Kërko

Françesku: për të krishterin nuk ka dallim ndërmjet veprimit e lutjes

Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa foli për lutjen kundruese, të cilën e quajti “frymëmarrje” e marrëdhënies së njeriut me Zotin: Ungjilli bën një thirrje të fuqishme, të vetme. Thirrjen për ta ndjekur Jezusin në rrugën e dashurisë. “Dashuria dhe kundrimi janë sinonime”.

R. SH. - Vatikan

Audienca e sotme e përgjithshme u hap me leximin e Psalmit 8,2,4-6.10, përmes të cilit besimtari i drejtohet Zoti me fjalët: “O Zot, Hyu ynë,/sa i madh është emri yt mbi tanë tokën…/ Kur unë  kundroj qiellin, vepër e duarve tua, kur sodis hënë e yje, që ti i ngule në qiell,/ mendoj: “Njeriu çka është, që ty në mend të bjerë? /e i biri i njeriut, që ti ta kesh në kujdes?/ Ti, pra, e ke krijuar gati si të ishte engjëll,/ me nder e lumni e kurorëzove/  Pushtet i dhe mbi vepra të duarve tua,/ gjithçka atij ia vure për nën këmbë”.

Është një himn drejtuar Zotit, që lind nga kundrimi i veprave të Tij.

Kundrimi varet nga zemra

Përmasa kundruese e qenies njerëzore - pohoi Papa Françesku në fillim të katekizmit - “i ngjan paksa ‘kripës’ së jetës: i jep shije, i fal kënaqësi ditëve tona”. E mund të kundrosh duke soditur diellin, duke dëgjuar një muzikë të këndshme, duke lexuar një libër të bukur, duke qëndruar para ndonjë vepre të shquar arti a, akoma, para asaj kryevepre, që është fytyra njerëzore”. Të kundrosh - vijoi të pohojë poetikisht Françesku - “është një mënyrë  e të qenit, por të jesh kundrues nuk varet vetëm nga sytë. Sytë mund të shikojnë e të mos shohin. Sepse kundrimi varet kryesisht nga zemra”:

“E këtu hyn në lojë lutja, si akt feje e dashurie, si ‘frymëmarrje’ e marrëdhënies sonë me Zotin. Lutja e pastron zemrën e, me të, sqaron edhe shikimin, duke e ndihmuar njeriun ta shikojë realitetin nga një këndvështrim tjetër. Katekizmi e përshkruan këtë shndërrim të zemrës, që nis nga lutja, duke cituar  një nga dëshmitë e famshme të Famullitarit të Arsit: ‘Kundrimi është shikim i fesë, i ngulitur mbi Jezusin. ‘Unë e shikoj, e Ai më shikon’  i thoshte famullitarit të tij shenjt fshatari i Arsit, në lutje para tabernakullit[…]. Gjithçka lind prej aty: prej një zemre, që e ndjen se dikush po e shikon me dashuri. Atëhere realiteti kundrohet me sy të tjerë”

Drita e dashurisë së Atit   

Në kundrimin përplot me dashuri - vijoi Papa - mjafton vetëm një shikim, “mjafton të jemi të bindur se jeta jonë rrethohet me dashuri të madhe e besnike, nga e cila s’ka gjë në botë që mund të na ndajë”. Kështu i ndodhte edhe Jezusit, e fshehta  e të cilit, në çastet më të vështira  të jetës tokësore, ishte “marrëdhënia me Atin qiellor”. Françesku kujtoi edhe episodin  Shndërrimit,  që Ungjijtë e tregojnë pikërisht në çastin kritik të misionit të Krishtit, “kur rreth tij vlojnë kundërshtimet e mohimi”, deri nga ana e dishepujve. “Pikërisht në këtë çast, në të cilin Krishti mbetet krejtësisht i pakuptuar - vërejti Papa - pikërisht kur dukej se do ta humbiste durimin, i thithur nga vorbulla e keqkptimeve - pikërisht atëhere e aty - kujtoi -  “shkëlqen drita hyjnore”, drita e dashurisë së Atit.

Në Ungjill, kundrimi e veprimi nuk i kundërvihen njëri-tjetrit

Papa Françesku e vijoi reflektimin, duke kujtuar se pati edhe mësues të përshpirtërisë, që ia kundërvunë  kundrimin veprimit, duke i lavdëruar ata që ikin nga bota, për t’iu kushtuar vetëm lutjes. Por - sqaroi në vijim Ati i Shenjtë - “ky është dualizëm, që nuk i përket  mesazhit të krishterë”. Prej këndej, shpjegoi:

“Eshtë një thirrje e vetme, e madhe, një thirrje e madhe në Ungjill. E kjo thirrje është të ndjekësh Krishtin në udhën e dashurisë. Kjo është maja, është qendra e gjithçkaje. Në këtë kuptim, dashuria e krishterë e kundrimi janë sinonime, thonë një gjë të vetme. Sipas Shën Gjonit të Kryqit, një  akt sado i vogël  dashurie është më i nevojshëm në Kishë, sesa të gjitha veprat e  tjera marrë së bashku. Çka lind nga lutja e jo nga  fodullëku ynë, çka pastrohet nga përvujtëria, edhe pse është akt dashurie të heshtur, mbetet mrekullia më e madhe që mund të bëjë i krishteri. E kjo është udha e lutjes së kundrimit: unë e shikoj, Ai më shikon e aty ësht akti i dashurisë, në dialogun e heshtur me Jezusin, që i bën aq mirë Kishës”.

Besimtarëve: mos e harroni Rruzaren!

Para se t’u drejtonte përshëndetjen e fundit besimtarëve në gjuhë të ndryshme, në përfundim të audiencës, Papa Françesku u drejtoi të gjithëve  ftesën lidhur me muajin marian, që po jetojmë: "Mos e harroni Rruzaren"!".

05 maj 2021, 12:17

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >