Papa Francesku  me të rinjtë argjentias në korrik 2013, në  Rio Papa Francesku me të rinjtë argjentias në korrik 2013, në Rio 

Papa të rinjve: Zoti ka etje për ju!

Po botojmë hyrjen e Françeskut, që i paraprin librit «Francesco giullare di Dio. Raccontato ai giovani da frate Pacifico 're dei versi'» (Edizioni Francescane Italiane), shkruar nga kardinali Raniero Cantalamessa, në të cilin rrëfen traditën e fratit me emrin Pacifico, apo Paqësori, artist i rrugës, shëtitës shesheve e këngëtar historish të lashta e të reja e që e ndoqi, më pas, Varfanjakun e Asizit.

R. SH. - Vatikan

Ky libër ‘Francesco giullare di Dio. Raccontato ai giovani da frate Pacifico' u shkrua nga cardinali Cantalamessa për ty, vëllai im i ri në kërkim, e unë dëshiroj t’i prij leximit tënd duke të bërë si dhuratë, fjalë përplot me stimën dhe besimin që e mbështes në ty e në gjithë të rinjtë.

Ndoshta ndonjëherë i ke hapur Ungjijtë dhe e ke dëgjuar çka pati thënë Jezusi në Predikimin e famshëm mbi Mal:  “Lypni, e do t’ju jepet; kërkoni, e do të gjeni; trokisni, e do t’ju çelet!  Sepse, kush lyp, i jepet, kush kërkon gjen, e kush troket, i çelet (Mt 7,7-8). Janë fjalë të forta, të ngarkuara me një  premtim  të madh e kërkues. Por mund edhe të pyesim: “A duhen marrë seriozisht?”. Thua të jetë e vërtetë se po t’i  lyp diçka Zotit, ai do të ma dëgjojë kërkesën time; se po të kërkoj, do të gjej e se po të trokas, do të më hapet? Ti mund të më bësh vërejtjen: “A nuk është e vërtetë se  përvoja shpesh e përgënjeshtron këtë premtim? Se shumë lypin, e nuk marrin; kërkojnë, e nuk gjejnë; trokasin në portat e qiellit, e  pas tyre u përgjigjet vetëm heshtja? Atëherë a mund t’u besohet, apo jo këtyre fjalëve? A nuk janë edhe ato, si shumë të tjera, që dëgjojmë rreth nesh e na mbajnë me shpresa, që më pas bëhen krejt të kota?

I kuptoj dyshimet tuaja e i vlerësoj pyetjet - mjerë unë po të mos i kisha - sepse më  trazojnë edhe mua e më kujtojnë një fragment tjetër të Shkrimit Shenjt që, pranë fjalëve të Jezusit, më duket se i ndriçojnë në gjithë thellësinë. Në Librin e Jeremisë, Zoti thotë me gojën e profetit: “Do të më kërkoni e do të më gjeni, sepse më kërkoni me gjithë zemër; do t’ju lejoj të më gjeni” (Jer 29, 13-14). Zoti  e lë njeriun ta gjejë, po, por vetëm njeriun që e kërkon me gjithë zemër!

Hapi Ungjijtë! Lexoji takimet e Krishtit me njerëzit që shkonin tek Ai e do të shikosh se disave prej tyre iu realizuan të gjitha premtimet. Atyre, për të cilët përgjigjja ishte bërë çështje themelore!

Zoti e la veten të gjindej nga vejusha e bezdishme, nga Nikodemi i etur për të vërtetën, centurioni me fe të gjallë, vejusha e mbytur në lot e Nainit, i gëbuluri  i përvëluar nga dëshira për t’u shëruar, Bartimeut i etur për pakëz dritë. Secila nga këto figura do të dëshironte, me të drejtë të plotë, të  brohoriste me fjalët e Psalmit 63: “O Hyj, ti je Hyji im, ty të kërkoj në agim,/për ty ka etje shpirti im, / për ty mishi im rreshket,/ porsi toka e zharitur, e thatë, pa ujë”.

Kush kërkon, gjen, nëse kërkon me gjithë zemër, nëse për të Zoti bëhet jetik, si uji për shkretëtirën, si toka për farën, si dielli për lulen! E kjo, nëse mendon mirë, është shumë e bukur e plot me respekt për lirinë tonë; feja nuk të jepet në mënyrë automatike. Si një dhuratë, që ti mund ta pranosh me indiferencë, pse nuk të ngroh as të ftoh, por të kërkon të  marrësh pjesë në të, me gjithë vetveten.  Sepse ke të bësh, në thelb, me dashurinë, e cila dëshiron të duhet!

Ndoshta ti e kërkove Zotin e nuk e gjete, por më lejo edhe mua ta bëj një pyetje:  sa e fortë ishte  dëshira jote për Të? Kërkoje me gjithë hovin e zemrës, pyete, bërtit në kupë të qiellit, e ai, ashtu si premtoi, do të gjindet. Mbreti i vargjeve, historinë e të cilit do ta lexosh në faqet që pasojnë, e donte jetën, si çdo i ri, dëshironte ta jetonte me fund. Ishte një nga këngëtarët më në zë të kohës së vet e, në etjen për përsosuri, e kërkonte, pa e ditur as ai vetë, Atë, që mund ta mbushë përplot zemrën  e njeriut. E kërkoi, dhe e gjeti.

E kjo tregon një të vërtetë edhe më të  thellë: Zoti dëshiron nga ti ta kërkosh,  që të mund të gjindet. Deus sitit sitiri - pati thënë Gregor Naziannzo, që do të thotë se Zoti ka etje për kë është i etur për Të.  Ai na fton të trokasim e paraqitet i pari  tek porta e zemrës sonë: “Ja, para derës qëndroj dhe trokas: kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hy te ai dhe me të do ha darkë dhe ai me mua” (Zb. 3,20).

E nëse sot ai do të trokiste në portën tënde? Mbreti i vargjeve e takoi fratin Françesku të Asizit një ditë në manastirin e Colpersitos në San Severino Marche; po ish shporuar nga fjala e tij e një shkëndijë e re i ndizej në shpirt. E i ndodhi, çka i kishte ndodhur Shën Palit në rrugën e  Damaskut. “Drita shndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohja e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit” (2 Kor 4,6). Ai e pa Françeskun në shkëlqimin e shenjtërisë së tij e në të pa vagëllimthi bukurinë e fytyrës së Zotit. Gjeti çka e kishte kërkuar kahmot, dhe e gjeti falë një njeriu të shenjtë. E, ashtu si për Shën Palin,  ato gjëra që për të ishin fitim, nisi t’ shikonte si humbje, si pleh, përballë madhështisë së njohjes së Krishti Jezus. Për të la mënjanë çdo gjë dhe të gjitha i çmoi si llom, me qëllim që të fitonte Krishtin” (krh Fil 3,7-9).

 Kur Zoti të thërret, nuk do kompromise as lëkundje nga ana jote, por  përgjigje rrënjësore. Jezusi do të të thoshte: “Ndiqmë, e lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre” (Mt 8,22). Atë ditë lindi një njeri i ri, që nuk ishte më Guglielmo da Lisciano, mbreti i vargjeve, por fra Paqësori, njeri, në shpirtin e të cilit mbretëronte paqja, më parë krejtësisht e panjohur. Që nga kjo ditë u bë i tëri i Zotit, iu kushtua i tëri Atij e u bë një nga shokët më të ngushtë të Shën Françeskut, dëshmitar i bukurisë së fesë.

Prandaj, i riu im i shtrenjtë, ndërsa falënderoj të shumëdashurin atë Raniero  Cantalamessa, për dhuratën e re që i bën Kishës me faqet e çmuara e diturake të këtij libri ‘Francesco giullare di Dio. Raccontato ai giovani da frate Pacifico', me sigurinë se do t’i bëjnë mirë kujt do t’i lexojë, uroj lexim të dobishëm e të kujtoj: “Zoti vijon të thërrasë, madje ndoshta sot e ngre zërin edhe më shumë se dje. Nëse do t’i ulësh volumet e tjera e do të ngresh atë të dëshirave tua të mëdha, do ta dëgjosh qartë brenda teje e rreth teje! Zoti nuk lodhet së ardhuri tek ti; Zoti të kërkon, si bariu delen e humbur, si gruaja monedhën e zhdukur e si Ati bijtë. Ai vijon të thërrasë e të presë me durim nga ne të njëjtën përgjigje, që i pati dhënë Maria: “Ja shërbëtorja e Zotit; u bëftë mbi mua si thotë Fjala jote” (Lk 1,38). Nëse ke guximin t’i lësh siguritë e tua, do të bëhesh dritë për njerëzit. Faleminderit për dëgjimin. Thërras mbi ty Shpirtin Shenjt të Zotit, e edhe ti, nëse mundesh, mos harro të lutesh për mua,

Yti, Papa Françesku

Nga parathënia e librit: Raniero Cantalamessa “Francesco il giullare di Dio” (Botime Françeskane Italiane)

07 prill 2021, 16:27