Kërko

2020.12.24 Libano, Beirut 2020.12.24 Libano, Beirut 

Papa Françesku lutet për paqen në Liban: më 1 korrik, takimi në Vatikan

Një ardhmëri më e qetë për vendin e Kedrave, që jeton në një situatë shqetësuese: e kërkoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, ndërsa dha njoftimin edhe për datën e takimit me përfaqësuesit e krishterë. Kujtoi edhe tri infermieret e lumnuara dje, në Spanjë, të sëmurët nga Skleroza e shumëfishtë e Kolumbinë.

R. SH. - Vatikan

Nga dritarja e Engjëllit arrin një njoftim i rëndësishëm: më 1 korrik, në Vatikan, Papa Françesku do të takohet me përfaqësuesit e bashkësisë së krishterë të Libanit për t’u lutur së bashku për paqe e stabilitet. Kohët e fundit vendi i Kedrave po zë faqet e para në mediat ndërkombëtare, për shkak të krizës së rëndë ekonomike-financiare, shkaktuar edhe nga pandemia, që pothuajse prej dy vjetësh i ka gjunjëzuar këto troje tejet të lashta e mozaik fesh. Por nuk është vetëm kjo, që e shqetëson Papën. Përgatitja e takimit ka në sfond situatën e ndërlikuar në Liban, me ndikim  edhe mbi konfliktin izraelito-palestinez, siç e dëshmon qartë flakja e raketave, pak ditë më parë, nga zona e Rashaya al Fuqar, drejt  Izraelit. Klasa politike libaneze nuk e ka aspak të lehtë t’i kapërcejë vështirësitë  që duken të pakapërcyeshme e që frenojnë prej disa muajsh formimin e qeverisë së re, të domosdoshme, sepse përndryshe Beiruti nuk mund t’i  marrë ndihmat ndërkombëtare, që i duhen popullsisë për të shpëtuar nga uria, nga varfëria e nga sëmundjet:

“Më 1 korrikun e ardhshëm do të takohem, në Vatikan, me drejtuesit kryesorë të bashkësisë së krishterë, të pranishëm në Liban, për një Ditë reflektimi mbi situatën shqetësuese të vendit e për t’u lutur së bashku për dhuratën e paqes e të stabilitetit. Ia besoj këtë ndjet ndërmjetësimit të Nënës së Zotit, tejet e nderuar në Shenjtëroren e Harissës, e qysh në këtë çast ju kërkoj ta shoqëroni përgatitjen e kësaj ngjarjeje me lutje solidare, duke kërkuar për këtë vend të dashur një ardhmëri më të qetë”.

Fjalët e Papës u pasuan nga duatrokitjet e Sheshit, që sot të kujtonte menjëherë rikthimin e kohëve të para pandemisë, me flamujtë e duartrokitjet, që e bënë të ushtojë Sheshin, si përgjigje për kërkesën e Papës, e posaçërisht pasi kujtoi lumnimin e djeshëm, në Astroga të Spanjës, të tri infermiereve: María del Pilar Gullón y Turriaga; Olga Pérez-Monteserín Núñez, dhe Octavia Iglesias Blanco:

“Këto tri gra laike, guximtare, duke i përngjarë Samaritanit të Mirë, iu kushtuan mjekimit të plagëve të luftës, pa u trembur në çastin e rrezikut: rrezikuan, e u vranë nga urrjetja për fenë. Ta lavdërojmë Zotin për dëshminë e tyre ungjillore. Një duartrokitje për të Lumet e reja!”.

Së fundi Papa kujtoi  të sëmurët nga skleroza  e shumëfishtë si dhe nismat në ndihmë të tyre. E kërkoi përsëri lutje për Kolumbinë.

30 maj 2021, 14:57

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >