Kërko

Vatican News

Papa Françesku: Kisha është shkollë bashkimi, jo lufte të brendshme

Papa nënshkruan parathënien e librit “Si kripa e tharmi - Shënime për një teologji të jetës rregulltare në Kishë”, që do të dalë në librari nesër, botuar nga LEV. Ndihmë për t’u “thelluar në misterin e Nënës Shenjte, Kishës hierarkike”: meshtarët, rregulltarët e laikët të jetojnë “si vëllezër”.

R.SH. - Vatikan

Gjatë gjithë historisë së Kishës, në disa raste, ka ekzistuar pretendimi se një gjendje e caktuar përkryerje, një thirrje, ishte më e mirë se të tjerat, gati duke e kthyer kështu, “Kishën, nga shtëpi dhe shkollë bashkimi e vëllazërimi për popullin unik të Zotit, në një grumbull subjektesh, që i referohen vetëm vetvetes”, “arrogantë të prerogativave të tyre”, duke harruar se “arrijmë të parët kur të tre subjektet e arrijnë së bashku qëllimin”. Në parathënien e librit, që do të dalë nesër në librari, me titull “Si kripa e tharmi - Shënime për një teologji të jetës rregulltare në Kishë” e me autorë dy françeskanë, Valentino Natalini dhe Ferdinando Campana, Papa Françesku u referohet tri gjendjeve të jetës në Kishë: meshtarëve, rregulltarëve dhe laikëve, të cilët nuk duhet të jenë si tre armiq, por si “tre vëllezër”. Nganjëherë, denoncon Ati i Shenjtë, për shkak të “klerikalizmit” dhe “mendësisë shpirtërore të kësaj bote”, ata nuk kanë dëshmuar një jetë vërtet të krishterë, por “kanë pretenduar pushtet”. Revistat “Famiglia Cristiana” (Familja e Krishterë) dhe “Credere” (Besimi) botojnë sot tekstin e plotë të paraqitjes së Papës.

Përmbledhje e mësimeve për jetën rregulltare

Rruga, që kërkon Papa Françesku, është ajo e bashkimit, sepse, shkruan ai, “Kisha është e bukur, pasi atë e do fort Dhëndërri dhe Zoti i saj”, me një dashuri, që e bën të frytshme. Autorët e tekstit, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, bëjnë në fakt, një përmbledhje të mësimeve të Kishës mbi jetën rregulltare, përmes temave si shugurimi, profecia, misioni, liturgjia, eskatologjia, përshpirtëria, shenjtëria, duke iu referuar Trinisë Shenjte, Virgjërës Mari dhe Shën Jozefit.

Të gjitha thirrjet, të nevojshme në Kishë

Nënvizohen edhe disa karakteristika të autorëve: njëri, teolog i moshuar françeskan, “që interpreton tekstet e magjisterit me zemrën e qashtër të rishtarit”, ndërsa tjetri, sivëlla i ri, liturgjist dhe i apasionuar pas teologjisë e përshpirtërisë - “miku im i dashur që prej shumë kohe”, kujton Papa - që është marrë me këtë punë në vazhdën e teologut të madh zviceran, Hans Urs von Balthasar. Pikërisht ky i fundit pati folur për reciprocitetin e “parimit pjetrin” dhe të “parimit marian” në Kishë, duke vërejtur se thirrjet e ndryshme të jetës janë njëlloj “të nevojshme dhe themeltare në Kishë”. Në këtë udhë, interpretohet edhe magjisteri i Shën Gjon Palit II, me Nxitjet Apostolike post-sinodale “Vita Consecrata”, “Pastores Dabo Vobis” dhe “Christifideles laici”. Papa Françesku uron së fundi, që leximi i këtij teksti të ndihmojë në thellimin e misterit të Shenjtes Nënë Kishë hierarkike.

13 maj 2021, 14:06