Papa: sistemet shëndetësore të jenë për gjithë të sëmurët, pa dallim

Videomesazh i Papës Françesku për Konferencën V Ndërkombëtare me temë: “Eksplorimi i mendjes, trupit dhe shpirtit”. Falë shkencave mjekësore e punës kërkimore më të sofistikuar, nënvizon Ati i Shenjtë, kemi kura më të përshtatshme, por nuk mungojnë çështjet etike, shkaktuar nga veprime si manipulimi i gjenomës njerëzore”

R.SH. - Vatikan

Një reflektim i gjatë mbi marrëdhëniet ndërmjet trupit, mendjes e shpirtit, frymëzuar nga pohimi i shën Augustinit “Ç’humnerë e thellë është njeriu!”, në videomesazhin që Papa Françesku i dërgoi Konferencës V Ndërkombëtare me temë: “Eksplorimi i mendjes, trupit dhe shpirtit. Të bashkuar për të parandaluar, të bashkuar për të mjekuar”. Takimi u mbajt nga 6 deri më 8 maj në internet.

Në të morën pjesë mjekë, shkencëtarë, studiues të etikës, krerë fetarë, politikanë, filantropë e opinionistë, të cilët diskutuan mbi zbulimet e fundit në fushën e mjekësisë, të asistencës shëndetësore e të parandalimit të sëmundjeve, si edhe mbi kuptimin antropologjik dhe ndikimin kulturor të përparimeve teknologjike. Këshilli Papnor për Kulturën dhe Fondacioni “Cura” (Kujdesi) organizuan, në kuadrin e kësaj konference, një uebinar për të shqyrtuar pikat e përbashkëta ndërmjet fesë e përshpirtërisë dhe shëndetit e mirëqënies.

Njeriu, një dhe i pandashëm

Papa Françesku vuri menjëherë në dukje se filozofia e krishterë  e sheh njeriun si një e të pandashëm, pra, mendje, trup e shpirt së bashku. Kisha e vë atë në qendër të veprimtarisë së vet, prandaj, Ati i Shenjtë u shprehu mirënjohjen ekspertëve, që merren me përmasën njerëzore të sistemeve shëndetësore, duke u kërkuar edhe një reflektim mbi modelin aktual të këtyre sistemeve, në mënyrë që ai të sigurojë barazinë ndërmjet të sëmurëve.

Trupi: rreziku i studimeve gjenetike

Më pas, u përqendrua mbi tri përmasat e konferencës. Duke folur për trupin, Ati i Shenjtë nënvizoi rëndësinë e studimeve ndërdisiplinore, që arrijnë të kuptojnë më mirë “dinamikat ndërmjet gjendjes sonë fizike dhe ambientit në të cilin jetojmë, ndërmjet shëndetit e ushqimit, ndërmjet mirëqënies sonë psikofizike dhe kujdesit për jetën shpirtërore – edhe përmes praktikës së lutjes apo të medtimit, në format e tij të ndryshme – si edhe ndërmjet shëndetit e artit, duke menduar veçanërisht për muzikën”.  Por, Papa vuri në dukje edhe rreziqet e studimeve mbi trupin, sidomos të atyre gjenetike:

“Gjenetika – vërejti Françesku – ngre edhe disa pikëpyetje bazë  antropologjike dhe etike, si, për shembull, çështjen e manipulimit të gjenomës njerëzore për të kontrolluar, ose deri për ta kapërcyer procesin e plakjes a për të arritur një fuqizim të paparashikuar të njeriut”.

Cila është origjina e aftësive mendore të njeriut?

Përsa i përket mendjes, Papa nënvizoi se ajo nuk mund të kuptohet pa trurin, por nuk është thjesht materie cerebrale.

“Me fjalën ‘mendje’ tregohet zakonisht një kompleks aftësish njerëzore, që kanë të bëjnë sidomos me formimin e mendimit. Prandaj, mbetet gjithnjë aktuale pyetja mbi origjinën e aftësive njerëzore, si ndjeshmëria morale e njeriut, dhembshuria, empatia, dashuria solidare, që shndërrohet në gjeste filantropike dhe në përkushtimin pa interes për të tjerët, ose sensi estetik, për të mos përmendur kërkimin e së pafundmes dhe të transhendentes”.

Shpirti e afron njeriun me Zotin

Tradita judeo-kristiane, vazhdoi Papa, i jep shumë rëndësi shpirtit. Është parimi themeltar i trupit, nga  i cili e kanë zanafillën cilësitë intelektive, afektive dhe volitive, përfshirë vetëdijen morale. Është shpirti, që e afron njeriun me Zotin, vërejti Ati i Shenjtë, “është  dritarja, që sheh e çon drejt horizontit”. Në përfundim të videomesazhit, që mbylli punimet e konferencës, Françesku u uroi të gjithëve të “kenë gjithnjë entuziazmin, madje, edhe habinë, para njeriut, të cilin nuk mbarojmë kurrë së zbuluari”.

08 maj 2021, 18:02