Papa Françesku do të hapë Takimin për gjendjen e Lindjeve në Itali

Papa do të jetë më 14 maj në Auditoriumin e rrugës Conciliazione (Pajtimi) në Romë për të përuruar një takim kushtuar krizës demografike në Itali dhe në botë, organizuar nga kreu i Forumit të shoqatave pro familjes, Gigi De Palo

R.SH. - Vatikan

Pandemia e koronavirusit e ka përkeqësuar prirjen, që vijon të theksohet çdo ditë e më shumë. Italia nuk ka më fëmijë, vendi po plaket dhe po shpopullohet e politikat për mbështetjen e familjes ndikojnë tepër pak. Çështje dramatike për shumë kombe, të cilët po kalojnë një krizë të thellë demografike. Për këtë arsye, më 14 maj, në Romë, kjo problematikë do të analizohet e do të diskutohet në një takim të nivelit të lartë institucional, ku do të ndërhyjë edhe Papa Françesku, në fillim të punimeve.

Të fillohet nga lindjet e reja

Ati i Shenjtë, njoftoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, do të shkojë në orën 9.30, në Auditoriumin e rrugës Conciliazione (Pajtimi) për Takimin mbi gjendjen e përgjithshme të Lindjeve, ku do të flasë për “fatin demografik të Italisë dhe të botës”. Nisma në internet, e promovuar nga kryetari italian i Forumit të shoqatave të familjes, Gigi De Palo, përballet me një temë “edhe më aktuale pas pasojave dramatike të pandemisë, e cila ka varfëruar më se një milion familje në Itali”, lexohet në deklaratën për shtyp. Qëllimi kryesor i takimit, është të “bëhet thirrje për bashkë-përgjegjësi në rimëkëmbjen e vendit, duke filluar nga lindjet e reja”.

Kriza demografike e mundësitë e reja

Në këtë dimër demografik, në veçanti Italia, prej më se një dekade, “mbetet një vend gjithnjë e më i moshuar dhe më pak i populluar, që vuan nga mangësi strukturore dhe legjislative në nivelin fiskal, ekonomik dhe shoqëror, gjë që rezulton në rënien e lindjeve”. Një skenar, i cili duhet ndryshuar, duke shfrytëzuar mundësitë, që jep Plani i Rimëkëmbjes dhe i Qëndrueshmërisë (PNRR), dorëzuar nga qeveria italiane Bashkimit Evropian.

03 maj 2021, 14:30