Papa Piu XII Papa Piu XII

Piu XII dhe ideja e botës perëndimore

Duhet ristudiuar kontributi, që kanë dhënë vitet e papnisë së Piut XII, që kaloi nëpër Luftën II Botërore, për të arritur në një interpretim të veçantë të realitetit ndërkombëtar shoqëroro-politik dhe të konceptit të demokracisë. Për këtë lindi projekti “Occidentes”, në të cilin përfshihen katër universitete, siç rrëfejnë historianët don Roberto Regoli i Universitetit Gregorian dhe Paolo Valvo i Universitetit Katolik në Itali

R.SH. - Vatikan

Nuk është e lehtë të flasësh sot për Perëndimin, pa rënë në formulime të stereotipuara, të thjeshtëzuara, retorike, ose ideologjike. Për ta bërë këtë, nevojitet një historizim i konceptit të Perëndimit. Gjithçka ka të bëjë me dramën e shekullit të kaluar: me konfliktin botëror e më pas, me botën e ndarë nga Perdja e Hekurt, që çoi në krijimin e “dy Evropave”, në Evropën Perëndimore nën ombrellën e SHBA-ve, në kuadrin e së cilës filloi procesi i integrimit evropian, si dhe në Evropën Lindore të hegjemonizuar nga Bashkimi Sovjetik.

Kisha, që i ka rezistuar mendimit homologues

Gjatë papnisë së Piut XII, nga viti 1939 deri më 1958, ndërmjet shumë këndvështrimeve homologuese, Kisha Katolike ruajti qëndrimin e saj, ndryshe nga të tjerët, duke siguruar një pluralitet të konsiderueshëm qasjesh, si në Evropë, ashtu edhe në Amerikë e, duke ndihmuar kështu, të mbahej gjallë dialektika ndërmjet ideve dhe modeleve të ndryshme të “Perëndimit”. Biseduam për këtë me don Roberto Regolin, drejtor i Departamentit të Historisë së Kishave në Universitetin Gregorian të Romës.

Dëgjo don Roberto Regolin, në italisht...

 Historiani na shpjegon se ideja e Perëndimit, jo e ndryshme nga ideja e Evropës (pasi pjesërisht, kanë përshkuar të njëjtën trajektore), që nga kohërat e lashta, ka qenë objekt interpretimesh, të cilat janë përpjekur të përcaktojnë shtrirjen dhe kufijtë e saj sa në planin territorial, aq edhe në atë kulturor, në një ndërlikim në rritje, sidomos, duke filluar nga zbulimi i Botës së Re amerikane.

Nëse në fillim të shekullit XX, përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i konceptit “Perëndim” shërbente për të nënvizuar kalimin e udhëheqjes morale botërore nga Evropa në SHBA-të, pas Luftës II Botërore, proceset e ndërlidhjes ekonomike, politike, kulturore dhe shoqërore, që karakterizuan të ashtuquajturën “botë perëndimore” kontribuan në plazmimin e një ideje të Perëndimit si një entitet organik, i frymëzuar nga të njëjtat vlera themelore (si forma demokratike e shtetit dhe modeli kapitalist i zhvillimit ekonomik), duke ushqyer një imagjinar kolektiv, që u përforcua gjatë dekadave të Luftës së Ftohtë.

Po në ato vite, duhet përmendur lindja e Shtetit të Izraelit në vitin 1948, që ripërcaktoi edhe një herë kufijtë territorialë të Perëndimit, duke krijuar një pararojë me vlerë të madhe simbolike në një nga burimet historike dhe ideale të kulturës evropiane, në Jeruzalem. Një ngjarje jo pa tensione për bashkësitë e krishtera të pranishme prej mijëvjeçarësh në Lindjen e Mesme, që na ndihmon të kuptojmë se Perëndimi nuk është koncept territorial.

Veçantia e botës katolike

Don Regoli kujton këmbënguljen për një ide demokracie thelbësore dhe pjesëmarrëse, e cila filloi të karakterizojë reflektimin dhe veprimin e botës katolike që nga Papa Piu XII, pas të cilit mund të flitet për përvoja të ndryshme “demokracish të krishtera”. Në veçanti, ai shpjegon se mund të flitet për një këndvështrim personalist, nga i cili buroi hapja ndaj përmasës së lirisë fetare dhe ndaj të drejtave të njeriut në Koncilin II të Vatikanit.

Nga një këndvështrim tjetër, shton ai, mund të vihet në dukje qëndrimi kritik ndaj sistemit kapitalist, i cili, edhe gjatë papnisë së Piut XII - në vazhdimësi me interpretimin doktrinor të papnive të mëparshme - në disa raste, veçanërisht në Amerikën Latine, çoi në përvijimin e një “udhe të tretë” ndërmjet kapitalizmit dhe kolektivizmit, e destinuar t’ua lëshojë vendin përpjekjeve më realiste për humanizimin e ekonomisë së tregut.

Përveç kësaj, në hemisferën perëndimore, marrëdhëniet me SHBA-të, sidomos me ambiciet globalizuese dhe me rrënjët protestante të kulturës liberale amerikane, përjetohen nga Selia e Shenjtë jo pa çaste tensioni dialektik, pavarësisht se ajo ndan me amerikanët impenjimin e përbashkët kundër përhapjes së komunizmit. Të dyja shtetet e duan për vete rolin e interpretuesit të vërtetë të çështjeve të qytetërimit perëndimor.

Mbivendosjet, që nuk ndihmojnë

 Don Regoli shpjegon se është e pamundur të identifikohen plotësisht tek njëri-tjetri Perëndimi i krishterë me Perëndimin kapitalist e kjo duket qartë në Amerikën Latine, ku ndikimi politik, kulturor e, madje, edhe fetar i SHBA-ve nxit - si reagim nga sektorë të rëndësishëm të katolicizmit lokal – kërkimin e lidhjeve ideale me modele të tjera të qytetërimit perëndimor, të ndryshëm nga ai amerikanoverior. Në Amerikën spanjishtfolëse dhe në Brazil ndihen shumë ndikimet e frankizmit dhe të Estado Novo salazarist.

Nga ana tjetër, në jugun e kontinentit merr formë, pikërisht gjatë viteve të papnisë së Piut XII, një ideal “neo-Bolivarian” për integrimin kontinental, i cili mund të krahasohet me idealet pararendëse të procesit të integrimit evropian. Edhe përgjigjja e Piut XII ndaj sfidave të ndërlikuara baritore dhe shoqërore të rajonit, thekson don Regoli, duket se i shton bashkëpunimit ndërmjet Kishave lokale dhe katolicizmit amerikan një qasje, që synon vlerësimin e veçorive të jugut të kontinentit: shprehje e kësaj është lindja e Këshillit Ipeshkvnor Latinoamerikan (CELAM), i cili u mblodh për herë të parë në Konferencë të përgjithshme në Rio de Zhaneiro, në vitin 1955, si edhe themelimi i Komisionit për Amerikën Latine (1958). Don Regoli kujton se bashkëpunimi i kërkuar vazhdimisht nga Papët, do të bëhej më se aktual në kuadrin e “Alliance for Progress”, filluar në vitin 1961 nga John F. Kennedy.

Veçantitë e regjimeve autoritare të Spanjës e Portugalisë

Në një kuadër ku mbizotëronte kryesisht dinamika e dy poleve, një element i rëndësishëm vazhdimësie me rendin para luftës, përfaqësohej nga regjimet autoritare të Spanjës dhe Portugalisë, siç nënvizon historiani tjetër italian, i impenjuar në projektin “Occidentes”. Ai është Paolo Valvo, studiues i Historisë Bashkëkohore në Universitetin Katolik të Milanos.

Dëgjo Paolo Valvon, në italisht...

Në mikrofonin tonë, Valvo kujton se së paku në ndjetet e tyre, regjimet e Spanjës dhe të Portugalisë vazhdojnë të mishërojnë atë ideal të “shtetit korporativ katolik”, mbi të cilin reflektuan jo pak katolikë perëndimorë në vitet ‘30, përfshirë ata, që pas vitit 1945, u bënë protagonistë të rindërtimit demokratik në vendet e tyre. Natyrisht, shpjegon Valvo, flitet për idealet frymëzuese, pasi në praktikë, këto regjime qenë shtypëse e bota katolike i dënoi në shumicën e rasteve. Por, përsa u përket idealeve, duhen marrë parasysh një sërë aspektesh, për të cilat është i dobishëm shkëmbimi i mendimeve ndërmjet studiuesve. Një objektiv kërkimor historik, që bashkon kështu, impenjimin dhe kompetencat shkencore të katër universiteteve: Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit në Milano, Universitetit Papnor Gregorian në Romë, Universidad de Navarra (Spanjë), Universidade Católica Portuguesa (Portugali). Rezultatet e këtij studimi interesant do të paraqiten përmes seminareve për të gjithë botën ndërkombëtare shkencore e akademike e do të jenë të rëndësishme sidomos për të përvijuar udhën e demokracisë në vendet, që kanë dalë nga regjimet autoritare, si për shembull, Shqipëria.

Hapja e Arkivave të Vatikanit bën të mundur studimin

Valvo kujton se më 2 mars 2020, Arkivat e Vatikanit vunë në dispozicion të studiuesve dokumentet e periudhës së Piut XII, duke u ofruar kështu një mundësi të çmuar atyre, që dëshirojnë të thellohen në mënyrë kritike në idetë e “Perëndimit” dhe të “qytetërimit” që katolicizmi perëndimor - evropian, amerikanoverior e latinoamerikan - ka përcjellë në mënyrë të vetëdijshme ose jo, gjatë gjithë papnisë së Papës Pacelli, në sfera nga më të ndryshmet. Çështja është që njohuritë dhe studimet e kryera nga institucione akademike të njohura në skenën ndërkombëtare të vihen në rrjet, në mënyrë që të hapen udhë hulumtimi origjinale e ndërdisiplinore.

15 prill 2021, 08:49