Atë Stephen Chow Sau-yan, jezuit, emëruar nga Papa, ipeshkëv i Hong Kongut Atë Stephen Chow Sau-yan, jezuit, emëruar nga Papa, ipeshkëv i Hong Kongut

Papa emëron atë Chow Sau-yan, jezuit, ipeshkëv të Hong Kongut

Deri tani epror i Provincës kineze të Shoqërisë së Jezusit, ai ka punuar në fushën e formimit dhe të psikologjisë. Selia e dioqezës mbeti vakante që nga viti 2019, pas vdekjes së ipeshkvit Michael Yeung

R.SH. - Vatikan

Hong Kongu ka një ipeshkëv të ri: ai është atë Stephen Chow Sau-yan, jezuit, aktualisht epror i Provincës kineze të Shoqërisë së Jezusit, me studime në psikologji dhe me përvojë të madhe në fushën e formimit e të universitetit. Emërimi u njoftua sot, në buletinin e Sallës së Shtypit të Vatikanit.

Studime në Irlandë e në SHBA

Lindur më 7 gusht 1959 në Hong Kong, atë Chow Sau-yan, pas një periudhe studimesh parauniversitare, mori bakalaureatin dhe masterin në psikologji në Universitetin e Minesotës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në moshën 25 vjeçare, më 27 shtator 1984, hyri në Shoqërinë e Jezusit. Nga viti 1986 deri në vitin 1988, përfundoi noviciatin dhe mori liçencën në filozofi në Irlandë, për të vazhduar studimet teologjike në Hong Kong, deri më 1993. Në korrik 1994 u shugurua meshtar. Bëri një master në Zhvillimin Organizativ, në Universitetin Loyola të Çikagos (1993-1995), ndërsa në Universitetin e Harvardit, në Boston (2000-2006), mori titullin Doktor në Zhvillimin Njerëzor dhe në Psikologji. Bëri kushtet përfundimtare si jezuit më 17 prill 2007.

Psikolog dhe formues

Të shumta, detyrat e këtyre viteve: nga viti 2007, mbikëqyrës i dy kolegjeve jezuite në Hong Kong dhe në Wah Yan të Kowloon; asistent-profesor nderi në Universitetin e Hong Kongut (2008-2015) dhe formues i jezuitëve (2009-2017). Që nga viti 2009, ka kryer edhe detyrën e kryetarit të Komisionit për Edukimin në Provincën kinezë të Jezuitëve, ndërsa, që nga viti 2012, është mësues i psikologjisë në Seminarin Dioqezan të Shpirtit Shenjt, në Hong Kong. Në periudhën 2012-2014, ka qenë anëtar i Këshillit Presbiterial të dioqezës së Hong Kongut, ndërsa në periudhën 2013-2017, këshilltar provincial. Nga viti 2017, atë Chow Sau-yan është anëtar i Këshillit Dioqezan të Edukimit. U emërua epror i Provincës Kineze të Shoqërisë së Jezusit më 1 janar 2018. Që nga viti 2020, shërben edhe si sekretar i Shoqatës së Eprorëve Rregulltarë të Instituteve Mashkullore të Hong Kongut.

Seli vakante që nga viti 2019

Udhëheqja e dioqezës së ish-kolonisë britanike – ku vitin e kaluar pati konflikte ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve, me dhunë dhe arrestime – mbeti vakante që nga vdekja e ipeshkvit Michael Yeung Ming-cheung, më 3 janar 2019. Prelati pati zëvendësuar në gusht 2017, kardinalin John Tong Hon, i cili dha dorëheqjen në moshën 77 vjeçare.

17 maj 2021, 14:36