Papa: Jezusi nuk është kujtim, është i Gjallë, feja nuk është repertor i së kaluarës

Papa: Ja kumti i Pashkëve: feja nuk është kujtim i së kaluarës, Jezusi nuk është personazh i vjetëruar. Ai është i gjallë, këtu e tani. Ecën me ne çdo ditë, në situatën që jetojmë, në sprovat që kalojmë, në ëndrrat që kemi në shpirt. Hap udhë të reja aty ku na duket se nuk ka, na shtyn të shkojmë kundër rrymës, të mos na mbetet gjë peng e të mos ndjekim ‘gjithçka është parë në të kaluarën’. Edhe kur çdo gjë duket e humbur, hapjani zemrën e mahnitur risive: do t’ju befasojnë”.

R.SH. - Vatikan

Nëse kemi terrin në zemër, nëse agu nuk ka ardhur akoma në jetën tonë, që e kalojmë të mbyllur si të ishim në varr, Papa Françesku, në homelinë e meshës së Natës së Pashkëve, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, na propozon të dëgjojmë Lajmin e Mirë: “Mos kini frikë, Jezusi u Ngjall! Ju pret në Galile”. E nuk do të kemi më nevojë të presim më tej, lotët do të thahen e frika do të mundet nga shpresa. E kjo, sepse vetë Zoti ecën para nesh, na paraprin e me Të, jeta rifillon, nënvizoi Papa, i cili komentoi Ungjillin e ngjalljes së Jezu Krishtit.

Kremtimi i Natës së Pashkëve në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, kryesuar nga Papa Françesku edhe svijet filloi në orën 19.30, pasi për shkak të koronavirusit, edhe këtë vit, njerëzit janë të detyruar të mbyllen në shtëpi brenda orës 22.00.

“Nuk është këtu, u ngjall”

 Gratë, nënvizoi Ati i Shenjtë Bergoglio gjatë homelisë, mendonin se do të gjenin një trup për ta lyer me vajra erëmirë, por në vend të tij gjetën varrin bosh. Shkuan të qanin të vdekurin, por dëgjuan prej një të riu me rrobe të bardha kumtin e jetës. E pastaj, ftesën: “Ai ju paraprin në Galile, atje do ta shihni”. Papa Françesku i ftoi të gjithë besimtarët ta pranojnë këtë ftesë e u shpjegoi edhe kuptimin e saj.

Një jetë e re është gjithnjë e mundur

Së pari, do të thotë të rifillojmë udhën. Ashtu bëri edhe Jezu Krishti me dishepujt e vet, të cilët, megjithëse ndenjën me Të, nuk e kuptuan deri në fund e ikën prej Tij, duke e lënë vetëm. Pavarësisht nga kjo, i Ngjalluri i do sërish me vete, duke lënë mënjanë të gjitha dështimet e tyre. Në Galile, ata dhe besimtarët e sotëm mahniten para dashurisë pa fund të Zotit, që gjen shtigje të reja edhe brenda udhëve të dështimeve tona.

“Ja kumti i parë i Pashkëve, që dua t’ju dorëzoj: - u drejtohet gjithë besimtarëve Papa Françesku -  është gjithnjë e mundur t’ia fillosh nga e para, sepse kemi një jetë e re, që Zoti është në gjendje ta rinisë në ne, pavarësisht nga dështimet tona. Edhe nga rrënojat e zemrës, Zoti mund të ndërtojë një vepër arti, edhe nga fragmentet shkatërrimtare të humanitetit tonë, Zoti përgatit një histori të re. Ai na paraprin gjithnjë: si në kryqin e vuajtjeve, të shkretimit e të vdekjes, ashtu edhe në lavdinë e jetës që rilind, të historisë që ndryshon, të shpresës që rindizet. E, në këto muaj të errët të pandemisë, ta dëgjojmë Zotin e Ringjallur që na fton t’ia nisim nga e para e të mos e humbim kurrë shpresën”.

Të mos mbetemi në “fenë e kujtimeve”

Të shkojmë në Galile, vijoi reflektimin e tij Papa, do të thotë edhe të përshkojmë rrugë të reja. Ato duhet të na çojnë në kah të kundërt me varrin e me vdekjen. Gratë, që e gjetën bosh varrin e Jezu Krishtit, kishin shkuar atje për të vajtuar diçka të kaluar tashmë. Ashtu siç bëjmë edhe ne nganjëherë, kur jetojmë me “fenë e kujtimeve”, siç e quajti Ati i Shenjtë, me fenë e kohës së katekizmit. Të shkosh për të takuar Krishtin në Galile, do të thotë ta përtërish fenë, që ajo të të mahnisë sërish, si në ditën e parë të bisedës sy për sy me Zotin.

E ja kumti i dytë i Pashkëve: - nënvizoi Papa - feja nuk është kujtim i së kaluarës, Jezusi nuk është personazh i vjetëruar. Ai është i gjallë, këtu e tani. Ecën me ne çdo ditë, në situatën që jetojmë, në sprovat që kalojmë, në ëndrrat që kemi në shpirt. Hap udhë të reja aty ku na duket se nuk ka, na shtyn të shkojmë kundër rrymës, të mos na mbetet gjë peng e të mos ndjekim ‘gjithçka është parë në të kaluarën’. Edhe kur çdo gjë duket e humbur, hapjani zemrën e mahnitur risive: do t’ju befasojnë”.

Të shkojmë në Galilenë e jetës së përditshme

Papa Françesku komentoi edhe një aspekt të tretë të udhës për në Galile, atë të kapërcimit të kufijve. Galileja ishte periferia e atëhershme, larg nga Jeruzalemi. Jezusi e filloi pikërisht aty misionin e vet, duke u kumtuar Lajmin e Mirë njerëzve, që mezi ia dilnin të siguronin bukën e gojës, të ligshtëve, të mënjanuarve. “Edhe sot, i Ngjalluri u kërkon ndjekësve të tij të shkojnë pikërisht aty. Është vendi i jetës së përditshme, janë rrugët që i përshkojmë çdo ditë, janë skutat e skajet e qyteteve tona, në të cilat Zoti na paraprin dhe bëhet i pranishëm, pikërisht në jetën e atyre, që na kalojnë pranë, duke ndarë me ne kohën, shtëpinë, punën, përpjekjet dhe shpresat. Aty është Galileja, ku mund ta njohim e ta takojmë”.

“E ja, atëherë, - përfundoi Papa homelinë e Natës së Pashkëve – kumti i tretë: Jezusi, i Ngjalluri, na do pa kufi. Eshtë i pranishëm në çdo situatë të jetës sonë. Ai …na fton edhe ne t’i kapërcejmë muret, të fitojmë mbi paragjykimet, t’u afrohemi atyre që i kemi pranë çdo ditë, për të rizbuluar hirin e jetës së përditshme. Ta kuptojmë praninë e Tij në Galilenë tonë, në jetën e përditshme. Me Të, jeta do të ndryshojë. Sepse përtej të gjitha dështimeve, përtej së keqes dhe dhunës, përtej të gjitha vuajtjeve dhe vdekjeve, Krishti i Ringjallur jeton dhe i prin historisë”.

03 prill 2021, 21:45