Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore 

Papa: kush gjen Krishtin, zbulon paqen e zemrës

Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore Françesku u ndalua posaçërisht tek mahnitja e grave, që zbulojnë varrin e zbrazët, tek gëzimi i tyre, kur dëgjojnë fjalët e Engjëllit, por edhe tek rojet, që i binden zotit para për të mohuar të vërtetën e Ngjalljes së Krishtit. E Papa fton për ta mirëpritur në zemra, në shtëpi, në familje lajmin gazmor të Pashkëve: “Krishti i ngjallur nuk vdes më, vdekja nuk ka më pushtet mbi Të”.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku e nisi lutjen e Mbretëreshës Qiellore, që zë vendin e lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke shpjeguar kuptimin e Festës së sotme, në vijim të së Dielës së Ngjalljes. E diela pas Pashkëve - shpjegoi - quhet edhe e Diela e Engjëllit, sepse kujtojmë takimin e Engjëllit me gratë, që kishin arritur tek Varri i Krishtit.

E Hëna e Engjëllit, ngjarja më tronditëse e jetuar nga njerëzimi

Së pari Papa kujtoi takimin e grave me Engjëllin, që u tha: “E di se kërkoni Jezusin, të kryqëzuarin. Nuk është këtu. U ngjall! E pikërisht shprehja “u ngjall”, shkon përtej çdo aftësie njerëzore - nënvizoi:

“As gratë, që kishin shkuar tek varri dhe e kishin gjetur të hapur e bosh, nuk mundën të bënin një pohim kaq tronditës: ‘U ngjall’, por u mjaftuan të sillnin lajmin se varri ishte i zbrazët. Që Jezusi ishte ngjallur, këtë mund ta thoshte vetëm një Engjëll”.

 Këtë nënvizoi Papa, duke vijuar përshkrimin ungjillor të ngjarjes më të madhe, që jetoi njerëzimi. Ngjarje, e cila do t’ia ndryshonte krejtësisht rrjedhën jetës së tij. Vetëm një Engjëll mund ta thoshte këtë, ashtu si kish mundur t’i thoshte Marisë: “ Do të zësh në kraharor një djalë […] që do të quhet Bir i të Tejetlartit”.

Agimi i jashtëzakonshëm i ngjalljes

Duke vijuar rrëfimin e ngjarjeve të kësaj dite të jashtëzakonshme, sipas Ungjillit të Mateut, Papa kujtoi se atë ditë mbarë toka u troshtit nga një tërmet i fuqishëm. E një Engjëll i Zotit, i zbritur nga qielli,  iu afrua rrasës së varrit e u ul ndenjur mbi të. Ai gur i madh, që duhet të ishte vula e  fitores të së keqes e të vdekjes, u vu nën thembër, duke u bërë fron, mbi të cilën u ul Engjëlli i Zotit:

“Të gjitha  projektet e mbrojtjet e armiqëve dhe të persekutuesve të Jezusit shkuan kot! Figura e Engjëllit, ulur mbi gurin e varrit, është shprehje  konkrete, e dukshme, e fitores së Zotit mbi të keqen, e fitores së Krishtit mbi princin e kësaj bote, e fitores së dritës mbi errësirën”.

Rrasa e varrit të Jezusit nuk u flak tutje nga ndonjë fenomen fizik, por nga vetë dora e Zotit:

“Pamja e Engjëllit, shton Mateu, ishte si vetëtimë e veshja e tij e bardhë, si dëbora. Këto hollësira janë simbol. Pohojnë ndërhyrjen e vetë Zotit, mbartës i një epoke të re, i kohëve të fundit të historisë”.

Qëndrimi i dyfishtë i Zotit

Përballë këtij qëndrimi të Zotit ndodh një reagim i dyfishtë - kujtoi Papa, duke vijuar rrëfimin ungjillor kushtuar ngjarjes më të padëgjuar e më të rëndësishme në historinë e njerëzimit:

“Ai i rojeve, që nuk mund t’i bëjnë ballë forcës së papërmbajtshme të Zotit e që tronditen keqas nga një tërmet i tmerrshëm shpirtëror.

Forca e Ngjalljes i shemb përdhe të gjithë ata, që përdoren për të siguruar fitoren, në dukje, të vdekjes. E ç’mund të bëjnë këta roje? Të shkonin tek ata, që u kishin dhënë urdhër të ruanin e t’u tregonin të vërtetën? Ishin para një mëdyshjeje: o të thonin të vërtetën, o t’u bindeshim atyre, që i kishin dërguar të ruanin. E vetmja mënyrë për t’i bindur ishin paratë, e këta qyqarë e shitën të vërtertën e, me paratë në xhep, shkuan e thanë: ‘Jo, erdhën dishepujt dhe e vodhën trupin’. ‘Zoti’ para, edhe këtu, në ngjalljen e Krishtit, është i aftë të ketë fuqi, për ta mohuar”.

Po gratë, si reagojnë?

Reagimi i grave është krejt i ndryshëm, sepse ata ftohen shprehimisht nga Engjëlli që të mos tremben: ‘Ju mos kini frikë e mos e kërkoni Jezusin në varr’, është ftesa e Engjëllit, e cila jehon në zemrat e atyre, që kërkojnë Krishtin nëpër vende e nëpër kohë”.

Në kërkim të përhershëm të Krishtit të ngjallur

Nga fjalët e Engjëllit mund të marrim një mësim të çmuar: nuk duhet të lodhemi kurrë s’e kërkuari Krishtin e Ngjallur, që u dhuron  begatisht jetë të gjithë atyre, të cilët e takojnë:

“Ta gjesh Krishtin, do të thotë të gjesh paqen e zemrës. Ashtu si gratë e Ungjillit që, pas turbullimit të fillesës, ndjejnë një gëzim të papërshkrueshëm kur e gjejnë Mësuesin të gjallë”.

Urimi i Papës

Në këtë Kohë Pashkësh i uroj të gjithë ta jetojnë të njëjtën përvojë shpirtërore - tha në vijim Papa - duke mikpritur në zemra, në shtëpi, në familje lajmin gazmor të Pashkëve:

“Krishti i ngjallur nuk vdes më, vdekja nuk ka më pushtet mbi Të”.

Regina Caeli, Laetare!

Kjo siguri - theksoi në përfundim Françesku - na nxit të lutemi, sot e gjatë gjithë kohës së Pashkëve: “Regina Caeli, Laetare! – Mbretëreshë e Qiellit, gëzoju!”. Engjëlli Gabriel e pati përshndetur kështu herën e parë: “Gëzoju, hirplote! Tani gëzimi i Marisë është i plotë: Jezusi jeton, dashuria fitoi. Qoftë ky edhe gëzimi ynë!

05 prill 2021, 12:41

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >