Papa Françesku, Dita Botërore e Tokës: kohë për të vepruar në mbrojtje të planetit

Në një videomesazh për Ditën e sotme të Tokës, Papa Françesku nënvizon se krizat e lidhura me pandeminë Covid-19 dhe me ambientin tregojnë se njerëzimi është “në limit” e se kjo është “kohë për të vepruar”. Thirrje e Atit të Shenjtë për unitet dhe reziliencë, si edhe kërkesë drejtuar krerëve të botës që të veprojnë me guxim e drejtësi

R.SH. - Vatikan

“Natyra e meriton të mbrohet”: ky është mendimi që shpreh Papa Françesku në viudeomesazhin e sotëm, me rastin e Ditës Botërore të Tokës, që kremtohet çdo vit nga OKB-ja, një muaj e një ditë pas ekuinoksit të pranverës (këtë vit, një muaj e dy ditë), më 22 prill. Edhe një herë, Ati i Shenjtë kujton se marrëdhëniet e njeriut me biolarminë e krijuar nga Zoti duhen trajtuar me kujdesin e respektin më të madh.

Pandemia e klima

Gjatë këtij viti pandemie, vëren Papa, kur shumë nga veprimtaritë njerëzore, fatkeqësisht, u ndalën, natyra mori disi frymë. Pra, mënyra me të cilën njerëzit veprojnë mbi tokën e mbi ajrin ka rëndësi për ta ruajtur globin e për të mos ndikuar negativisht në ndryshimin e klimës.

“Pandemia e Covid-19 na e mësoi këtë ndërvarësi, këtë bashkëndarje të planetit – thekson Papa në videomesazh. - E të dyja katastrofat globale, Covid dhe klima, tregojnë se nuk mund të presim më gjatë. Se koha nuk mjafton e se, siç dëshmoi pandemia, i kemi mjetet për të përballuar përhumbjen tonë. I kemi mundësitë. Është koha për të vepruar, jemi në limit”.

Zoti fal, Toka jo

 Ati i Shenjtë ia përshtat gjendjes aktuale një proverb të lashtë spanjoll, që thotë: “Zoti fal gjithmonë, ne njerëzit, nganjëherë, ndërsa natyra nuk fal më”. Kur natyra fillon të shkatërrohet, nuk ndalet lehtë. Papa vëren se jemi akoma në kohë, por është e nevojshme të punojmë të gjithë së bashku, duke e shfrytëzuar pandeminë e koronavirusit për të gjetur udhë të reja, në mënyrë që njerëzimi të dalë më i mirë nga kriza.

“Të gjithë ju, e edhe unë të bashkohem me ju, - e përfundon Papa videomesazhin – t’u bëjmë thirrje të gjithë krerëve të botës të veprojnë me guxim, të punojnë me drejtësi dhe t’u thonë gjithnjë të vërtetën njerëzve, që ata të dinë si të mbrohen nga shkatërrimi i planetit, si ta mbrojnë planetin nga shkatërrimi, të cilin shpesh, e shkaktojmë pikërisht ne”.

22 prill 2021, 18:03