Kërko

Vatican News
Lutja e Mbretëreshës Qiellore Lutja e Mbretëreshës Qiellore  (Vatican Media)

Papa: Jezusi Bari i Mirë i do të gjithë, edhe kë i ndjek pak bashkësitë tona

Para lutjes së Mbretëreshës Qiellore Françesku komentoi Ungjillin e së dielës, që njihet me emrin “e Bariut të Mirë” dhe nënvizoi se Jezusi i njeh, i mbron e i do të gjitha delet e veta, domethënë edhe ata bij, që i ndjekin rrallë e për mall kishat. “Por gjithsesi, mbeten bij të Zotit, që Ati ia beson Krishtit”.

R. SH. - Vatikan

Jezusi, bari i vërtetë, na mbron, si delet e veta, “me dritën e fjalës së Tij e me forcën e pranisë së Tij”. Na njeh një për një, është gjithnjë gati të kujdeset për ne e të na i shërojë plagët e gabimeve tona me hirin e tij. Së fundi, na do, na do të gjithëve!

Në këtë të diel të Pashkëve, që njihet si e Diela e Bariut të Mirë, Papa, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, na e paraqiti Jezusin pikërisht si Bari i mirë, që i mbron, i njeh e i do delet e veta.

Jezusi është Bariu i vërtetë

E menjëherë pas Zotit - Ati i Shenjtë kujtoi edhe “mercenarin”, të cilit nuk i bëhet fare vonë për delet, sepse nuk janë të tijat. E bën këtë zanat vetëm për pagën e nuk shqetësohet aspak për t’i mbrojtur, në orën e rrezikut, kështuqë, kur ia behë ujku, ikën në pika të vrapit e i lë  vetëm. Po Jezusi - kujtoi Papa - nuk sillet kështu. I mbron, si bari i mirë, e i shpëton në të gjitha rrethanat e vështira, të rrezikshme, përmes dritës së Fjalës së Tij  e me forcën  e pranisë së Tij, që ne e provojmë posaçërisht në Sakramentet.

Krishti i njeh delet e veta

Jezusi, Bari i mirë, i njeh delet e veta. E edhe delet e njohin - e ky - shpjegoi Papa – është aspekti i dytë  i Bariut të mirë:

“Sa e  bukur e ngushëlluese të dish se Jezusi na njeh një për një, se nuk jemi të paemër për të. Se e di mirë emrin tonë! Për të nuk jemi “masë’ “turmë”, jo!

“Jemi  njerëz unikë, secili me historinë e vet, me vlerën e vet, si krijesa, e edhe si të rilindur prej Tij. Secili nga ne mund të thotë: Jezusi më njeh, Jezusi e di kush jam unë! Ai na njeh, ashtu si nuk na njeh askush tjetër. Vetëm ai mund ta dijë ç’kemi në zemër, ndjetet, ndjenjat më të fshehta. Njeh vlerat e veset tona, dhe është gjithnjë gati të kujdeset për ne, për t’i  shëruar plagët e hapura nga gabimet tona, me begatinë e hirit të Tij”.

Në Të realizohet plotësisht  figura e bariut të popullit të Zotit, e përshkruar nga profetët: kujdeset për delet e veta, i mbledh, e fashon të plagosurën, e mjekon të sëmurën… (krh Ez 34, 11-16).

Krishti i do e i mbron delet e veta

Papa na kujtoi edhe një herë se Jezusi, bariu i mirë, i mbron e, posaçërisht, i do, i njeh delet e veta. I do aq, sa të japë edhe jetën për to. Dashuria për delet, domethënë për secilin nga ne, e shtyn deri atje, sa të vdesë mbi kryq, sepse ky është vullneti i Atit, që asnjë të mos humbasë.

Dashuria e Krishtit nuk është përzgjedhëse. I përqafon të gjithë. Na e kujton Ai vetë në Ungjillin e sotëm, kur thotë:

“Por kam edhe dele të tjera, që nuk vijnë nga kjo vathë, edhe atyre duhet t’u prij. Do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një grigjë e vetme, me një bari të vetëm”.

Këto fjalë vërtetojnë ankthin e tij universal. Jezusi dëshiron që të gjithë ta marrin dashurinë e Atit e të kenë jetë.

Kisha duhet ta çojë përpara misionin e Krishtit

Kisha - pohoi - është e thirrur ta çojë përpara këtë mision universal të Krishtit. Veç atyre, që ndjekin bashkësitë tona,  ka edhe shumë njerëz të tjerë, që e bëjnë këtë vetëm nganjëherë, ose kurrë:

“Por kjo nuk do të thotë aspak se nuk janë bij të Zotit,  të cilët Ati ia beson Krishtit, Bariut të Mirë. Jezusi e dha jetën për të gjithë e për secilin. E të gjithë ne, të krishterët, duhet t’ua dëshmojmë dashurinë  e Tij, me sjellje të përvujta e vëllazërore”.

Këtë u kujtoi Papa atyre, të cilët kanë fatin e madh të jetojnë nën mbrojtjen e Bariut të Mirë,  që i mbron, i njeh e i do një për një delet e veta, për t’i ftuar, më pas të gjithë në lutjen:

“E shenjtnueshmja Mari na ndihmoftë ta pranojmë e ta ndjekim pas të parët Bariun e Mirë, për të dhënë ndihmesën tonë në misionin e Tij”.

25 prill 2021, 12:51

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >