Kërko

Papa: për të krishterin meditimi është mënyrë takimi me Jezusin

Në audiencën e përgjithshme Françesku vijoi ciklin e katekizmit me temën e lutjes, duke vënë në qendër të vëmendjes format e ndryshme të reflektimit sipas Ungjillit që, pohoi, nuk duhet të na bëjnë të mbyllemi në vetvete, por t’ia hapim zemrën Krishtit. Të meditosh është udha, paqja shpirtërore, pasoja, e pamundur pa Shpirtin Shenjt.

R. SH. - Vatikan

“I krishteri, pasi ta ketë dëgjuar fjalën e Zotit, nuk e mban të mbyllyr brenda vetes, sepse kjo Fjalë duhet të takohet ‘me një libër tjetër’, që katekizmi e quan ‘libri i jetës’”. Me këto fjalë e nisi Papa katekizmin  e audiencës kushtuar, sot, asaj forme të lutjes, që quhet meditim. Është praktikë e njohur, e jo vetëm nga të krishterët. Njihet pothuajse nga të gjitha fetë e edhe nga ata, që nuk kanë kurrfarë feje. E kjo, sepse të gjithë përpiqemi të rigjejmë vetveten dhe paqen e shpirtit. Prej këndej, Papa vëren:

“Meditimi vlen posaçërisht në vorbullën e botës përendimore, sepse  është digë përballë stresit të përditshëm e boshllëkut, që vijon t’i zbrazë shpirtrat. Ja pra, figura e të rinjve dhe e të rriturve të ulur në kundrim, në heshtje, me sytë e mbyllur…Po çfarë bëjnë këto njerëz? Meditojnë! Është fenomen që duhet shikuar me sy të mirë: në të vërtetë ne nuk jemi aq të fortë sa të vrapojmë pambarimisht, e kemi edhe një jetë shpirtërore, së cilës nuk mund t’i a vëmë këmbën. Prej këndej, të gjithë kanë nevojë për meditim. Të meditojnë! Meditimi, nëse mund të shprehemi kështu, do të ishte si çast ndalese për një frymëmarrje në jetë. Ndalesë! Në heshtje. Me sytë e mbyllur”.

Për të krishterin, të meditosh do të thotë të takosh Jezusin

Të meditosh është përmasë njerëzore, por të meditosh në kontekstin e krishterë - ndër ne, të krishterët - shkon shumë më përtej: është përmasë që nuk duhet shlyer. Porta e madhe, përmes së cilës kalon lutja e të pagëzuarit  - po e kujtojmë edhe një herë - është Jezu Krishti:

“I krishteri, kur lutet, nuk vihet në kërkim të thelbit më të thellë të vetevetes. Kërkon tjetër gjë. Lutja e të krishterit është kryekreje takim me Tjetrin, me Tjetrin, por me T të madhe: takim i mbinatyrshëm me Zotin. Nëse përvoja e lutjes na dhuron paqen e shpirtit, zotërimin e vetvetes a dritën e mendjes në udhën ku duhet të ecim, këto rezultate janë, nëse mund të shprehemi kështu, efekte anësore të hirit, të lutjes së krishterë, që është takim me Jezusin, domethënë se të meditosh është të shkosh - i udhëhequr nga një frazë e Shkrimit Shenjt, nga një fjalë – në takimin me Jezusin brenda nesh”.

Shpirti Shenjt, shok udhe

“Metodat e meditimit janë udhë nëpër të cilat duhet ecur, për të arritur në takimin me Jezusin, por nëse ti ndalesh në udhë e rri duke e shikuar udhën, nuk do të mund ta gjesh kurrë Jezusin. Do ta bësh udhën “zot”. Nuk të pret udha aty, të pret Jezusi. Udha është për të të çuar tek Jezusi.

Ja, pra ky është hiri i lutjes së krishterë: Krishti nuk është larg, është në lidhje të përjetshme me ne. Nuk ka aspekt të Vetjes së tij hyjnore-njerëzore që nuk mund të bëhet për ne shkas shëlbimi e lumturie. Çdo çast i jetës  tokësore të Jezusit, përmes hirit të lutjes, mund të bëhet për ne hir i Shpirtit Shenjt, prijës:

“Po ju e dini se nuk mund të lutemi pa udhëheqjen e Shpirtit Shenjt. Është ai që na prin në takimin me Jezusin. Jezusi na pati thënë: ‘Do t’ju dërgoj Shpirtin Shenjt. Ai do t’ju mësojë e do t’ju shpjegojë gjithçka. Do t’ju mësojë e do t’ju shpjegojë’. E edhe në meditim është prijës, për të shkuar përpara me Jezusin”.

E, falë Shpirtit Shenjt edhe ne jemi të pranishëm në brigjet e Jordanit, kur Jezusi zhytet në ujërat e lumit, për të marrë pagëzimin. E jemi edhe dasmorë në dasmën e Kanës, kur Jezusi dhuron verën më të mirë për lumturinë e dhëndrrit e të nuses, domethënë, është Shpirti Shenjt i cili na lidh me këto mistere të jetës së Krishtit, që në kundrimin e Jezusit  të   kemi përvojën e lutjes për t’u bashkuar me Të. Edhe ne shikojmë të mahnitur shërimet e Mësuesit. Kështu u shpreh Papa, për të shtuar, jashtë tekstit zyrtar:

“Meditimi i krishterë nuk është i mundur pa Shpirtin Shenjt. Është Ai që na prin në takimin me Jezusin. Jezusi na pati thënë: ‘Do t’ju çoj Shpirtin Shenjt. Ai do t’ju mësojë e do t’ju shpjegojë. Do t’u ju mësojë e do t’ju shpjegojë’. E edhe në meditim është prijës, për të ecur përpara në takimin me Jezu Krishtin”.

Meditimi i drejton mendje e zemër kah Jezusi

Të gjitha metodat e meditmit janë të denja për t’u praktikuar - pohoi në vijim Papa - e mund ta ndihmojnë përvojën e fesë për t’u bërë akt i plotë në shpirtin e njeriut, në lutjen me zemër e me mend, domethënë, me gjithë vetveten. Për të ecur deri në fund të rrugës, jo deri në gjysëm. Katekizmi - kujtoi më pas Françesku - saktëson: “Meditimi vë në lëvizje mendimin, përfytyrimin, emocionin, dëshirën. Ky mobilizim është i nevojshëm, sepse thellon bindjet e fesë, nxit kthesën e zemrës, forcon vullnetin për të ndjekur Jezusin”. E në përfundim, Papa theksoi:

“Ja, pra, ky është hiri i lutjes së krishterë. Krishti nuk është larg, por në lidhje të vazhdueshme me ne. S’ka asnjë aspekt të vetjes së tij hyjnore-njerëzore që nuk mund të bëhet për ne mjet shëlbimi e lumturie. Çdo çast i jetës tokësore të Jezusit, përmes hirit të lutjes, mund të bëhet bashkëkohës me ne. Ta marrim Ungjillin, të meditojmë me misteret e Ungjillit e Shpirti Shenjt do të na prijë të jemi të pranishëm aty. (…). Nuk ka faqe të Ungjillit  që të mos ketë vend për ne. Të meditosh, për ne të krishterët, është mënyrë për t’u takuar me Jezusin. E kështu e vetëm kështu, të mund të gjejmë vetveten e humbur! E kjo nuk është mbyllje  brenda vetes, jo, jo:  është  të shkosh te Jezusi e, nga Jezusi, të takosh vetveten: të shëruar, të ringjallur, të fortë përmes hirit të Krishtit.  Do të thotë të takosh Jezusin, që i shpëton të gjithë, edhe mua! E kjo, falë udhëheqjes së Shpirtit Shenjt!”.

28 prill 2021, 12:39

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >