Gjyshër e nipër Gjyshër e nipër

Misioni i gjyshërve: afërsia me rininë

Tema e Ditës së parë Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, “Unë jam me ty çdo ditë”, e cila do të kremtohet më 25 korrik, u shpall sot me një njoftim për shtyp të Dikasterit vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën

R.SH. - Vatikan

Të kujton versetin e fundit të kreut 28 të Ungjillit sipas Mateut, tema e Ditës së parë Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, që do të kremtohet më 25 korrik, të dielën e katërt të muajit, krejt pranë festës së shenjtorëve Joakim dhe Ana, gjyshërit e Jezu Krishtit. Ajo është “Unë jam me ty çdo ditë” e u njoftua sot nga Dikasteri vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën, pasi Papa Françesku pati lajmëruar për datën në fund të Engjëllit të Tënzot të 31 janarit 2021.

“Tema e zgjedhur nga Ati i Shenjtë - lexohet në komunikatën për shtyp të Dikasterit - synon të shprehë afërsinë e Zotit dhe të Kishës në jetën e çdo të moshuari, veçanërisht në këto kohë të vështira pandemie”. Është fjala për “një premtim afërsie dhe shprese, që të rinjtë dhe të moshuarit mund t’i shprehin njëri-tjetrit”, duke u mbështetur reciprokisht, sepse “jo vetëm nipërit e mbesat dhe, në përgjithësi, të rinjtë, janë të thirrur të bëhen të pranishëm në jetën e të moshuarve, por edhe të moshuarit e gjyshërit kanë një mision ungjillizimi, kumtimi, lutjeje dhe nxitjeje të brezit të ri drejt fesë”.

Dikasteri njofton se, nga mesi i qershorit, në faqen e internetit www.amorislaetitia.va, do të publikohet material i dobishëm për kremtimin e kësaj Dite në kishat dhe në bashkësitë lokale.

20 prill 2021, 15:19