Yangon. Mesha e kremtuar nga Papa në kryeipeshkvi, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Mianmar, në vitin 2017 Yangon. Mesha e kremtuar nga Papa në kryeipeshkvi, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Mianmar, në vitin 2017

Papa Françesku: më 16 maj, një meshë për besimtarët e Mianmarit

Mesha, që Papa Françesku do të kryesojë në Bazilikën e Vatikanit, pason thirrjet e shumta për dialog dhe pajtim në Mianmar - më e fundit, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore të së dielës, 2 maj

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku do të kremtojë një meshë për besimtarët e Mianmarit, që banojnë në Romë. Kremtimi do të bëhet më 16 maj, në Solemnitetin e Ngjitjes së Zotit në Qiell, në orën 10.00, në Altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit. Të dielën e kaluar, në lutjen e Mbrtetëreshës Qiellore, duke folur për përkushtimin tradicional marian në muajin maj dhe për nismën e Rruzares, që përfshin shenjtëroret kryesore të botës, Papa Françesku e përmendi vendin dhe vlerësoi nismën e Kishës birmane.

“Në këtë kuadër – tregoi Ati i Shenjtë – ka një nismë, që e kam shumë për zemër: është ajo e Kishës birmane, e cila na fton të lutemi për paqen, duke thënë për Mianmarin një nga FalemiMritë e Rruzares së përditshme. Secili prej nesh i drejtohet nënës, kur është në nevojë a në vështirësi; ne, gjatë këtij muaji, i kërkojmë Nënës sonë Qiellore t’u flasë zemrave të gjithë përgjegjësve të Mianmarit, që të gjejnë guximin për të ecur në udhën e takimit, të pajtimit dhe të paqes”.

Papa: të mbizotërojë dialogu

 Të shumta, thirrjet për dialog dhe paqe të Papës Françesku që kur, më 1 shkurt, ushtria përmbysi qeverinë e Aung San Suu Kyi, duke marrë në dorë kontrollin e vendit. Protestat e popullsisë, që doli në rrugë disa herë kundër puçit ushtarak, fatkeqësisht, kanë shkaktuar dhunë dhe dhjetëra viktima. Më se një herë, gjatë kësaj periudhe, Ati i Shenjtë u kërkoi demonstruesve të mos kryejnë veprime të dhunshme dhe autoriteteve të mos përdorin forcën kundër protestuesve.

“Të mbizotërojë dialogu mbi shtypjen dhe harmonia mbi mosmarrëveshjet – pati kërkuar Papa në audiencën e përgjithshme të 17 marsit. -  Bashkësia ndërkombëtare të sigurojë ndihmën e nevojshme që aspiratat e popullit të Mianmarit të mos mbyten me dhunë”. E duke pasur parasysh fotografinë e murgeshës, në gjunjë para forcave të policisë së Mianmarit, që pati bërë xhiron e botës, Papa nënvizoi me forcë: “Edhe unë gjunjëzohem në rrugët e Mianmarit dhe them: të ndalet dhuna. Edhe unë shtrij krahët dhe them: të mbizotërojë dialogu. Gjakderdhja nuk zgjidh asgjë. Të mbizotërojë dialogu”.

04 maj 2021, 14:45