Papa Françesku gjatë vizitës në Akademinë Papnore Kishtare Papa Françesku gjatë vizitës në Akademinë Papnore Kishtare 

Papa: diplomati i mirë me rrënjë në traditë, është gati për dialog

Françesku u takua dje me Bashkësinë e Akademisë Papnore Kishtare. Ndenji më se një orë me meshtarët, duke shkëmbyer një dialog të thjeshtë e të hapur. Papa përshëndeti edhe rregulltaret e Comunidad Apostolica de Maris Siempre Virgen, që shërbejnë në Akademinë Papnore.

R. SH. - Vatikan

Kjo mendësi e botës, që të merr frymën, shërohet duke thithur ajrin e pastër të Shpirtit Shenjt, që na çliron nga dashuria për vetveten, fshehur pas një dukjeje rregulltare, në të cilën Zoti mungon krejtësisht.  Nuk duhet të lejojmë të na e rrëmbejë kush Ungjillin!”. Me këto fjalë mund të përmblidhet krejtësisht takimi i Papës me bashkësinë e Akademisë Papnore Kishtare (PAE), dje pasdite, pranë Institucionit, në Sheshin e Minervës 74, i cili që prej  320 vjetësh  formon  personelin e ardhshëm  të Përfaqësive papnore.

Ishte takim i thjeshtë e familjar, i karakterizuar nga fryma vëllazërore  e afërsia e Pasardhësit të Pjetrit me meshtarët e rinj, që përgatiten për ta jetuar meshtarinë e tyre në shërbim të Kishës e të Atit të Shenjtë në misione të ndryshme diplomatike.

Pak para orës 18.30, Papa u prit nga Kryetari i PAE, imzot Joseph Marino, nga Sekretari për Përfaqësitë Papnore, imzot Jan Romeo Pawłowski, nga Ekonomi dhe Prefekti i studimeve, imzot Gabriel Marcelo Viola Casalongue e nga studentët.

Ishte takim i pritur prej vitesh, i parealizuar për shkak të pandemisë: shenjë konkrete e afërsisë atërore dhe e vëmendjes së Atit të Shenjtë.

Papa u ndalua  për më se një orë  me meshtarët, në një dialog të thjeshtë e të hapur.  Kryetari, në  emër të të gjithëve, e përshëndeti dhe e falënderoi Atin e Shenjtë, që iu përgjigj ftesës, duke i paraqitur bashkësinë prej 40 priftërinjsh e 38 studentësh, ardhur nga 25 vende e duke e informuar  se, pavarësisht nga kriza shëndetësore shkaktuar nga pandemia, u zhvilluan rregullisht të gjitha veprimtaritë e parashikuara për vitin akademik, me lutje, studim e takime të ndryshme informative.

28 maj 2021, 16:14