Nga Pompei, drejt Zojës lartohet lutja për fundin e pandemisë

Sot, në mesditë, iu lartua Zojës së Rruzares në Pompei, lutja korale e mbarë njerëzimit.

R.SH. - Vatikan

Pas kremtimit me porta të mbyllura, vitin e kaluar, për shkak të pandemisë, sot në Pompei besimtarët marrin pjesë, në Shenjtëroren e Zojës Rruzare, në Lutjen drejtuar Zojës, që kremtohet solemnisht më 8 maj si dhe të dielën e parë të tetorit. Në treme, duke respektuar normat kundër-Covid e  sipas protokolleve të Konferencës ipeshkvnore, së bashku me kryeipeshkvin prelat të Pompeit, imzot Tommaso Caputo, ia drejtoi lutjen Zojës së Bekuar edhe imzot Semeraro, prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Çështjet e  Shenjtorëve. Kujtojmë se të mërkurën e kaluar, gjatë audiencës së përgjithshme, edhe Papa Françesku i ftoi besimtarët të bashkohen shpirtërisht në Lutjen drejtuar Zojës Rruzare, në Shenjtëroren e Pompeit.

Papa Françesku kujtoi edhe se “tradita popullore ia kushton muajin e majit Zojës” dhe i nxiti të gjithë ta thonë Rruzaren “të udhëhequr nga shenjtëroret e përhapura nëpër botë”, një maratonë me 30 ditë lutjesh, transmetuar drejtpërdrejt, në orën 18.00, në Vatican News “për t’i dhënë fund pandemisë e për rifillimin e punës së lënë përgjysëm. Shenjtorja e Pompeit do t’i prijë lutjes  më 30 maj. Më poshtë, lutja drejtuar Zojës, për t’u thënë së bashku:

 Lutja Zojës së Pompeit

“Virgjër e Rruzares Shenjte, Nënë e Shëlbuesit, grua e tokës sonë e lartuar mbi qiejt e lartë, shërbëtore e përvuajtur e Zotit, shpallur Mbretëreshë e botës, nga thellësia e mjerimeve tona ne ngarendim kah ti e, me besimin e bijve, sytë tanë ngulen mbi fytyrën tënde ëmbëlsiplote.

E kurorëzuar me dymbëdhjetë yje, ti na çon tek misteri i Atit, ti shndrit me dritën e Shpirtit Shenjt, ti na dhuron Foshnjën tënde hyjnore, Jezusin, shpresën tonë, të vetmin shpëtimtar të botës. Me Rruzaren tënde, ti na fton t’ia ngulim sytë fytyrës së Tij. Ti na e hap zemrën e Tij, hon i pafundmë gëzimi e dhimbjeje, drite e lumnie, mister i Birit tënd, që u bë njeri për ne. Tek këmbët tuaja, në gjurmë të Shenjtorëve, ne ndjehemi familje e Zotit.

Nënë e model i Kishës, ti je prijëse dhe ndihmëse e sigurt. Na bëj një zemër të vetme  e një shpirt të vetëm, popull të fortë për udhë drejt atdheut të qiellit. I lëshojmë në dorë tënde mjerimet tona, udhët pa fund të urrejtjes e të gjakut, mijëra varfëritë e lashta e të reja e, sidomos, mëkatin tonë. Në duart tuaja e lëshojmë gjithë vetveten: Nënë e mëshirës, na nxirr nga Zoti hirin e faljes, ndihmona të ndërtojmë një botë sipas zemrës sate.

O Rruzare e bekuar e Marisë, vargua i ëmbël, që na lidh me Hyjin, vargua  dashurie, që na bën vëllezër, ne nuk të lëmë kurrë më. Në duart tona do të jetë arma e paqes dhe e faljes, yll i udhëve tona. E puthja jote, në frymën e fundit, do të na mbështjellë me një valë drite, me vegimin e Nënës së dashur nga Biri hyjnor, etje e gëzim i zemrës sonë, me Atin e Shpirtin Shenjt”.

08 maj 2021, 15:02