mos e humbur rrugën në “formalizma, ideologji, frikë, në dialog me vetveten e jo me Shpirtin Shenjt”. Është pikërisht Shpirti, që i tregon rrugën çdo rregulltari, nëse ai ia hap zemrën dhe e lë t’i flasë.

17 maj 2021, 16:30