Papa Françesku në audiencë: një e puthur në faqe, nga një vogëlushe

Papa sot në Oborrin e Shën Damasit, në Vatikan, audiencën e përgjithshme e nisi menjëherë, buzagaz e me çap të lehtë, me takimin e zakonshëm me besimtarët, mbledhur rreth tij. I bekoi disa herë e ndërmjet përshëndetjeve, edhe ajo e një vogëlusheje, që ishte ulur mbi transenën, e mbajtur nga prindërit, në pritje për një bekim.

R.SH. - Vatikan

Papa arriti sot në mëngjes, në orën 09.00 në Oborrin e Shën Damasit, në Vatikan, për audiencën e përgjithshme dhe nisi menjëherë, buzagaz e me çap të lehtë, takimin e zakonshëm me besimtarët, mbledhur rreth tij. I bekoi disa herë, duke u ndaluar me shumë prej tyre për të shkëmbyer dy fjalë e për të dëgjuar historitë e tyre.

Ndërmjet përshëndetjeve, edhe ajo e një vogëlusheje, veshur me rroba të kaltra, që ishte ulur mbi transenën, e mbajtur nga prindërit, në pritje për një bekim. Pastaj, takimi me një vogëlushe tjetër, me fustan blu e gërsheta bionde. Kur Papa deshi ta ledhatonte, ajo iu afrua faqes së tij e i dha një të puthur. Nuk munguan as autografet e Atit të Shenjtë mbi librat, pikturat e fotografitë. Një grup të rinjsh iu lut t’u nënshkruante një kartelë me vizatime të ndryshme kubike. Para-audienca zgjati një çerek ore. Pastaj  Françesku  u drejtua, në këmbë,  tek vendi i tij, në qendër të Oborrit.

26 maj 2021, 13:54