Kardinali Edward I. Cassidy Kardinali Edward I. Cassidy 

Papa: Cassidy dhe shërbimi i tij i çmuar në nxitjen për bashkimin e të krishterëve

Në një telegram nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Françesku kujton zellin apostolik të kardinalit të ndjerë, që ndërroi jetë më 10 prillin e kaluar.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku shprehu ngushëllimet e tij më të ndjera për vdekjen e kardinalit Edward Idris Cassidy, në një telegram nënshkruar nga sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar imzotit Adolfo Tito Yllana, nunc apostolik në Australi. Kardinali u shua të shtunën e kaluar, në moshën 96 vjeçare, në qytetin australian Newcastle.

Gjithnjë në shërbim të Selisë së Shenjtë

“I kujtojmë me mirënjohje - shkruan Papa - vitet e shërbimit të çmuar, që kardinali i ndjerë i bëri Selisë së Shenjtë, zellin e tij për përhapjen e Ungjillit dhe angazhimin për nxitjen e bashkimit të të krishterëve”. Françesku ia beson shpirtin e tij dashurisë përdëllyese të Zotit. Atyre, që qajnë për vdekjen e kardinalit Cassidy, u dërgon bekimin, si peng ngushëllimi e paqeje në Tënzonë.

I lindur në Sydney, më 5 korrik 1924, më 1943 nisi të frekuentojnë seminarin e Santa Colombas, në Springwood. Një vit më pas kaloi në Collegio di San Patrizio, në Manly, ku përfundoi studimet. U shugurua meshtar në Katedralen e Shën Marisë,  më 23 korrik 1949. Nga viti 1950, deri më 1952, shërbeu si asistent pranë Famullisë së Yenda, në dioqezën e Wagga Wagga. Më 1952 nisi studimet  për Drejtësi Kanonike, pranë Universitetit Papnor Lateranens të Romës, duke u laureuar në vitin 1955. Frekuentoi, më pas, edhe Akademinë Kishtare, për të hyrë menjëherë në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë.

Misionin e parë diplomatik e nisi pranë Nunciaturës Apostolike në Indi (1955-1962). Më pas kaloi pesë vjet, nga viti 1962 - në vitin 1967, në Nunciaturën Apostolike të Dublinit; dy vjet në El Salvador (1967-1969) e më pas në vende të tjera, nga veriu, në jug të botës, Më 23 mars 1988 ishte Zëvendës i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit për Çështjet e Përgjithshme. Më 1989 u emërua kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve. Detyrë, kjo, që e kreu deri më 3 mars 2001. U krijua kardinal në Koncistorin e 28 qershorit 1991 nga Gjon Pali II.  Nga 3 marsi 2001 ishte kryetar nderi.

14 prill 2021, 15:35