Françesku: Trinia, mister i vështirë për t’u kuptuar, harmoni e qenësishme për t’u jetuar

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa reflektoi për solemnitetin e sotëm liturgjik: Zoti është bashkim e ky unitet “është themelor për të krishterin: nuk është sjellje”, por lind nga “mëshira e Zotit” e nga prania e Shpirtit Shenjt ndër zemra.

R. SH. - Vatikan

“E Shenjtnueshmja Trini është misteri i një Zoti të vetëm. E ky Zot është në Tri Vetje: Ati, Biri e Shpirti Shenjt, tri Vetje. Ati është Zot, Biri është Zot, Shpirti Shenjt është Zot. Po nuk janë tre zota: është një Zot i vetëm e Tri Vetje. Është misteri, që na e zbuloi Krishti: Shenjtja Trini. Sot e kremtojmë këtë mister, që na kujton se është Ati, të cilit unë i lutem me Atynën, është Shpirti Shenjt, që banon në ne e në Kishë. E i flet zemrës sonë”.

Me këtë reflektim e nisi sot lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa, nga dritarja mbi Sheshin e Shën Pjetrit, i ndjekur nga një turmë, që bëhet gjithnjë më e shumënumërt. I priu, kështu, tekstit të përgatitur, me këtë shpjegim të lirshëm, kushtuar realitetit që kremton sot Kisha:

“Sot kremtojmë të Shenjtnueshmen Trini, misterin e një Zoti të vetëm në Tri Vetje: Ati e Biri e Shpirti Shenjt. Mister i pafundmë, që i kapërcen kufijtë e mendjes sonë, por që i flet  zemrës sonë. E rigjejmë në shprehjen e Shën Gjonit Ungjilltar, që përmbledh gjithë Zbulesën: “Zoti është dashuri”(1 Gjn 4,8.16).

E  me që është dashuri, Zoti, një i vetëm në tri Vetje, nuk është vetmi, por bashkim. Pas këtij pohimi, Papa vijoi të shpjegojë kuptimin më të thellë të fjalës dashuri. Dashuria - vijoi - është  qenësisht dhuratë e vetvetes, e në realitetin e pafundmë të zanafillës, është Ati që dhurohet, duke lindur Birin i cili, nga ana e Tij, i dhurohet Atit e dashuria e tyre e anasjelltë është Shpirti Shenjt, lidhje e unitetit të tyre.

Misterin e Trinisë na e zbuloi vetë Krishti

Këtë mister të Trinisë na e zbuloi vetë Krishti - kujtoi Papa:

“Ai na bëri  ta njohim fytyrën e Zotit si Atë i mëshirshëm; na paraqiti vetveten, njeri i vërtetë, si Bir i Zotit e Fjalë e Atit: na foli për Shpirtin Shenjt, që rrjedh prej Atit e Birit. Shpirt i së vërtetës, Shpirt Paraklit, domethënë Ngushëlluesi e Avokati ynë. E kur iu duk Apostujve, pas ngjalljes, Jezusi i nisi për t’i ungjillëzuar “gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt” (Mt 28-19).

Prej këndej, Papa shpjegoi edhe misionin e Kishës: mision, që u besohet gjithë dishepujve të Krishtit,  që çdo burrë e çdo grua  të mund të “kridhet” në dashurinë e Zotit e të mund të marrë, kështu, dhuratën e jetës së pasosur

Festa e sotme, kundrim i misterit të mrekullueshëm të dashurisë

Festa e sotme - shpjegoi Papa - na bën të kundrojmë këtë mister të mrekullueshëm të dashurisë e të dritës, prej nga vijmë - e drejt së cilës drejtohet shtegtimi ynë tokësor. Njëkohësisht na bën ta forcojmë bashkimin tonë me Zotin e me vëllezërit, duke shuar, kështu, etjen  në burimin e Bashkimit Trinitar.

Lutja e madhe e Krishtit

Të mendojmë për lutjen e madhe, që Jezusi i lartoi Atit menjëherë para Mundimeve të tij. Në përfundim të kësaj lutjeje - shpjegoi Ati i Shenjtë në Engjëllin e Tënzot - si testament shpirtëror, në zemrën e Jezusit gurron  lutja që shpreh  vullnetin e Atit. Këtë theksoi Françesku, duke  i ftuar besimtarët t’ua vënë mirë veshin  fjalëve të Jezusit, që i ridëgjojmë përmes leximit të Ungjillit të Shën Gjonit:

“Që të gjithë të jenë një gjë e vetme; si ti, o Atë, je në mua e unë në ty, të jenë edhe ata në ne, që  të besojnë se ti më dërgove”.

Pa unitet nuk mund të ketë mision

Në kumtimin e Ungjillit e në çdo formë të misionit të krishterë, nuk mund të mos merret parasysh  ky unitet, që na e kujton Jezusi; bukuria e Ungjillit  kërkon të jetohet e të dëshmohet në harmoni ndërmjet nesh, që jemi kaq të ndryshëm.

Kaq të ndryshëm, e megjithatë, duhen kaq fort

Për dishepujt e Krishtit - na kujtoi edhe një herë të gjithëve Papa në lutjen e sotme  të Engjëllit - duhet të thuhet:

“Janë kaq të ndryshëm,  e megjithatë, duhen fort. E jo vetëm me njëri-tjetrin, por me të gjithë, posaçërisht me njerëzit që i takojnë si ‘të huaj’ gjatë rrugës, i takojnë të plagosur, të harruar nga bota, të padijshëm, të përbuzur”.

Shenjë e gjallë e Zotit Trini është dashuria e anasjelltë e për të gjithë; aftësia për të ndarë bashkë gëzime e helme, për të mos  bërë shpërdorime mbi kurrizin e të tjerëve, por për të punuar me të tjerët; guximi e përvujtëria për të kërkuar e për të dhuruar faljen; vlerësimi i karizmave të ndryshme, që shpërndan Shpirti Shenjt për përforcimin e përbashkët:

“Kështu  rriten bashkësitë kishtare, që ungjillëzojnë jo aq me fjalë, sa me forcën e dashurisë së Zotit, që banon në ne, përmes dhuratës së Shpirtit Shenjt”.

E në përfundim të lutjes, si zakonisht, Papa i drejtoi sytë e zemrën nga Maria,  që në thjshtësinë saj, pasqyron bukurinë e Zotit, një i vetëm në Tri Vetje, sepse  e pranoi ploltësisht Jezusin në jetën e saj:

“Ajo - u lut në përfundim Papa- e mbështetët fenë tonë: na bëftë adhurues  të Zotit e shërbëtorë të vëllezërve!”.

30 maj 2021, 14:51