Mesha Shenjte për Mianmarin Mesha Shenjte për Mianmarin 

Papa besimtarëve të Mianmarit: besnikë ndaj Ungjillit, edhe me rrezikun e jetës

Në Meshën për besimtarët e vendit aziatik, banues në Romë, Françesku u kujtoi se nuk duhet të përulen para logjikës së urrejtjes e të përçarjes, por ta rikrijojnë vëllazërimin, duke u angazhuar edhe “përmes rrugëve shoqërore e politike” e duke qenë dëshmitarë të së vërtetës, që është Jezusi, edhe “në natën e errët të dhimbjes”.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku solli mbi altar “vuajtjet” e popullit të dashur birman, i cili po përballon një dhunë të egër gjatë manifestimeve, që vijojnë në Mianmar qysh nga grushti i shtetit i një shkurtit të kaluar, pas të cilit pushteti ra në dorën e juntës ushtarake. Papa e luti me forcë Zotin t’i kthejë zemrat e të gjithëve në rrugën e paqes, duke kujtuar se “Zoti e dëgjon gjithnjë britmën e popullit të vet”. Kjo afërsi e kjo lutje u ndje fuqimisht gjatë gjithë Meshës, kremtuar sot paradite në Altarin e Katedrës të Bazilikës së Shën Pjetrit, kushtuar besimtarëve të Mianmarit, banues në Romë, në sytë e të cilëve lexohej britma e dhimbjes, kujtuar nga Papa në homeli.  Gjatë Meshës, Leximi i Parë e i Dytë u shpallen në birmanisht. E edhe disa nga këngët, kënduar në gjuhën e vendit aziatik, i bënë “të afërta” këto vise të largëta, të plagosura rëndë, ashtu si bënë thirrjet e shumta për Mianmarin, drejtuar nga Papa në këtë kohë tragjike për vendin.

Në radhë të parë, të ruhet feja

Në radhë të parë duhet të ruajmë fenë. Duhet ta ruajmë, për të mos vdekur nga dhimbja e për të mos u dorëzuar, si ai që nuk shikon më asnjë rrugëdalje. E para fjalëve, Ungjilli na bën të kundrojmë një prej sjelljeve të Jezusit. Ungjilltari na kujton lutjen “me sytë drejtuar nga qielli”. Janë orët e fundit të jetës së Tij, ndjehet i tradhtuar e i braktisur, por edhe në këtë çast, Jezusi i lartoi sytë nga qielli. I çoi drejt Zotit! Nuk e uli kokën para së keqes, nuk e la dhimbjen ta mposhtë, nuk u përkul nga hidhërimi, po shikoi lart. E këtë ua këshillon edhe të vetëve, të cilëve u drejtohet me fjalët:

“Kur Jeruzalemi do të jetë i pushtuar nga ushtritë e popujt  do të ikin  e do të kenë frikë, pikërisht atëhere “ngrejuni në këmbë e lartojeni kokën, sepse çlirimi juaj është fare pranë!”.

Larg logjikës së urrejtjes!

Mos iu nënshtroni logjikës së urrejtjes e të hakmarrjes, po rrini me sytë drejtuar nga Zoti i dashurisë, që ju bën thirrje të jeni vëllezër – kjo porosia gjithnjë aktuale e Krishtit, që Papa ua kujtoi birmanëve të pranishëm në Meshë.

Aspekti i dytë: ruajeni unitetin

Aspekti i dytë për t’u pasur parasysh: ruajeni unitetin! Jezusi i lutet Atit t’i ruajë të vetët në unitet. Që të jenë një gjë e vetme, një familje, ku mbretërojnë dashuria e  vëllazërimi. Ai e njeh mirë zemrën e dishepujve të Tij. Nganjëherë i kishte parë duke diskutuar se cili do të ishte më i madh e kush do të komandonte. Kjo është sëmundje vdekjeprurëse: përçarja. E provojmë në zemrën tonë, sepse shpesh jemi të ndarë edhe brenda vetvetes; e provojmë në familje, në bashkësi, ndërmjet popujve e deri në Kishë.

Të shumta janë mëkatet kundër unitetit: inatet, zilitë, kërkimi i interesave personale, në vend të së mirës së përbashkët, gjykimet kundër të tjerëve.  E pikërisht këto konflikte - kujtoi Papa, duke iu drejtuar birmanëve të pranishëm në Meshë - që vërehen  ndërmjet nesh, pasqyrohen, më pas, në konfliktet e mëdha, si ky që po jetohet këto ditë në vendin tuaj:

“Kur interesat e pjesshme, etja për fitime e pushtet marrin të përpjetën,  shpërthejnë gjithnjë ndeshjet e përçarjet. Porosia e fundit që  jep Jezusi para Pashkëve të Tij, është uniteti! Bashkimi! Sepse përçarja vjen nga djalli, që është përçarës”.

Të jemi një gjë e vetme!

“Jemi të thirrur ta ruajmë unitetin, ta marrim seriozisht këtë lutje të Jezusit për të qenë një gjë e vetme, për të formuar një familje, për të pasur guximin t’i jetojmë lidhjet e miqësisë, të dashurisë, të vëllazërisë!”.

E sa nevojë ka sot bota për vëllazërim - kujtoi  thellësisht i prekur Papa - që e vijoi homelinë duke kujtuar se disa situata politike e shoqërore janë më të mëdha se njerëzit e zakonshëm, e se…

“… angazhimi për paqen e vëllazërimin lindin gjithnjë nga poshtë: secili në vogëlsinë e tij, mund ta bëjë pjesën e vet. Mund të jetë ndërtues i vëllazërimit, mund të punojë për të rindërtuar çka u shemb, në vend që të ushqejë dhunën. Jemi të thirrur ta bëjmë këtë edhe si Kishë; të promovojmë dialogun, respektin për tjetrin, ta ruajmë vëllain e me të, edhe bashkimin!”.

Ta ruajmë të vërtetën

Së fundi - Papa kërkoi të ruhet e vërteta, ashtu si e ruajtën dishepujt e Krishtit:

“Ta ruash të vërtetën, nuk do të thotë të mbrosh idetë vetjake, të bëhesh guardian i një sistemi doktrinash e dogmash, por të rrish gjithnjë i lidhur me Krishtin e t’i kushtohesh plotësisht Ungjillit të Tij”.

Për këtë e pati lutur Krishti Atin: që dishepujt e tij të mos joshen nga idhujt, po ta ruajnë miqësinë me Të: që të mos e përkulin Ungjillin para logjikave njerëzore e para mendësisë së botës, por ta ruajnë të pacënuar mesazhin e tij:

“Ta ruash të vërtetën, do të thotë  të jesh profet në të gjitha situatat e jetës,  domethënë t’i kushtohesh Ungjillit e të bëhesh dëshmitar i Tij edhe kur  duhet ta paguash shtrenjt qëndrimin tënd kundër rrymës”.

Nganjëherë - kujtoi në përfundim Papa - edhe ne, të krishterët kërkojmë kompromise:

“Por Ungjilli kërkon të jesh në të vërtetën e për të vërtetën, duke dhënë edhe jetën për të tjerët. E atje ku ka luftë e dhunë e urrejtje, të jesh besnik ndaj Ungjillit e artizan i paqes do të thotë të angazhohesh, duke rrezikuar edhe jetën”.

16 maj 2021, 12:17