Shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore, Kisha e Shpirtit Shenjt në Sassia . Shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore, Kisha e Shpirtit Shenjt në Sassia . 

Mëshira Hyjnore, “vaksinë kundër virusit të egoizmit”

Nesër, për herë të dytë, Papa Françesku do ta kremtojë Meshën në formë private, në Kishën romake të Shpirtit Shenjt në Sassia. Është e diela kushtuar Mëshirës Hyjnore, pas dukjeve të Shën Faustinës Kowalska. Në Vatican News rektori i Shenjtërores, imzot Bart, pohon: “Jetojmë kohë të vështira, po kjo ditë është plot me hire për mbarë botën”.

“Jam e sigurt se misioni im nuk do të marrë fund me vdekjen time: me të do të fillojë”. Këto fjalë, shkruar në Ditarin e motrës Faustina Kowalska, janë vërtet profetike, parë në dritën e ngjarjeve, që do  vinin pas lindjes për qiell të kësaj motre, së cilës Jezusi iu duk në mënyra nga më të ndryshmet: me zbulesa, me varrët e padukshme, me bashkimin mistik, me dhuratën e shqyrtimit të zemrave, me profeci, me përvojën e dhimbshme “të natës së errët të shpirtit”.

E lindur në vitin 1905, Faustina u shua në vitin 1938, në kuvendin e Krakov-Lagiewniki, në moshën 33 vjeçare. Ndërsa ishte në jetë, kreu detyrën e kuzhineres, kopshtares e portieres në shtëpi të ndryshme të Kongregatës së Motrave të Zojës së Mëshirës, së cilës i përkiste. Pak e kush - veç rrëfyesve e një pjese të eprorëve - kishte dijeni për jetën e saj të fshehtë mistike. Po sot Mesazhi i Mëshirës, që Jezusi ia besoi kësaj murgeshe të thjeshtë, të dashur aq nga Zoti, sa t’i dhuronte plagët e kryqit të  vet, njihet në mbarë botën.

Festë, që e deshi vetë Jezusi

“Nëntëdhjetë vjet më parë Zoti Jezus iu duk Shën Faustina Kowalskas, duke i besuar mesazhin e posaçëm të mëshirës hyjnore. Përmes Shën Gjon Palit II mesazhi u përhap në mbarë botën. E nuk ishte tjetër, veçse Ungjilli i Jezu Krishtit, që vdiq, u ngjall e na dhuron mëshirën e Atit. E thirrja për  ta hapur zemrën, duke thënë me fe: ‘Jezus besoj në Ty!’”.

Ishte 22 shkurti i vitit 1931. Zoti Jezus iu duk Faustina Kowalskas, që lutej në një nga qelitë e kuvendit të Plock, të kongregatës së Motrave të Zojës së Mëshirës, në Stary Rynek.

“Në mbrëmje, duke ndenjur në qelinë time - shkruan motra Faustina në Ditarin e saj - pashë Zotin Jezus, të veshur me petka të bardha: me një dorë ngritur lart për të bekuar, ndërsa me tjetrën prekte petkun mbi kraharor, prej nga dilnin dy rreze të ndritshme, njëra e kuqe, tjetra e zbehtë. I mbaja sytë ngulur mbi Zotin e shpirti im pushtohej nga frika, por edhe nga  gëzimi i papërshkrueshëm. Pas një të imte, Jezusi  më tha: ‘Pikturoje një figure sipas modelit, që po shikon, e poshtë saj shkruaj: ‘Jezus, besoj në Ty!’. Dëshiroj që kjo figure të nderohet më parë në Kapelën tuaj. Më pas, në mbarë botën". Figurja e parë e Krishtit të Mëshirshëm u pikturua në Vilnius, nën drejtimin e vetë motrës Faustina. Ndërsa më e njohura ruhet në Shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore, në Cracovia-Lagiewniki. U krijua sipas përshkrimit të Apostulles së Mëshirës Hyjnore. 

Mesazh tejet i rëndësishëm për Gjon Palin II që, 21 vjet më parë, më 30 prill të vitit 2000, ditën kur shpalli shenjte Motër Faustinën, themeloi edhe të Dielën e Mëshirës Hyjnore.  Që asokohe kjo Festë vijon të kremtohet të Dielën II të Pashkëve, “E Diela in albis”. Vetë Jezusi shprehu dëshirën që të kishte edhe një festë kushtuar Mëshirës: “Dua që figurja, të cilën ti do ta pikturosh me penel, të bekohet solemnisht në të Dielën e parë pas Pashkëve; kjo e diel duhet të jetë  festa e Mëshirës - i pati thënë Motër Faustinës, siç  e përshkruan ajo vetë në ditarin e vet.

Në këtë të diel të veçantë Papa, ashtu si vitin e kaluar, duke respektuar masat  kundër-Covid, do ta kremtojë Meshën në formë private, në orën 10.30, në Kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia. Në përfundim të Eukaristisë,  do t’i prijë, nga Shenjtërorja, lutjes së Mbretëreshës Qiellore.

 Mëshira, vaksinë kundër virusit të egoizmit

Rektori i Shenjtërores, imzot Bart, pohon se  “kulti në rritje i Mëshirës së Zotit në përmasat e veta të ndryshme, i ndihmon në mënyra të ndryshme të gjithë ata, që preken nga pandemia, por është edhe vaksinë kundër virusit të egozimit, që mund ta shkatërrojë qytetërimin e dashurisë”. Kujton, më pas, lidhjen e ngushtë të Gjon Palit II, Benediktit XVI e Papës Françesku me këtë shenjë të Mëshirës. Papa Wojtyla e bëri papninë e tij figure të Mëshirës Hyjnore. Benedikti XVI pohoi se fjalët “Jezus, besoj në ty” , përmbledhin gjithë fenë tonë të krishterë, fe e gjithëpushtetit të dashurisë së mëshirshme të Zotit. Ndërsa Papa Françesku, duke shpallur Vitin Shenjt  të Mëshirës, ia hapi portat e kësaj dhurate mbarë njerëzimit. Shenjë, që na kujton fjalët e Gjon Palit II, shprehur më 17 gusht 2002, kur  uroi që “Mëshira e Zotit të arrijë në zemrat e gjithë banorëve të tokës”.

10 prill 2021, 11:39