Kërko

2021.04.11 Santa Messa Chiesa di Santo Spirito in Sassia 2021.04.11 Santa Messa Chiesa di Santo Spirito in Sassia 

Papa: vetëm nëse e pranojmë dashurinë e Zotit, mund t’i japim diçka të re botës

Në të Dielën e Mëshirës Hyjnore, gjatë homelisë së Meshës, Françesku, i ftoi besimtarët t’ua mjekojnë plagët e nevojtarëve, sepse aty shikojnë Krishtin. Aty është vetë Krishti!

R. SH. - Vatikan

Në homelinë e Meshës, kremtuar në Kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, në të Dielën kushtuar Mëshirës Hyjnore, Papa vuri që në fillim në dukje forcën shndërruese të kësaj Mëshire, që veproi së pari mbi dishepujt e Jezusit, të trembur për vdekje pas Kryqëzimit të Zotit. Po Ai u kthye përsëri, i gjallë, e i ngriti përsëri në këmbë me mëshirë. E, të mëshiruar, edhe ata u bënë të mëshirshëm.

Tri dhuratat e mëshirës

Foli për tri dhuratat, që u solli Jezusi Apostujve, Papa në fillim të homelisë. Përmes tyre u mëshiruan. Së pari u ofroi paqen, më pas, Shpirtin Shenjt e, së fundi, Varrët e veta. Kjo dhuratë e jashtëzakonshme bëhej kur dishepujt ishin të pushtuar nga ankthi. Qenë mbyllur në shtëpi. Kishin frikë se do të arrestoheshin e do të përfundonin si Mësuesi i tyre.  E ishin mbyllur edhe brenda brerjeve të ndërgjegjes së vet. E kishin braktisur Jezusin. E kishin mohuar! Ndjeheshin të paaftë, të padenjë, njerëz që bënin kot hije mbi dhe. Po Jezusi - kujtoi në vijim Papa, duke përshkruar një nga skenat më tronditëse  të Ungjijve – u ngjall, erdhi e u tha: “Paqja qoftë me ju!”:

“Nuk solli paqen, që i zgjidh problemet e jashtme. Solli paqen e zemrës.  Paqen që zbriste në shpirtin e tyre njëheresh me fjalët: ‘Paqja qoftë me ju! Si më dërgoi Ati mua, edhe unë po ju dërgoi ju’. Si të donte të thoshte: ‘Ju  dërgoj, sepse besoj në ju’”

E mbi ta ra sakaq paqja.

Krishti na do më shumë se e duam vetveten

Paqja e Jezusit - vijoi të kujtojë Papa - i bën të kalojnë nga brerjet e ndërgjegjes, në mison, sepse e frymëzon misionin. Nuk është qetësi, nuk është rehati. Eshtë forcë që të bën të dalësh nga vetvetja. Paqja e Krishtit të çliron nga mbylljet brenda e jashtë vetes, i copëton zinxhirët që e mbajnë të burgosur zemrën. E dishepujt - vijoi të spjegojë Françesku - e ndjejnë veten të mëshiruar: ndjejnë se Zoti nuk po i dënon, nuk po i poshtëron, por po beson në ta. Sepse Zoti beson gjithnjë në ne, shumë më tepër se i besojmë vetes. Na do më shumë se e duam vetveten:

“Për Zotin askush nuk është i gabuar, askush i kotë, askush i përjashtuar. Krishti na përsërit akoma: paqja qoftë me ty, që ke një mision. Nuk mund ta kryejë askush në vendin tënd. Je i pazevendësueshëm. E unë besoj në ty”.

Në qendër të Rrëfimit nuk jemi ne,  por Zoti, me mëshirën e tij  

Në radhë të dytë, Jezusi i mëshiron dishepujt  duke u ofruar Shpirtin Shenjt për faljen e mëkateve. Sepse dishepujt ishin fajtorë. Kishin ikur në pika të vrapit, duke e braktisur Mësuesin. E mëkati i turbullon. E keqja ka haraçin e vet. Vetëm Zoti e shlyen, vetëm Ai mund të na bëjë të dalim nga mjerimet tona më të thella. Falja në Shpirtin Shenjt është dhurata e Pashkëve për të rilindur brenda vetes. Të kërkojmë hirin për ta rrokur në sakramentin e faljes. E të kujtojmë se në qendër të Rrëfimit nuk jemi ne, me mëkatet tona, por Zoti, me mëshirën e tij.

“Nuk rrëfehemi për t’u rrëzuar, por për t’u ngritur përsëri në këmbë. Kemi nevojë për të, si fëmijët e vegjël kur rrëzohen. Edhe ne biem shpesh e dora e Atit është gjithnjë e shtrirë drejt nesh, për të na ngritur përsëri në këmbë. E për të na ndihmuar të shkojmë përpara, përmes sekretit të rrëfimit”.

Dhurata e tretë e Jezu Krishtit: plagët e Tij

Dhurata e tretë e Krishtit janë plagët e tij - kujtoi Papa - nga këto plagë u shëruam. E plaga mund të shërohet vetëm përmes mëshirës. Në këto plagë, ashtu si Toma, prekim me dorë se Zoti na do deri në fund të fundit, se i bën të Tijat plagët tona, se mbart në korpin e Tij ligështitë tona. Plagët janë kanale të hapura ndërmjet Tij e nesh. Prej tyre, mbi mjerimet tona vërshon mëshira e Tij. Duke e adhuruar e duke puthur plagët e tij, zbulojmë se  ai e pranon me dashuri çdo ligështi tonën. E kjo ndodh në çdo meshë, ku Jezusi na ofron Korpin e tij të plagosur e të ngjallur: e prekim, e Ai prek jetët tona. E bën të zbresë qielli në shpirtin tonë. Plagët e tij e davarisin terrin, që kemi në zemra. E ne, si Toma, e gjejmë Zotin e, të prekur thellë në shpirt, themi: ‘Zoti im e Hyji im!”. Prej këtu nis udha e krishterë:

“Vetëm nëse e pranojmë dashurinë e Zotit, mund t’i japim diçka të re botës!”.

Një zemër e vetme një shpirt i vetëm

Kështu bënë dishepujt: të mëshiruar, u bënë mëshirues. E shikojmë këtë - kujtoi Papa - në leximin e parë. Veprat e Apostujve tregojnë se “askush nuk e konsideronte pronë të vetën çka i përkiste, sepse gjithçka e kishin të përbashkët:

“E ky nuk është komunizëm, por kristianizëm! I pastër. E ne çuditemi kur mendojmë se pak më përpara, pikërisht këta njerëz qenë grindur për çmime, nderime e madhëri e për të zënë vendin e parë atje, ku do të shkonin”.

Tani e ndajnë bashkë gjithçka:

“Tani janë një zemër e vetme e një shpirt i vetëm! E si ndryshuan kështu? Panë në tjetrin të njëjtën mëshirë, që e shndërroi jetën e tyre. Zbuluan  se kishin të përbashkët misionin, faljen e korpin e Krishtit: t’i ndanin tokat tani ishte krejt e natyrshme. Askush nuk ishte më nevojtar. Frika e tyre qe zhdukur duke prekur plagët e Krishtit. E tani, e vetmja frikë që kanë, është të mjekojnë plagët e nevojtarëve. Sepse aty shikojnë Krishtin. Aty është Krishti!”.

E, në përfundim, thirrja e Papës:

“Vëlla, motër, a do një provë që tregon se Zoti e ka prekur jetën tënde? Vërteto se përkulesh mbi plagët e tjerëve. Ka ardhur dita ta pyesësh veten: ‘Unë, që e mora aq shpesh paqen e Zotit,  faljen e Tij, mëshirën e Tij,  a i mëshiroj të varfërit? Nuk duhet ta jetojmë një fe që merr, por nuk jep, që e pranon dhuratën, por nuk dhuron!".

Para se ta përfundonte kremtimin, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore,  Papa falënderoi të gjithë ata, që bashkëpunuan për ta përgatitur e për ta transmetuar drejtpërdrejt. E edhe ata, që u lidhën  me të përmes mediave. Një përshëndetje e veçantë ishte ajo, që Françesku ua drejtoi  të pranishmëve në Kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, Shenjtërore e Mëshirës Hyjnore: besimtarë, personel infermieristik, të bugosur, të gjymtë, refugjatë e migrantë, motra spitalore të Mëshirës Hyjnore e vullnetarë të Mbrojtjes civile.  Ju - vijoi - përfaqësoni disa realitete në të cilat mëshira bëhet konkrete, bëhet afërsi, vëmendje ndaj njerëzve, që kalojnë çaste të vështira. Ju uroj  të ndjeheni gjithnjë të mëshiruar, për të qenë, pastaj, edhe ju vetë mëshirues:

"Virgjëra Mari, Nënë e Mëshirës, na e nxjerrtë nga Zoti këtë hir ne të gjithëve!".

11 prill 2021, 12:20

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >