Motër Norma Pimentel Motër Norma Pimentel 

Françesku falënderon motër Normën, “engjëll” i migrantëve, ndërmjet SHBA-ve dhe Meksikos

Videomesazh, drejtuar misionares së Jezusit, drejtoreshë e Catholic Charities në Rio Grande Valley. Organizmi strehoi gjatë viteve më se 20 mijë vetë e vijon të punojë me zell të pashoq për t’i bashkuar familjet e ndara në vijën e kufirit. Françesku: “Faleminderit për mikpritjen e njeriut, që ikën nga skëterrat e kohëve tona”.

R. SH. - Vatikan

Pesë herë faleminderit! E shqiptoi pesë herë me radhë këtë fjalë të bekuar, që,  fatkeqësisht, nuk dëgjohet aq shpesh në kohët tona, Papa Françesku, në videomesazhin drejtuar motër Norma Pimentel, misionare e Jezusit dhe drejtoreshë  e Catholic Charities në Rio Grande Valley, ku çdo ditë  arrijnë qindra mijëra migrantë nga Amerika Latine. E pikërisht mikpritja dhe asistenca e një morie grash e burrash, të sapolindurish, të moshuarish e familjesh të ndara, në ikje nga  mjerimi i padurueshëm, në kërkim të një jete më të mirë, janë në themel  të misionit të Motër Normës, bazuar mbi parimin ungjillor: “Isha i huaj e më mikpritët!”.

“Faleminderit për skuadrën  tënde!”.

Papa deshi ta falënderojë personalisht rregulltaren për këtë vepër sa fetare, aq edhe humanitare, me një mesazh-video, duke iu përgjigjur kështu një letre, që i kishte dërguar Motra më 3 majin e kaluar: “Faleminderit për këtë që po bëni Ju e gjithë skuadra Juaj”- pohon Papa në videomesazhin, shqiptuar në gjuhën spanjolle:

“Faleminderit për mikpritjen, për strehimin e migrantëve, që vijnë në kërkim të një jete më të mirë: disa vijnë për të përparuar, të tjerë ikin nga ferret e vërteta shoqërore. Faleminderit, motër, faleminderit për skuadrën tuaj!”.

Migrantët duhen mirëpritur, duhen mbrojtur, duhen shoqëruar e integruar!

Françesku ripohon me forcë katër foljet, që duhen përdorur për t’i dhënë përgjigje emergjencës migratore: “Të mirëpresësh, të mbrosh, të shoqërosh e të integrosh!”. Këtë rithekson Papa, për të falënderuar më pas, edhe një herë, motrën dhe skuadrën e saj, për çka bëjnë në ndihmë të njerëzve, që kanë plotësisht të drejtë të kërkojnë një jetë më të denjë për njeriun:

“Ju shoqëroj prej këtu, lutem për ju e për të gjithë njerëzit, që ju shoqërojnë në  këtë punë. Zoti i bekoftë!”.

Simbolike, fjala skëterrë, përdorur nga Papa në videomesazh për disa nga viset e Amerikës Latine, por që  ka vlerë për të gjitha vendet, ku njeriu ndjehet aq keq, sa të  iki nga sytë këmbët nga “skëterrat shoqërore”.

29 maj 2021, 12:12