Papa Françesku me kardinalin Louis Raphael Sako në Irak, 5 mars 2021 Papa Françesku me kardinalin Louis Raphael Sako në Irak, 5 mars 2021

Papa i shkruan Patriakut të Irakut: “dëgjova zërat e dhimbjes, por edhe të shpresës”

“Në Irak, dëgjova zërat e dhimbjes e të ankthit, por edhe zërat e shpresës e të ngushëllimit”. Kështu i shkruan Papa Françesku Patriarkut kaldeas të Bagdadit, kardinalit Louis Raphael Sako, duke kujtuar vizitën e tij në vend

R.SH. - Vatikan

Letër e Papës Françesku drejtuar Patriarkut kaldeas të Bagdadit, kardinalit Louis Raphael Sako. Ajo iu dorëzua patriarkut sot paradite nga nunci apostolik në Irak, imzot Mitja Leskovar, gjatë një vizite në patriarkatin kaldeas. Në tekstin e botuar nga patriarkati, Papa Françesku e falënderon Patriarkun kaldeas Mar Sakon dhe gjithë Kishën irakiane për “pritjen e ngrohtë dhe të sinqertë”, që i rezervuan dhe për angazhimin e tyre në suksesin e shtegtimit papnor. Një vizitë “e përgatitur, e shoqëruar me lutje, shenjë e bashkimit të vërtetë me fronin e shën Pjetrit. Ende ruaj në zemër - shkruan Papa - kujtimin e takimeve, të çasteve mallëngjyese të lutjes, të shenjuara nga impenjimi vëllazëror”.

“Në ditët, që kalova me ju, - lexohet në letër - dëgjova zërat e dhimbjes e të ankthit, por edhe zërat e shpresës e të ngushëllimit”, fryt i afërsisë së Kishës irakiane “për besimtarët, që ju janë besuar” dhe i “veprave bamirëse, që kryeni me organizatat e ndryshme, të cilat i ndihmojnë njerëzit e këtij vendi të punojnë për rindërtimin dhe për rilindjen shoqërore të tij. Munda të shihja dhe të prekja me dorë se Krishti është gjallë në Kishën e Irakut e vepron në popullin e tij të shenjtë dhe besimtar”.

Letra e Papës Françesku përfundon me urimin që dëshmia e krishterë e vetë patriarkut dhe e Kishës, “pasuruar nga kundërshtitë e jetës dhe përforcuar nga gjaku i martirëve, të jetë një dritë e shndritshme brenda dhe jashtë Irakut, për të lëvduar madhështinë e Zotit dhe gëzimin shpirtëror të këtij populli në Zotin tonë Shëlbues”.

13 prill 2021, 16:21