Kërko

Vatican News

Papa Françesku: nga qielli shenjtorët vijojnë gjithnjë të na “shtrijnë dorën”

Papa ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme temës së bashkësisë së shenjtorëve. Lutja jonë, kujtoi, nuk është kurrë vetmitare: një solidaritet misterioz na lidh me ata, që na paraprinë duke na transmetuar fenë. Lutja për të tjerët, është mënyra e parë për të dashur.

R. SH. - Vatikan

“Kur lutemi, nuk e bëjmë kurrë vetëm: edhe nëse nuk e mendojmë, zhytemi në një lumë madhështor lutjesh, që na parapriu e vijon edhe pas nesh”. Me këto fjalë e nisi Papa Françesku katekizmin e audiencës së përgjithshme të së mërkurës, kushtuar lidhjes së lutjes me bashkësinë e shenjtorëve. Fjalëve të Papës i parapriu leximi i një fragmenti nga Letra drejtuar Hebrenjve, në të cilën kujtohen të krishterët e parë për udhë, me sy të ngulur mbi Jezusin, rrethuar nga “një turmë e pafundme dëshmitarësh”.

Një mori historish përbëjnë historinë e jetës sonë

Ne nuk jetojmë kurrë vetëm! Jeta jonë lidhet ngushtë me jetën e popullit e të mbarë njerëzimit, të cilit i përkasim. E ndjejmë fuqimisht këtë edhe në lutjet që i drejtohen Zotit nga faqet e Biblës, në rrethana të ndryshme: internime, mërgime, çaste trishtimi e gëzimi, si takimi i Marisë me Elizabetën, që këndohet në Magnificat. Në lutjet, dhimbja e njërit, bëhet dhimbje e të gjithëve e, prej këndej, shndërrohet në lumni:

“Lutjet rilindin gjithnjë: sa herë i bashkojmë duart e ia hapim zemrën Zotit, e ndjejmë se na shoqërojnë shenjtorë me emër e pa emër, të cilët luten me ne e edhe ndërmjetësojnë për ne, si motra e vëllezër më të mëdhenj,  që kaluan nëpër të njëtën aventurë njerëzore. Në kishë nuk ka mort që mbetet i vetmuar, nuk ka lot që pikon në humnerën e harresës, sepse gjithçka merr frymë, merr pjesë në një hir të përbashkët”.

Edhe në jetën tonë mund të lulëzojë shenjtëria

Papa Françesku vërejti se një herë e një kohë varrezat ishin pranë kishave, “si të donin të thoshin se në çdo Eukaristi merrnin pjesë, në një farë mënyre, edhe aradhet e atyre që, na paraprinë”. Atje është feja, që na u transmetua e që ne e morëm e me të, edhe mënyra  e lutjes, vetë lutja:

“Shenjtorët janë akoma këtu - pohoi - nuk janë larg nesh. Janë  dëshmitarë që nuk i adhurojmë - të kuptohemi mirë - nuk i adhurojmë, por i nderojmë e që na çojnë në një mijë mënyra tek Jezu Krishti, i vetmi Zot e ndërmjetësues pranë Atit, për njeriun. Një shenjt, që nuk na çon te Jezu Krishti, nuk është shenjt, e as i krishterë. Shenjti të bën të kujtosh menjëherë Jezusin, sepse edhe ai ka ecur në udhën e jetës së krishterë. Shenjtorët na kujtojnë se edhe në jetën tonë, ndonëse e ligshtë dhe e  damkosur nga mëkati, mund të lulëzojë shenjtëria”.

Edhe në çastin e fundit të jetës - theksoi Papa - është e mundur të bësh kthesë - e në vijim kujtoi se shenjti i parë i kanonizuar nga vetë Jezusi, ishte një hajdut, hajduti i mirë. “Shenjtëria - pohoi - është udhë jete, takim me Krishtin, i gjatë a i shkurtër a edhe një çast i vetëm”.

Solidaritet misterioz përmes lutjes së ndërsjelltë

Duke kujtuar katekizmin, Françesku shpjegoi se shenjtorët “vijojnë të kenë shumë kujdes për  ata, që i lanë mbi tokë, e se, prej këndej, mund e duhet  t’u lutemi të ndërmjetësojnë për ne e për mbarë botën:

“Këtë lidhje lutjeje ndërmjet nesh e shenjtorëve, domethënë, ndërmjet nesh e njerëzve, që arritën në amshim, këtë lidhje, e ndjejmë që këtu, në jetën tokësore: lutemi njëri për tjetrin, kërkojmë lutje e lutemi… E mënyra e parë për t’u lutur për ndokënd, është t’i flasim Zotit për të. Nëse e bëjmë këtë vazhdimisht, çdo ditë, zemra jonë nuk mbyllet, mbetet gjithnjë e hapur për vëllezërit. Të lutesh për të tjerët është mënyra e parë për të dashur e na nxit për afërsi konkrete”.

E, duke folur lirisht, Papa shtoi:

“Edhe në çaste konfliktesh, një mënyrë për t’i dhënë fund sherrit, për ta zbutur, është të lutesh për njeriun me të cilin ndeshesh. E diçka ndryshon, sigurisht, kur lutesh. Gjëja e parë, që ma ndryshon zemrën, është sjellja ime. Zoti e ndryshon, për të bërë të mundur takimin, një takim të ri e për ta shmangur rrezikun që ndeshja të bëhet luftë e pafund”.

Shenjtorët na japin dorën

Ndaj mënyra e parë për t’i bërë ballë kohës së ankthit, është t’u kërkosh vëllezërve e, në mënyrë të veçantë Shenjtorëve, të luten për ne. Emri, që na e vunë në pagëzim, nuk është etiketë, as stoli. Zakonisht është emri i Zojës Mari, i një shenjti a një shenjtoreje, të cilët nuk presin tjetër, veçse të na shtrijnë dorën  në jetë, të ndërmjetësojnë për të nxjerrë nga Zoti hiret, për të cilat kemi më shumë nevojë:

“Nëse në jetën tonë provat nuk e kanë kapërcyer kulmin, nëse nuk e kemi humbur akoma durimin, nëse pavarësisht nga të gjitha, jemi në gjendje të shkojmë përpara plot me besim, ndoshta gjithë këtë hir, më shumë se nga meritat tona, e kemi nga ndërmjetësimi i shumë shenjtorëve, disa në Qiell, të tjerë, shtegtarë si ne, mbi dhe, që na mbrojtën e na shoqëruan, mbasi e dimë se mbi këtë tokë ka njerëz të shenjtë, gra e burra të shenjtë, që jetojnë shenjtërisht, pa e ditur as ata e as ne, por janë shenjtorët e përditshëm, të fshehur, ose, si më pëlqen t’i quaj “shenjtorët e portës përbri”, që e jetojnë jetën me ne, punojnë me ne e, pranë nesh, jetojnë si shenjtorë,”

Qoftë bekuar Jezu Krishti, i vetmi Shëlbues i botës - kujtoi në përfundim Papa - së bashku me lulëzimin e shenjtorëve  e shenjtoreve, që popullojnë tokën e që e bënë jetën e tyre lavdërim për Zotin. Sepse - siç pohonte Shën Bazili - për Shpirtin Shenjt janë banesë posaçërisht e përshtatshme, mbasi ofrohen për të banuar me Zotin e quhen tempulli i Tij”.

Të dielën e ardhshme, Festa e Mëshirës Hyjnore

 Në përfundim të katekizmit, duke iu drejtuar besimtarëve të gjuhës polake, Papa kujtoi se të dielën e ardhshme  Kisha do të kremtojë Festën e Mëshirës Hyjnore. E themeluar nga Gjon Pali II, Papa polak - vijoi Françesku - na kujtoi se liturgjia e kësaj së dieleje duket sikur tregon rrugën e mëshirës që, ndërsa rindërton lidhjet e secilit me Zotin, ngjall edhe ndërmjet njerëzve lidhje solidariteti vëllazëror. Njeriu merr mëshirën e Zotit, por pa harruar se është i thirrur edhe t’i mëshirojë të tjerët. “Ta kërkojmë - përfundoi Papa - hirin e faljes dhe të dashurisë vepruese për të afërmin”.

Sporti, në shërbim të dialogut

Në përfundim të audiencës së përgjithme Papa kujtoi Ditën Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillimin dhe Paqen, themeluar nga Kombet e Bashkuara, kremtuar dje. E uroi që përvoja e sportit të mund të shikohet si ngjarje e skuadrës, për të favorizuar dialogun solidar ndërmjet kulturave

“Kam kënaqësinë të inkurajoj  Atletikën Vatikanase ta vijojë angazhimin për  mbrojtjen e kulturës së vëllazërimit në fushën sportive, duke u kushtuar vëmendje të veçantë njerëzve më të ligshtë e duke u bërë, kështu, dëshmitarë të paqes”.

07 prill 2021, 12:30