Papa: kush gjen Krishtin, zbulon paqen e zemrës
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku e nisi lutjen e Mbretëreshës Qiellore, që zë vendin e lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke shpjeguar kuptimin e Festës së sotme, në vijim të së Dielës së Ngjalljes. E diela pas Pashkëve - shpjegoi - quhet edhe e Diela e Engjëllit, sepse kujtojmë takimin e Engjëllit me gratë, që kishin arritur tek Varri i Krishtit.
E Hëna e Engjëllit, ngjarja më tronditëse e jetuar nga njerëzimi
Së pari Papa kujtoi takimin e grave me Engjëllin, që u tha: “E di se kërkoni Jezusin, të kryqëzuarin. Nuk është këtu. U ngjall! E pikërisht shprehja “u ngjall”, shkon përtej çdo aftësie njerëzore - nënvizoi:
“As gratë, që kishin shkuar tek varri dhe e kishin gjetur të hapur e bosh, nuk mundën të bënin një pohim kaq tronditës: ‘U ngjall’, por u mjaftuan të sillnin lajmin se varri ishte i zbrazët. Që Jezusi ishte ngjallur, këtë mund ta thoshte vetëm një Engjëll”.
Këtë nënvizoi Papa, duke vijuar përshkrimin ungjillor të ngjarjes më të madhe, që jetoi njerëzimi. Ngjarje, e cila do t’ia ndryshonte krejtësisht rrjedhën jetës së tij. Vetëm një Engjëll mund ta thoshte këtë, ashtu si kish mundur t’i thoshte Marisë: “ Do të zësh në kraharor një djalë […] që do të quhet Bir i të Tejetlartit”.
Agimi i jashtëzakonshëm i ngjalljes
Duke vijuar rrëfimin e ngjarjeve të kësaj dite të jashtëzakonshme, sipas Ungjillit të Mateut, Papa kujtoi se atë ditë mbarë toka u troshtit nga një tërmet i fuqishëm. E një Engjëll i Zotit, i zbritur nga qielli, iu afrua rrasës së varrit e u ul ndenjur mbi të. Ai gur i madh, që duhet të ishte vula e fitores të së keqes e të vdekjes, u vu nën thembër, duke u bërë fron, mbi të cilën u ul Engjëlli i Zotit:
“Të gjitha projektet e mbrojtjet e armiqëve dhe të persekutuesve të Jezusit shkuan kot! Figura e Engjëllit, ulur mbi gurin e varrit, është shprehje konkrete, e dukshme, e fitores së Zotit mbi të keqen, e fitores së Krishtit mbi princin e kësaj bote, e fitores së dritës mbi errësirën”.
Rrasa e varrit të Jezusit nuk u flak tutje nga ndonjë fenomen fizik, por nga vetë dora e Zotit:
“Pamja e Engjëllit, shton Mateu, ishte si vetëtimë e veshja e tij e bardhë, si dëbora. Këto hollësira janë simbol. Pohojnë ndërhyrjen e vetë Zotit, mbartës i një epoke të re, i kohëve të fundit të historisë”.
Qëndrimi i dyfishtë i Zotit
Përballë këtij qëndrimi të Zotit ndodh një reagim i dyfishtë - kujtoi Papa, duke vijuar rrëfimin ungjillor kushtuar ngjarjes më të padëgjuar e më të rëndësishme në historinë e njerëzimit:
“Ai i rojeve, që nuk mund t’i bëjnë ballë forcës së papërmbajtshme të Zotit e që tronditen keqas nga një tërmet i tmerrshëm shpirtëror.
“Forca e Ngjalljes i shemb përdhe të gjithë ata, që përdoren për të siguruar fitoren, në dukje, të vdekjes. E ç’mund të bëjnë këta roje? Të shkonin tek ata, që u kishin dhënë urdhër të ruanin e t’u tregonin të vërtetën? Ishin para një mëdyshjeje: o të thonin të vërtetën, o t’u bindeshim atyre, që i kishin dërguar të ruanin. E vetmja mënyrë për t’i bindur ishin paratë, e këta qyqarë e shitën të vërtertën e, me paratë në xhep, shkuan e thanë: ‘Jo, erdhën dishepujt dhe e vodhën trupin’. ‘Zoti’ para, edhe këtu, në ngjalljen e Krishtit, është i aftë të ketë fuqi, për ta mohuar”.
Po gratë, si reagojnë?
Reagimi i grave është krejt i ndryshëm, sepse ata ftohen shprehimisht nga Engjëlli që të mos tremben: ‘Ju mos kini frikë e mos e kërkoni Jezusin në varr’, është ftesa e Engjëllit, e cila jehon në zemrat e atyre, që kërkojnë Krishtin nëpër vende e nëpër kohë”.
Në kërkim të përhershëm të Krishtit të ngjallur
Nga fjalët e Engjëllit mund të marrim një mësim të çmuar: nuk duhet të lodhemi kurrë s’e kërkuari Krishtin e Ngjallur, që u dhuron begatisht jetë të gjithë atyre, të cilët e takojnë:
“Ta gjesh Krishtin, do të thotë të gjesh paqen e zemrës. Ashtu si gratë e Ungjillit që, pas turbullimit të fillesës, ndjejnë një gëzim të papërshkrueshëm kur e gjejnë Mësuesin të gjallë”.
Urimi i Papës
Në këtë Kohë Pashkësh i uroj të gjithë ta jetojnë të njëjtën përvojë shpirtërore - tha në vijim Papa - duke mikpritur në zemra, në shtëpi, në familje lajmin gazmor të Pashkëve:
“Krishti i ngjallur nuk vdes më, vdekja nuk ka më pushtet mbi Të”.
Regina Caeli, Laetare!
Kjo siguri - theksoi në përfundim Françesku - na nxit të lutemi, sot e gjatë gjithë kohës së Pashkëve: “Regina Caeli, Laetare! – Mbretëreshë e Qiellit, gëzoju!”. Engjëlli Gabriel e pati përshndetur kështu herën e parë: “Gëzoju, hirplote! Tani gëzimi i Marisë është i plotë: Jezusi jeton, dashuria fitoi. Qoftë ky edhe gëzimi ynë!