Kërko

Papa: krishterimi, takim i vërtetë me Krishtin e gjallë

Të jesh i krishterë, nuk është në radhë të parë doktrinë, a ideal moral, por marrëdhënie e gjallë me Krishtin e me vëllezërit. Këtë pohoi Papa në lutjen e Mbretëreshës qiellore, për t’u ndaluar më pas tek tri folje: “të shikosh, të prekësh e të hash”, që e përjashtojnë tundimin e refuzimit, të izolimit, të prirjes për ta kthyer kokën mënjanë përballë vështirësive e vuajtjeve të tjetrit. E besimtarëve të mbledhur përsëri për ta dëgjuar, u tha: “Më mungon sheshi”.

R. SH. - Vatikan

Pas dy javësh të tjera masash kufizuese, mbylljesh e zonash të kuqe, për shkak të pandemisë, Françesku u duk përsëri në dritaren e studios së tij, në Pallatin Apostolik, për lutjen e Mbretëreshës Qiellore. Sheshi e priti me gëzimin e zakonshëm. E Papa i kujtoi se i mungon pikërisht sheshi, domethënë i mungon takimi i drejtpërdrejt me njerëzit. 

Pastaj u priu sërisht besimtarëve drejt Jeruzalemit, në të Dielën e sotme, e treta e Pashkëve. E pikërisht në çenakull, siç quhej dhoma e ngrënies. Së bashku me dy dishepujt e Emmaus, të cilët  kishin dëgjuar,  të prekur thellë, Fjalët e Jezusit gjatë rrugës e pastaj edhe e kishin njohur në të thyer të bukës. E tani, në çenakull,  Krishti i ngjallur paraqitet në mes të grupit të dishepujve e i përshëndet, duke u thënë: “Paqja qoftë me ju!”. Një i vdekur, duket në mes të gjallëve, që tremben, duke besuar se “po shikonin një fantazmë”. Atëhere  - kujtoi Papa, duke vijuar rrëfimin e dukjes së Krishtit të ngjallur mes të tijve, Ai u tha: “Shikoni duart e mia, e këmbët e mia: jam pikërisht unë! Prekmëni!” E, për t’i bindur, kërkoi të hajë e edhe hëngri, i ndjekur nga shikimet e tyre të çmeritura.

Tri folje konkrete, për  të gjetur Krishtin

Kjo faqe ungjillore karakterizohet nga tri folje shumë konkrete, që pasqyrojnë, në një farë mënyre, jetën tonë personale e komunitare: të shikosh, të prekësh, e të hash! Tre veprime - vijoi të shpjegojë Papa në lutjen e sotme te Mbretëreshës Qiellore- që mund të të japin gëzimin e  takimit të vërtetë me Krishtin e gjallë:

“Shikojini duart e mia e këmbët e mia” - u thotë Jezusi dishepujve dyshimtarë. E të shikosh - shpjegoi Papa - nuk do të thotë vetëm  t’i ngulësh sytë diku, mbi dikënd. Është diçka më shumë. Ka edhe kuptimin e dëshirës, të vullnetit për t’i besuar tjetrit. Prej këndej, është njëra nga foljet e dashurisë. Nëna e babai e shikojnë fëmijën e tyre; të dashuruarit shikohen sy më sy; mjeku i mirë e shikon pacientin me durim…".

Të shikosh do të thotë të bësh hapin e parë kundër indiferencës, kundër tundimit për ta kthyer kokën mënjanë, për të mos i parë vështirësitë e vuajtjet e të tjerëve.

Dashuria kërkon afërsi

Folja e dytë është “të prekësh”. Duke i ftuar dishepujt ta preknin, për t’u bindur se nuk ishte fantazmë, Jezusi u tregon atyre, e edhe ne, se marrëdhëniet me Të e me vëllezërit tanë nuk mund të mbahen vetëm duke u parë a duke u dëgjuar nga larg:

“Dashuria kërkon afërsi, kontakt, ndarje të të mirave e të këqijave të jetës, Samaritani nuk mjaftohet vetëm me një shikim mbi atë njeriun, të cilin e gjeti gjysëm të vdekur në rrugë të madhe; përkulet, ia mjekon plagët, e ngarkon mbi kalin e vet dhe e çon në bujtinë. E kështu bën edhe vetë Jezusi. Të duash, do të thotë të hysh në lidhje  jete, konkrete me Të”.

Gostia eukaristike, shenjë emblematike për bashkësinë e krishterë

E vijmë tek folja e tretë,  të hash, që e shpreh mirë natyrën tonë njerëzore, e cila ka nevojë të ushqehet, për të jetuar. Po të ngrënët së bashku, në familje e me miqtë, bëhet edhe shprehje dashurie, shprehje bashkimi, feste - kujtoi Papa:

“Sa herë ungjijtë na e paraqesin Jezusin duke e jetuar atmosferën e sofrës përbashkët! Edhe i Ngjallur, me dishepujt. Deri në atë pikë, sa Gostia Eukaristike bëhet shenjë emblematike e bashkësisë së krishterë”.

I krishteri ka lidhje të vërtetë me Krishtin e gjallë

Kjo faqe ungjillore -  kujtoi në përfundim Papa – na kujton  se Jezusi nuk është fantazmë, por Njeri i gjallë. E edhe se të jesh i krishterë, nuk është në radhë të parë, doktrinë, a një ideal moral. Është lidhje e gjallë me Të, me Zotin e ngjallur: e shikojmë, e prekim, ushqehemi me Të e, të shndërruar nga dashuria e Tij, i shikojmë, i prekim e i ushqejmë edhe të tjerët, si vëllezër e si motra.

Në përfundim, lutja e zakonshme, që ngroh a freskon atmosferën e të gjitha të dielave të vitit, kushtuar ndërmjetësueses sonë pranë Krishtit të ngjallur, që jeton në ne e me ne:

 “Virgjëra Mari na ndihmoftë ta jetojmë këtë përvojë hiri”.

18 prill 2021, 13:46

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >