Kërko

Vatican News

Në Peru, funerali i misionares së vrarë. Papa: “dhunë e pajustifikueshme”

Ipeshkvi i Chimbote-s, imzot Angel Francisco Simon Piorno, kremtoi dje funeralin e Nadia De Munarit, vullnetares italiane të operacionit Mato Grosso, sulmuar të mërkurën e kaluar dhe vdekur të shtunën në Peru. Në një telegram drejtuar prelatit, Papa Françesku premton lutje për 50-vjeçaren e vrarë dhe kujton shumë misionarë, që humbin jetën gjatë shërbimit të tyre për Ungjillin dhe për më nevojtarët

R.SH. - Vatikan

Dje, u kremtua në Nuevo Chimbote të Perusë, funerali i Nadia De Munarit, misionares laike të operacionit Mato Grosso, e cila vdiq të shtunën e kaluar, pas dhunës dhe agresionit të pësuar natën ndërmjet së martës dhe së mërkurës, në dhomën e saj në qendrën edukative “Mamma Mia”, ku ishte drejtoreshë. Meshën e kryesoi imzot Angel Francisco Simon Piorno, ipeshkëv i Chimbote-s, qytet bregdetar peruvian, ku shërbente vullnetarja 50-vjeçare nga Vicenza, që drejtonte 5 kopshte dhe një shkollë fillore të lëvizjes së themeluar nga don Ugo De Censi. Një shërbim për më shumë se 500 fëmijë në lagjen e varfër të Nuevo Chimbote-s, ku jetojnë edhe migrantë, të cilët kanë zbritur nga fshatrat e varfra të Andeve.

Telegrami i Papës

         Me këtë rast, Papa Françesku dërgoi një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në të cilin thekson “dënimin e tij të vendosur për këtë episod të ri dhe të pajustifikueshëm dhune, që u shtohet shumë të tjerëve, në të cilët kanë humbur jetën misionarë dhe misionare, ndërsa kryenin me vetëmohim detyrën e tyre në shërbim të Ungjillit dhe ndihmonin më nevojtarët e më të pambrojturit”.

Lutje për Nadien dhe afërsi me prindërit

         “Ndërsa premton lutje për prehjen e përjetshme të shpirtit të kësaj vullnetareje dhe ia beson ndërmjetësimit të Nënës së Zotit”, Papa shpreh në telegram “afërsinë atërore me prindërit, me familjarët dhe të afërmit, duke siguruar se do t’i kujtojë në lutje dhe duke bekuar të gjithë ata, që marrin pjesë në funeral, si në Peru, ashtu edhe në Itali, sapo kjo të jetë e mundur”. Mbërritja e trupit të Nadies në Itali pritet pas rreth 20 ditësh.

29 prill 2021, 11:15