I riu Jorge Mario Bergoglio, sot, Papa Françesku I riu Jorge Mario Bergoglio, sot, Papa Françesku

I riu Bergoglio, “adhurues në misterin e natës”

Në një letër në spanjisht, dërguar së përjavshmes katolike "Alfa y Omega", Papa Françesku kujton përvojën e netëve të lutjes, së bashku me të vëllanë, në vitet ‘50, në Bazilikën e të Shenjtnueshmit Sakrament në Buenos Aires

R.SH. - Vatikan

“U mallëngjeva”: kështu i shkruan Papa Françesku revistës "Alfa y Omega", pasi mori prej saj fotokopjen e një regjistri, ruajtur në arkivat e Bazilikës së të Shenjtnueshmit Sakrament në Buenos Aires, ku shënoheshin emrat e të ashtuquajturve “adhurues të natës”. Ishin njerëz që, duke filluar nga ora 21, në mbrëmje, alternoheshin në turne lutjeje para Eukaristisë, praktikë në përdorim në këtë Bazilikë që nga viti 1917. Ndërmjet atyre emrave spikasin ata të Jorge Mario Bergoglio-s dhe të vëllait të tij Oscar, që, ndërmjet viteve 1954 dhe 1955 bënë këtë përvojë së bashku me një figurë themelore, me atë José Aristi-n, rregulltar sakramentin, epror provincial i Kongregatës së tij, i cili kaloi orë të pafundme të jetës në rrëfyestore, duke i ndihmuar besimtarët të pajtoheshin me Zotin. Figurë mëshire, shumë ​​e dashur dhe tejet qendrore në jetën e atij, që do të bëhej më vonë Papa Françesku.

Të shtunat e lutjes

         "Venite adoremus" është fraza, që Ati i Shenjtë kujton me "emocion". Adhuruesit e ndryshëm e përdornin atë për ta futur në atmosferë personin, që vinte pas tyre në turnin e radhës. Nga shtëpia e tij në Flores, në periferi të Buenos Airesit, i riu Jorge – shkruhet në revistë - shkonte me autobus në qendër të qytetit, për të arritur në Bazilikën e të Shenjtnueshmit Sakrament e mbrëmjet e së shtunës, që kalonin duke u lutur, ishin të shumta. “Adhurimi fillonte rreth orës nëntë të mbrëmjes, pas predikimit të atë Aristit", shpjegon Papa në letrën e tij. Flaka e thirrjes së Zotit ishte ndezur tashmë në zemrën e tij, por, shkruan Ati i Shenjtë, ajo që bënte ishte “një jetë normale e krishterë”. Pastaj, erdhën ato netë adhurimi, që e ndryshuan thellësisht.

Ky kryq nuk mund të përfundojë nën tokë

         Kur vdiq atë Aristi, Natën e Pashkëve 1996, imzot Bergoglio, atëherë ipeshkëv ndihmës, zbriti në kripën e Bazilikës ku ishte vendosur trupi dhe, ndërsa vinte lule, bëri një gjest gati impulsiv. Mora, tregon Françesku, "kryqin e rruzares dhe e shkëputa pak me forcë". "Në atë çast, e hodha vështrimin kah meshtari dhe i thashë: 'Më jep gjysmën e mëshirës sate'" dhe, vijon Papa, “ndjeva diçka, që më dha guxim për ta bërë këtë”. Dëshmitari i vetëm i këtij gjesti, vëren revista, ishte meshtari sakramentin Andrés Taborda. “Mbaj mend – vijon tregimin Papa - që më tha: ‘Ishte rrëfyesi im. Me këtë rruzare në dorë, u dha zgjidhjen shumë e shumë mëkatarëve; nuk është e mundur që të dojë ta marrë me vete nën tokë”.

Rruzarja në një xhep të veçantë

         Revista publikon edhe anekdotën e treguar nga Diego Vidal, një laik, i cili prej vitesh koordinon adhuruesit e natës në bazilikë. Ai pohon: "Në një kongres eukaristik, në një provincë larg Buenos Airesit, kryeipeshkvi i atëhershëm Bergoglio më kaloi pranë dhe unë e pyeta nëse e njihte atë Aristin. U ndal menjëherë dhe u përgjigj: 'A e njoh vallë?’ Dhe nxorri rruzaren e meshtarit nga rrobet e tij”. Që atëherë, për ipeshkvin e kardinalin Bergoglio e sot, për Papën Françesku, kryqi i rruzares së atë Aristit është shok i pandashëm. “E vura këtu, në xhepin tim”, shkruan Ati i Shenjtë. "Veshjet e Papës nuk kanë xhepa, por unë mbaj gjithmonë me vete një qese të vogël prej pëlhure e, që atëherë e deri më sot, dora më shkon aty gjithmonë. Ia ndiej hirin! Shembulli i një meshtari të mëshirshëm, i një prifti, që u afrohet varrëve të njerëzve, bën shumë mirë”.

08 prill 2021, 16:16