Shën Tereza e Avilës Shën Tereza e Avilës

Papa: Tereza e Avilës, shembull i rolit të gruas në Kishë e në shoqëri

Mesazhi i Papës Françesku me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së murgeshës spanjolle Doktoreshë e Kishës. Mesazhi dhe mësimi i saj u flasin edhe sot atyre, që janë “të aftë të thyejnë çdo mur, fizik, ekzistencial, ose kulturor”

R.SH. - Vatikan

Ishte gruaja e parë, që u shpall Doktoreshë e Kishës, një titull, i cili i njihte “mësimin e çmuar, që Zoti na transmetoi përmes shkrimeve dhe dëshmisë së jetës së saj”. Kështu shkruan Papa Françesku në letrën për ipeshkvin e Avilës, imzot Gil Tamayo, me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Shën Terezës së Avilës, Doktoreshë e Kishës, nga Shën Pali VI, më 27 shtator 1970. Një përvjetor, që Universiteti Katolik i Avilës, kushtuar mistikes spanjolle, e kremton me një kongres ndërkombëtar të titulluar “Gruaja e jashtëzakonshme”, siç e përcaktoi vetë Papa Montini. Kongresi do të vijojë deri më 15 prill.

Dëshmitare e guximshme, e aftë të shembë mure

 Shenjtja lindi në vitin 1515 dhe vdiq më 1582. Pesë shekuj më vonë, “flaka që ndezi Jezu Krishti në zemrën e Terezës vazhdon të shdrisë në këtë botë, e cila ka gjithnjë nevojë për dëshmitarë të guximshëm, në gjendje të shembin çdo mur, fizik, ekzistencial, ose kulturor”, shkruan Papa, i cili përmend edhe inteligjencën e këmbënguljen e kësaj gruaje, në të cilën bashkoheshin “ndjeshmëria për bukurinë dhe amësia shpirtërore ndaj të gjithë atyre, që i afroheshin punës së saj”. Më pas, e quan shembull të “rolit të jashtëzakonshëm, që gratë kanë luajtur në Kishë dhe në shoqëri gjatë historisë”.

Mesazh për ata, që kërkojnë purifikimin

Shenjtja e Avilës flet edhe sot, falë shkrimeve, që na ka lënë. Mesazhi dhe shembulli i saj janë për të gjithë, vazhdon Papa, “për ata, që ndiejnë thirrjen për jetën rregulltare”, por edhe “për ata, që dëshirojnë të përparojnë në udhën e purifikimit nga çdo gjë e kësaj bote, në udhën që çon në bashkimin me Zotin, në banesat më të larta të kalasë shpirtërore”. “Ta kemi [shenjten] mike, shoqe dhe udhërrëfyese në shtegtimin tonë tokësor, na jep siguri dhe qetësi”, nënvizon Papa, i cili e përfundon letrën, duke kujtuar devocionin e madh të shën Terezës së Avilës për Shën Jozefin dhe me inkurajimin për të vijuar thellimin në mesazhin e në mësimet e saj.

13 prill 2021, 14:09