Shpërthimet e bombave në Kabul të Afganistanit Shpërthimet e bombave në Kabul të Afganistanit 

Dhimbja e Papës për “sulmin çnjerëzor” kundër nxënseve të Afganistanit

Papa dënon atentatin kundër vajzave të Kabulit, të masakruara nga tre shpërthime, të planifikuara për të shkaktuar sa më shumë viktima. Ndërsa rikthehet dhuna kundër grave e kundër arsimimit të tyre në Afganistan, Papa lutet për secilën prej vajzave e edhe për familjet.

R. SH. - Vatikan

“Të lutemi për viktimat e atentatit terrorist, që ndodhi dje, në Kabul” - kjo, ftesa e Papës, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore. Ati i Shenjtë foli për një “aksion çnjerëzor”, duke kujtuar se dje, një numër i madh vajzash u vranë mizorisht, ndërsa po dilnin nga shkolla. Siguroi afërsinë e tij dhe ftoi:

“Të lutemi për secilën prej tyre e për familjet e tyre. Zoti i dhuroftë paqen Afganistanit!”.

Janë të paktën 50, njerëzit që humbën jetën gjatë shpërthimit në një shkollë femërore, në zonën perëndimore të Kabulit. Zëdhënësi i ministrisë së brendshme saktëson se shpërthyen tri bomba. Pas shpërthimit të së parës, nxënëset, të tmerruara, dolën me rrumujë në oborrin e shkollës, ku i priste shpërthimi i dy bombave të tjera, që shkaktuan shumicën e viktimave. Marsin e kaluar u vranë tri gazetare, vetëm e vetëm pse ishin gra! Ekstremistët nuk mund ta  durojnë që gratë të bëjnë punën e gazetares.

Deri tani asnjë grup nuk e ka pranuar autorësinë e këtij krimi të shëmtuar, që tregon edhe një herë se fanatikët afganas do të dëshironin t’i mbanin përjetësisht gratë në gjendje skllavi.

09 maj 2021, 13:33