Kërko

2021.05.26 Udienza Generale 2021.05.26 Udienza Generale 

Papa Françesku: Zoti e dëgjon lutjen e zemrës së përvujtë e durimtare

Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa foli për njeriun që “nuk lutet më”, mbasi i duket se Zoti nuk po e dëgjon”. Kujtoi se edhe në Ungjill shumë lutjeve Zoti nuk u përgjigjet menjëherë, por më vonë. “E keqja është zonjë e ditës së parafundit, sepse dita e fundme ‘i përket Zotit’”.

R. SH. - Vatikan

Nëse Zoti është Atë “pse nuk e dëgjon” lutjen e një nëne për të birin e sëmurë? Ose zërat, që i luten në kor “për pushimin e luftës?”. Nga këto pyetje u nis katekizmi i Papës Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur  përsëri në  Oborrin e Shën Damasit e kushtuar lutjes së krishterë. Duke ecur në gjurmët e katekizmit të Kishës Katolike, Papa vuri në qendër të vëmendjes “dyshimin për vlerën e lutjes”, pasojë e vërejtjes së  zakonshme: “Ne lutemi, kërkojmë, por nganjëherë duket se lutjet tona  nuk i dëgjon askush”.

Jezusi i lutet Zoti të bëjë vullnetin e Tij

Pas këtij dyshimi njerëzor mbi rolin e lutjes, Papa kujtoi menjëherë “Atynën” dhe lutjet e tjera, që i lexojmë duke shfletuar Ungjijtë. Vërejmë menjëherë se Jezusi, në lutjet që i drejton Atit, nuk kërkon të realizohen planet vetjake, por të bëhet vullnesa e Atit  për botën mbarë”. E pastaj, gjithnjë në lutjet e Jezusit drejtuar Atit, që i lexojmë në Ungjijtë, vërejmë edhe se nganjëherë përgjigjja për dramat personale “nuk është e menjëhershme”, “por e mëvonshme”.

Nëse shkaku, që na nxiti të lutemi - kujtoi Françesku  - ishte fisnik, siç mund të jetë ndërmjetësimi  për shëndetin e një të sëmuri,  a për fundin e luftës, heshtja e Zotit “mund të na duhet shkandulluese”. Prandaj Katekizmi, në numrin 2734, na kujton se “disa arrijnë deri aty sa, meqë lutja nuk iu dëgjua, heqin dorë fare prej saj. Nuk luten më! Me  mendimin se është kot të lutesh, kur askush nuk ta vë veshin! E nisim e mendojmë “Nëse Ai  na siguroi se do t’i japë sende të mira fëmijëve, që ia kërkojnë, pse nuk i përgjigjet kërkesave tona? A nuk jemi, vallë edhe ne bijtë e Tij?”.

Kur pretendojmë se Zoti duhet  të na shërbejë

Katekizmi - shpjegoi Françesku - na tërheq vëmendjen të ruhemi nga rreziku, që na shtyn të mos e jetojmë si duhet përvojën e fesë, por ta shndërrojmë lidhjen me Zotin në diçka magjike:

“Kur lutemi, mund të rrezikohemi të mendojmë se nuk  jemi ne, ata që duhet t’i shërbejnë Zotit, por Ai, që duhet të na shërbejë ne. Vjen, atëhere, pas, një lutje që vetëm kërkon, që dëshiron realizimin e ngjarjeve sipas planeve të veta, që nuk pranon plane të tjera, veç atyre që ia plotësojnë dëshirat”.

Shën Pali: nganjëherë nuk  e dimë as çka kërkojmë

Prandaj Jezusi na vë në buzë “Atynën”, lutje në të cilën s’bëjmë tjetër, veçse  të kërkojmë - kujtoi Papa - por kërkesat e para, që shqiptojmë, janë të gjitha nga ana e Zotit”.  Kërkojmë të mos realizohet plani ynë, por i Tij për mbarë botën – “si në qiell ashtu në dhe”. Sepse është më mirë ta lëmë Atë të veprojë, jo vetveten: “U bëftë vullneti yt”. Shën Pali Apostull, në Letrën drejtuar Romakëve, na kujton se shpesh nuk dimë as çka është  më e përshtatshme të kërkojmë:

“Kur lutemi, duhet të jemi të përvujtë, sepse fjalët tona janë lutje, jo fjalë boshe, të cilat Zoti nuk i pranon. Mund të lutemi edhe për gjëra të gabuara, për shembull, për shpartallimin e armikut në luftë, pa na shkuar as nëpër mend çka mendon Zoti për atë luftë”.

Shkandulli i lutjes së sinqertë, që duket sikur nuk dëgjohet

Në të vërtetë  ndërmjet atyre që shkruajnë  “Zoti është me ne” - vijoi Papa Françesku - pak shqetësohen të vërtetojnë nëse ata janë me Zotin. Në lutje, është Zoti ai që duhet të na kthejë ne në rrugën e tij, nuk jemi ne që duhet ta kthejmë Zotin në rrugët tona. Por - nënvizoi më tej Papa - “mbetet ende një shkandull”: kur njerëzit luten me  zemër të sinqertë, kur kërkojnë të mira, që përkojnë me Mbretërinë e Zotit, kur nëna lutet për të birin e sëmurë, pse nganjëherë duket sikur Zoti nuk dëgjon? E këtu Papa ftoi për të medituar Ungjijtë, që janë përplot me lutje:

“Shumë njerëz të plagosur në trup e në shpirt kërkojnë të shërohen; dikush lutet për një mik, që nuk mund të ecë më; ka baballarë e nëna që  çojnë para Tij bijtë e bijat e sëmura… Janë të gjitha lutje të ngarkuara me vuajtje, me lot. Një kor vigan, që lutet: ‘Ki mëshirë për ne, o Zot!’”.

Kur përgjigjja nuk është e menjëhershme, por më pas arrin

Nganjëherë - sqaroi Papa - përgjigjja e Jezusit është e menjëhershme, ndërsa herë të tjera, vjen më vonë. E kujtoi, më pas, gruan kananease “që i lutet Jezusit për të bijën e i duhet të këmbëngulë shumë, që t’i dëgjohet lutja”. E edhe  paralitikun, që e sjellin para Tij ca miq:

“Fillimisht Jezusi ia fal mëkatet e, më pas, ia shëron edhe trupin. Kështu, pra, nganjëherë zgjidhja e dramës nuk është e menjëhershme. Shembull për këtë është shërimi i së bijës së Jerikut, rrëfyer në Ungjillin e Shën Markut, në një nga fragmentet e lexuara në fillim të audiencës”.

 Ungjilli  flet për një atë, që i kërkon Jezusit ndihmë për të bijën në fill të mordes. Mësuesi pranon menjëherë, por ndërsa nisen drejt shtëpisë, ndodh një shërim tjetër, e pas tij, arrin lajmi i përmortshëm se vajza kishte ndërruar jetë. Duket sikur gjithçka ka përfunduar. Por pikërisht në atë ças tejet të hidhur, pa shpëtim, Jezusi i thotë të atit: “Mos ki frikë, ki vetëm fe!”:

“Ai vijon të ketë fe: është feja, që e mbështet lutjen. E Jezusi e rizgjon vajzën nga gjumi i vdekjes. Por për një farë kohe Jairit iu desh të ecte në luginën e errët të mortjes, i ndriçuar nga një flakëz e vetme: feja”.

E Keqja është zonjë e ditës së parafundit, jo e së të fundmes

Edhe lutja, që Jezusi ia drejton Atit në Gjetseman, duket sikur mbetet e padëgjuar - përfundoi Françesku - sepse Birit “i duhet ta pijë me fund kelkun e mundimeve”. Por e Shtuna e Madhe nuk është kapitulli përfundimtar, sepse në të tretën ditë vjen ngjallja; e Keqja është zonjë e ditës së parafundit, kurrë e së fundmes!”. Dita e fundit i përket vetëm Zotit, “e është dita kur do të plotësohen të gjitha dëshirat njerëzore të shëlbimit”. 

26 maj 2021, 12:13

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >